Aleksandra e ka pranuar ftesën për të qenë pjesë e “Ka Një Mesazh Për Ty”. Shtangia e saj më e madhe ishte momenti kur zbuloi se pas ekranit në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, qëndronte vajza, Aida për të cilën mendonte se ishte rikthyer në Francë.
Vetmia e ka lodhur Aleksandrën, por nga ana tjetër ajo tregon se edhe në këtë formë, ia ka dalë të rrisë tre vajza, pa ndihmën e askujt.
Aida: Ke qenë shoqja, mikja, si i thonë…besimtarja ime që ia thoja të gjitha se goca të reja, kur jemi të reja dalim me shoqe. Sa vija sikur rrëfehesha, i dije të gjitha.
Aleksandra: I kam trajtuar si shoqe, pastaj nënë, pastaj babë. Kështu ishte fati, isha nënë dhe babë për to. I falenderoj shumë dhe u jam shumë mirënjohëse se s’më kanë kundërshtuar një herë, normale për të mirë që u flisja. Por ato ishin të reja, donin plazhin, donin të dilnin, unë s’i lejoja. Vinte vajza e madhe me të shoqin, unë s’i lejoja këto të dyja, kur të fejohen të shkojnë me të zotët e punës. Tani, ngaqë jeta më vrau thosha që t’i kisha sa më të rregullta, sa më të mira. Por asnjëherë qortim, vetëm shoqe dhe mendoja po sillem shoqe që çfarëdo t’u ndodhë në shoqëri, të vijë të ma tregojë.
Ardit Gjebrea: Epo sot ka ardhur se të ka gjetur një shok në Francë.
Aleksandra: Uuu, Ardit nga ajo anë më kanë lodhur, edhe në Greqi kur isha e ma punonin, shkonim pinim kafe të më prezantonin…Ardit, e kam stakuar trurin që 35 vjeçe. Mbaroi ai muhabet! Kur s’të ngroh dielli i themi ne andej në mëngjes, s’më ngrohu edhe i drekës, Ardit në darkë perëndon dielli, nuk të ngroh.
Publiku: Bravo!
Ardit Gjebrea: “Bravo” thonë zonjat.
Aleksandra: Bravo, tamam. Vajzat m’u rritën…
Ardit Gjebrea: Jo, me këtë “bravo” u trishtova se kuptova që paska edhe këtej që nuk i ngroh dielli.
Aleksandra: Dëgjo Ardit, përgjithësisht ne gratë shqiptare duhet ta pranojmë këtë sidomos brezi im njëherë po e po, por që më pëlqen. Se çfarë bën tjetri, nuk më intereson, unë jam unë dhe mua më pëlqen ky ritëm i jetës time.
Ardit Gjebrea: Vetmia të mërzit?
Aleksandra: Më mërzit se kam edhe shumë diagnoza Ardit, mua më ka lodhur shumë jeta se kam qenë një natyrë që nuk doja që edhe mamaja të dinte nëse unë i vija fëmijët pa bukë. Ngrihesha herët, shkoja te kazanët, mblidhja gomat që i merrja në punë e i pastroja që u bëja sandale e këpucë. Vetë, në shtëpi. Kështu që ajo lodhje tani do dalë, normale plus edhe mosha se s’jam e vogël, jam goxha.
Aida nuk do t’i kërkojë nënës të vijë me të në Francë sepse ajo është e vendosur për mos t’u larguar nga Shqipëria, edhe pse jeton krejt e vetme. Ajo dëshiron që për pjesën e mbetur të jetës së nënës së saj të kthehet në Shqipëri për t’i qëndruar pranë, një kërkesë që pranohet me shumë dëshirë nga Aleksandra./tvklan.al
Discussion about this post