Nuk mund të arrihet “shëndetësia falas” kur qytetarët paguajnë miliarda lekë nga xhepi i tyre për tenderat në spitale, ndërsa shërbimet që marrin lënë për të dëshiruar.
Spitali kryesor QSUT, i drejtuar nga Albana Fico, është gllabërues gjigant i parave të cilat filtrohen në tendera korruptivë. Në prokurimin e radhës do të shpenzohen 2.5 miliardë lekë. Ky tender ka si objekt “Mirëmbajtje e pajisjeve të mëdha mjekësore të prodhuesit Philips/ose ekuivalent, prodhuesit Siemens/ose ekuivalent, prodhuesit Toshiba/ose ekuivalent dhe prodhuesit GE Healthcare/ose ekuivalent” për 24 muaj” dhe është i ndarë në 4 lote.
Denoncimi për lotin 2
Në mes tyre është denoncuar “Loti 2 – Mirëmbajtje Pajisje mjekësore prodhues Siemens /ose ekuivalent” me fond limit 88,599,870.09 Lekë leke pa TVSH, zhvilluar me datë 30-11-2023 nga autoriteti kontraktor Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza Tiranë.
Kontrata për këtë tender është firmosur më datë 29 janar, pas një gare midis dy firmave “Health & Light” sh.p.k dhe “MSE” sh.p.k, ku kjo e fundit u shpall fituese. Deri këtu në këtë lot duket se gjithçka është në rregull dhe për herë të parë të jep përshtypjen që Fico ka zbatuar ligjin.
Mirëpo më datë 07.02.2024, nëpërmjet Sistemit të Ankesave Elektronike, pranë autoritetit kontraktor dhe njëherazi pranë Komisionit të Prokurimit Publik, është administruar ankesa e operatorit ekonomik “Medfau” SHPK.
Ankimuesi pretendon se “MSE” sh.p.k që është shpallur fitues nuk plotëson disa kritere bazike.
Më tej renditet fakti se për një dokumentacion pretendohet se është “konfidencial” dhe nuk ka dorëzuar në komisionin e tenderit. Prandaj ankimuesi kërkon që KPP të kontrollojë dhe shqyrtojë, nëse ky dokument është në rregull, edhe pse nuk duhej të konsiderohej si “konfidencial”. Pasi ankimuesi pretendon që në atë dokument fshihet diçka.
“Dokumentacioni tjetër është klasifikuar nga OE si konfidencial. Nuk e di nëse mundet të quhet Konfidenciale deklaratat standarde dhe deklaratat që kërkohen sipas DST, si mundet të konsiderohet si konfidenciale Sigurimi i Ofertës, si mund të konsiderohet konfidenciale certifikatat e Trajnimit . Lutemi KPP që të kryeje verifikimin e këtyre dokumenteve që ka paraqitur kompania MSE”, thuhet në ankesë.
Ndërsa më tutje shprehet se kjo firmë ka marrë pjesë në të gjitha lotet, madje edhe në ato tendera ku kërkohet një eksperiencë 20 -vjeçare, kur në fakt “MSE” sh.p.k është krijuar në vitin 2018.
“Duke parë faqen e APP shikojmë që kjo kompani MSE ka marrë pjesë në të gjitha lotet e mirëmbajtjes në QSUT, SIEMENS. PHILIPS DHE TOSHIBA. Me të drejtë ne si përfaqësues të kompanisë SIEMENS me një eksperiencë mbi 20 vjeçare, nuk arrijmë dot të kuptojmë se si kjo kompani si MSE e themeluar në vitin 2018 mundet të ketë fuqinë për realizimin me sukses të këtyre mirëmbajtjeve të pajisjeve mjekësore”, thekson ankimuesi.
Skënder Lufi pjesë e projektit korruptiv
Sigurisht nëse këto pretendime të ankimuesit qëndrojnë, tenderi për lotin 2 duhet të anulohet. Edhe pse nuk është i pari rast. Loti 1 – Pajisje mjekësore prodhues Philips /ose ekuivalent është anuluar më datë 21 gusht 2023, për shkak se ishin shkelur kriteret në zhvillimin e procedurës.
Sakaq, lotin 4 me objekt “Mirëmbajtje Pajisje mjekësore prodhues Ge Healthcare /ose ekuivalent” dhe fond limit 250 milionë lekë mban ‘Red Flag’, vlerësuar nga OPEN DATA për riskun e korrupsionit. Për këtë lot ka garuar vetëm firma “MONTAL” sh.p.k, në pronësi të oligarkut Skënder Lufi, që është një prej kompanive gjigante që thith tenderat e Shëndetësisë ndër vite.
E veçanta qëndron se, kjo kompani zë dy vende shumë të rëndësishme të tabelën e renditjes së kompanive që kanë përvetësuar paratë e taksapaguesve.
Në këtë rast ajo ka garuar me veten dhe Albana Fico i ka dhënë fitoren pa e menduar gjatë, duke i falur kështu kontratën 250 milionë lekë. Ndërsa duhet të dimë se, 68.5% të tenderëve që ka përfituar kjo kompani, janë marrë si operator i vetëm në garë, pa konkurruar me asnjë tjetër dhe 63% të tyre me Procedurë të Hapur, ndërsa 22,7% me Shtesë Kontrate. Kompanisë së Lufit nuk i duhet të konkurrojë për të përfituar para publike, e përkundrazi përfiton edhe vlerë shtesë për kontratat miliardere.
Ndërsa për lotin 3 me objekt “Mirëmbajtja Pajisje mjekësore prodhues Toshiba/ose ekuivalent” dhe fond limit 96 milionë lekë nuk ka ende asnjë informacion se si ka shkuar procedura.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post