Përmes një truku procedurial, Këshilli i Ministrave kërkon të ndryshojë rrënjësisht ligjin për Zonat e Mbrojtura, duke i hapur rrugë ndërtimit brenda tyre të projekteve strategjike. Drafti i qeverisë shmang konsultimin publik dhe është sipas aktivistëve mjedisorë, edhe më i rrezikshëm se sa varianti i deputetëve socialistë.
Një draft i detajuar propozimesh i qeverisë së kryeministrit Edi Rama për ndryshimin e ligjit “Për Zonat e Mbrojtura” i jep atribute Këshillit Kombëtar të Territorit që të vendosë për shfrytëzimin e këtyre zonave në varësi të lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit, duke i hapur ligjërisht rrugën investimeve strategjike brenda tyre.
Drafti i qeverisë, të cilin BIRN e disponon, u dërgua në Kuvend me emërtimin “dhënie mendimi” për projektligjin e inicuar nga një grup deputetësh socialistë – një truk procedurial ky që duket se tenton të shmangë konsultimin publik. [Lexo draftin e plotë të Qeverisë për Zonat e Mbrojtura]
Megjithatë, drafti i qeverisë rrëzon thelbin e propozimit të deputetëve, që synonte plotësimin e kërkesës së kryetarëve të bashkive për marrjen e një roli aktiv në administrim e zonave të mbrojtura, por rithekson synimin tjetër për të ulur nivelin e mbrojtjes së tyre.
Në dokumentin e miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë bashkohen propozime që vijnë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe ministri të tjera.
Propozimet kryesore për ndryshimin e ligjit të vitit 2017, që vendos kufizime të shumta për veprimtaritë brenda Zonave të Mbrojtura, vjen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës si dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë propozon që projektet strategjike brenda zonave të mbrojtura të përfshihen mes aktiviteteve të lejuara.
Sipas draftit, kjo ministri propozon që “në zonat e mbrojtura mjedisore lejohet ndërtimi vetëm për projekte strategjike, të cilat konsiderohen nga shteti me potencial të lartë për zhvillimin e ekonomisë së vendit”.
Agjencia e Zhvillimit të Territorit propozon gjithashtu që të jetë pikërisht KKT-ja e drejtuar nga kryeministri Edi Rama që të shpallë zonat e mbrojtura, ”si organi më i lartë vendimmarrës i planifikimit dhe zhvillimit të territorit dhe që ka në përbërjen e vet pjesën më të madhe të anëtareve të Këshillit të Ministrave”.
“I njëjti rregull duhet të vendoset edhe për Kurorën e Gjelbër (e parashikuar në nenin 23) apo edhe nëse kufijtë e zonave të mbrojtura rishikohen dhe ndryshohen, qoftë me zmadhimin apo zvogëlimin e zonës së mbrojtur, miratimi duhet të kryhet nga KKT-ja, me propozim të institucioneve përgjegjëse për zonat e mbrojtura,” thuhet në propozim.
Ndërkohë lidhur me veprimtaritë e lejuara në zonat e mbrojtura sipas draftit qeveritar ato të përcaktohen me vendim të KKT-së për shpalljen e zonës së mbrojtur apo me miratimin e lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit me rregullore të veçantë.
Në ligjin e 2017-ës në fuqi këto veprimtari duhej të përcaktoheshin qartësisht në planet e menaxhimit të ZM-ve.
Paraprakisht qeveria kërkon që të quhen veprimtari të lejuara; “investimet strategjike dhe veprimtaritë e zhvilluara në struktura akomoduese të ekselencës, 5 yje ose më shumë, në fushën e turizmit dhe çdo veprimtari/infrastrukturë tjetër mbështetëse ose në funksion të tyre, pavarësisht nëse kjo përcaktohet në vendimin e KKT-së për shpalljen e zonës së mbrojtur”.
Po ashtu të lejohen “veprimtaritë e zhvilluara në struktura akomoduese të agroturizmit dhe çdo veprimtari/infrastrukturë tjetër mbështetëse ose në funksion të tyre, pavarësisht nëse kjo përcaktohet në vendimin e shpalljes së zonës së mbrojtur.”
Aktivistët mjedisorë, të cilët e kanë kundërshtuar draftin e parë të propozuar nga deputetët socialistë, i thanë BIRN se drafti i qeverisë ishte edhe më i rrezikshëm.
“Mendimi i Këshillit të Ministrave na çon nga shiu në breshër,” tha Taulant Bino, drejtues i shoqatës së Ornitologjisë. “Tani ligji i Zonave të Mbrojtura kthehet në ligj legalizimi dhe investimi strategjik. Çdo gjë që ndalohej mund të lejohet nga KKT,” shtoi ai.
Bino shpjegoi më tej se drafti e kthen KKT-në në “Zot të Zonave të Mbrojtura”, pasi i jep kompetenca për të miratuar rregullore, për të vendosur për objektet e paligjshme, investime të ashtuquajtura strategjike e çdo gjë tjetër.
Edhe Nihat Dragoti, ekspert i Zonave të Mbrojtura pranë Institutit për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri, INCA, i tha BIRN se qëllimi kryesor i draftit ishte lejimi i investimeve strategjike në Zonat e Mbrojtura.
“Që kur thua investime strategjike bie ndesh me parimin e ligjit, sepse ato cënojnë rëndë bregdetin dhe lagunat,” tha ai duke e quajtur propozimin më “skandaloz” të draftit.
Dragoti theksoi gjithashtu se propozimet e reja janë shumë kontradiktore dhe vetëm sa shtojnë artifica mbi ligjin ekzistues, me qëllimin për t’i dhënë të drejtën ekskluzive KKT-së në vendimmarrje duke eleminuar planet e menaxhimit që janë baza e Zonave të Mbrojtura.
Në draftin e dorëzuar në Kuvend, qeveria ka rrëzuar propozimin e deputetëve për administrimin e 20% të zonave të mbrojtura nga bashkitë, por u ka lejuar atyre që të shfrytëzojnë kullotat. Qeveria parashikon gjithashtu krijimin e një strukture paralele me Administratën e Zonave të Mbrojtura, të quajtur Zyra e Administrimit të Parqeve Kombëtare (ZAPK), një institucion tekniko-administrativ në varësi të ministrisë përgjegjëse për zonat e mbrojtura, i organizuar në nivel qendror dhe rajonal.
Të gjitha vendimet e qeverisë për shpalljen e Zonave të Mbrojtura do të rishikohen brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit dhe brenda 18 muajve, Këshilli i Ministrave dhe ministria përgjegjëse do të miratojnë aktet e nevojshme për shpalljen e zonave të mbrojtura.
Drafti i ri i qeverisë pritet të shqyrtohet dhe të miratohet në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese dhe Mjedisit pa konsultim me aktorët civilë, pasi dëgjesat publike me organizatat mjedisore ky komision i zhvilloi mbi draftin e deputetëve. /Reporter.al/
Discussion about this post