Akuzat ndaj Edi Ramës, protesta e 20 shkurtit, por edhe raportet mes SHBA, ishin pikat e fjalimit që ish-Kryeministri Sali Berisha, mbajti pasditen e sotme, duke iu drejtuar mbështetësve të tij në tubimin që zhvillohet çdo ditë në atë që është pagëzuar si “Rruga e Shpresës”, dhe që më parë njihej si “Rruga e Salës”, për shkak se kreu i demokratëve banon në një prej apartamenteve të zonës. Në pjesën më të madhe të fjalës Berisha ka evidentuar se ai nuk është njëlloj me Edi Ramën, duke renditur jo vetëm në aspektin pasuror, por edhe mënyrën e qeverisjes.
Duke e cilësuar Edi Ramën një barvar që çon në Parlament ligjin për shkatërrimin e pasurive shekullore të shqiptarëve, Berisha tha se barbari, i zhveshur nga çdo moral, i zhveshur nga çdo interes tjetër përveç drogës dhe krimit, po shkatërron çdo ditë pasuritë që e bëjnë Shqipërinë një prej vendeve më të pasura të botës.
“Propaganda banale e Edi Ramës për të mbrojtur vjedhjet, aktet, skandalet e tij dhe të ministrave të tij, u bie nga mëngjesi deri në darkë borive, altoparlantëve se ne jemi njëlloj.
Nuk ka mashtrim më të madh se ky.
E vërteta është se ne jemi dy botë.
Njëra është bota e zezë e vjedhjeve, e krimit, e drogës, e vrasjeve. Është bota e zezë e skandaleve, e dështimeve, e dhunimit të pluralizmit, parlamentit, arrestimit të liderit të opozitës, e përzënies së shqiptarëve nga Shqipëria.
Kurse dallimi i kësaj bote me botën tjetër që mbron vlerat, parimet e drejtësisë, e kohezionit, e interesit kombëtar, e lirive dhe dinjitetit njerëzor, është dallim si nata me ditën”, tha Berisha.
Duke folur për protestën e 20 shkurtit, të thirrur nga opozita, ish-Kryeministri tha se kjo është dita e Europës, është dita e qytetarëve shqiptarë për të çelur dyert e integrimit në Europë. Berisha i ka bërë thirrje shqiptarëve që më 20 shkurt të dalin të gjithë në shesh, edhe për ata 1 milion shqiptarë që morën rrugët e dheut.
Madje, Berisha u shpreh se 20 shkurti duhet të shndërrohet në ditën e fitores sonë, ditën e dinjitetit të shqiptarëve, ditën e rivendosjes së pluralizmit, ditën e lebetitjes së banditëve qeveritarë, organizatave kriminale me pushtet, ditën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Edi Rama pasi erdhi në pushtet, u mburr me muaj dhe vite për inceneratorët, që do pastronin Shqipërinë.
Në fakt, ajo do të ishte vjedhja më e madhe e shekullit. Atë që ky hajdut e quante krenaria e tij, do të ishte fatkeqësia e shqiptarëve.
Sot 130 milionë euro janë zhdukur, gjurmë inceneratori në Tiranë nuk ka, dy të tjerë nuk funksionojnë.
Arben Ahmetaj e akuzoi dhe tha se nëse qytetarët do të dinë bëmat e Edi Ramës për djegësat e të tjera, do llahtarisen.
Nuk jemi njësoj, absolutisht kurrën e kurrës. Edi Rama është kryeministri më hajdut që ka pasur ndonjëherë Shqipëria.
Nuk jemi njësoj! Edi Rama vraponte nga studio në studio me pincën e thyer për të mbuluar vjedhjen e tyre me Ilir Beqën dhe muratorin e tyre, ndërkohë që çmimi rritje për sterilizimet 83 herë. Mijëra shqiptarë në muaj nuk futeshin në salla operacioni, sepse spitalet nuk blinin dot kompletet e sterilizimit për ta.
Nuk jemi njëlloj, sepse Edi Rama, vetëm procesin e hapjes së negociatave e festoi dy herë gjatë këtyre viteve me shampanjë, me dekorata, me fishekzjarre. Por në të vërtetë, edhe dhjetorin që kaloi, negociatat nuk u hapën, por përkundrazi Shqipëria mori 5 kushte.
20 shkurti është dita e Europës, është dita e qytetarëve shqiptarë për të çelur dyert e integrimit në Europë.
Është dita për të goditur mashtrimet e Edi Ramës, vjedhjet e tij”, tha Berisha.
Në vijim të fjalës së tij, referuar edhe vizitës së Antony Blinken, Sekretari amerikan i Shtetit, në Tiranë, Berisha u shpreh se ne kishim mik presidentin e SHBA, Edi Rama krenohet me McGonigalin
“Edi Rama krenohej me McGonigalin, shpallte mik McGonigalin.
Nuk jemi njëlloj sepse ne me reforma të thella anëtarësonim Shqipërinë në NATO, Edi Rama organizonte protesta me portretin e Enver Hoxhës kundër anëtarësimit në NATO.
Nuk jemi njëlloj kurrën e kurrës, pasi PD u shndërrua në lokomotivë të vërtetë të proceseve integruese. Pro-europeizmi, pro-amerikanizmi i PD buron nga vokacioni perëndimor i kombit shqiptar.
Për Edi Ramën, Rilindjen e tij këto janë thjesht gjethe fiku për të mbuluar vjedhjet e tij, për të mbuluar lidhjet e tij me krimin, për të mbuluar mjerimin e shqiptarëve, dëbimin e tyre nga Shqipëria.
Nuk jemi njëlloj se ne kurrë nuk menduam ndonjëherë dhe nuk pranuam që të kthenim monizmin në Shqipëri. Nuk pranuam ndonjëherë të lobonim për kontrollin e opozitës apo shkatërrimin e saj.
Përkundrazi, bëmë gjithçka të konsolidojmë vlerat e demokracisë. Ndërsa Edi Rama, duke kthyer votën në krim dhe krimin në votë, duke angazhuar paratë e krimit kundër opozitës, mohuar të drejtat kushtetuese në parlament të opozitës, arrestuar liderin e PD, bënë gjithçka për një Shqipëri pa opozitë.
20 shkurti është dita në të cilën tirani mori ndëshkimin, 20 shkurti është dita në të cilën Edi Rama duhet të marrë mësimin më të madh.
Europa pret me padurim fjalën tuaj, fjalën e qytetrarëve shqiptarë.
Edi Rama dhe fara e tij e keqe e Rilndjes, duke vjedhur, largoi shqiptarët nga Shqipëria më shumë se gjithçka tjetër, kurse ne, dyfishuam rrogat, dyfishuam pensionet, bëmë gjithçka për të bërë Shqipërinë një vend të jetueshëm. Dhe e vërteta është se u larguam nga pushteti në një kohë kur Shqipëria rritej nga viti në vit në popullatë.
Edi Rama, i lidhur me krimin, drogën, liroi vrasësit serialë nga burgu. I mblodhi ata ku janë e nuk janë, i shndërroi në investitorë strategjikë. Dhe tani do t’i vërsulë si bisha kundër zonave të mbrojtura, pasurive përrallore të shqiptarëve. Nuk jemi njëlloj sepse ne besojmë të liria, te dinjiteti njerëzor. Besojmë te vota. Te fjala e lirë. Në Rilindje, vota nuk ekziston më. Aty ka vetëm një votë, ka vetëm një zë, ka vetëm një njeri dhe ky është padrinoja Edi Rama”, tha ai.
Dhe duke evidentuar ndryshimin mes Ramës e Rilindjes në njërën anë dhe Berishës e demokratëve në tjetrën, ish-Kryeministri tha se edhe pas 52 vitesh punë, Sali Berisha, ka një apartament 30 metër katror më të madh se ai që kishte 40 vite më parë
“Nuk jemi njëlloj sepse ne besojmë se Shqipëria është një vend me pasuri përrallore, të cilën duhet ta gëzojnë qytetarët shqiptarë. Kurse Edi Rama kërkon që këto pasuri t’i gëzojë me familjarët, ministrat, banditët e tij.
Sali Berishën, me lobimin e tij korruptiv, dy vendet më të fuqishme e kanë shpallur non-grata, por nuk kanë treguar gjer sot një dokument të vetëm të faktojë korrupsionin e tij.
Me turpin e drejtësisë së tij, pasi dështoi të paraqesë qoftë edhe një fakt, ka paraqitur si dokument 410 metër katror tokë, trashëgimi e familjes të marrë nga Abi Malltezi, njëri prej 300 pronarëve të asaj zone, apo njëri nga 510 mijë pronarë që morën në 6 vite, 1 miliard e e 577 milionë metër katrorë tokë të tyre.
Nuk jemi njëlloj miqtë e mi, përkundrazi, sepse Sali Berisha pas 52 vitesh punë, flet sot para jush, para çdo shqiptari, me një apartament 30 metër katror më të madh se atë që kishte 40 vite më parë.
Kurse vjedhësi, hajduti Edi Rama zhgërryhet në sarajet e Surrelit, 720 metër linear themele, me një park oborr prej 5 mijë metër katror, në një kohë kur kishte deklaruar gjithsej 3800 euro dhe 400 mijë lekë kursime. Të gjitha të tjerat vetëm vjedhje, vjedhje, vjedhje!
Nuk jemi njëlloj sepse e tërë pasuria e tij dhe e bashkëshortes është siç thashë, ai apartament. Kurse zonja Rama solli në pajë pallatin 5-katësh të ndërtuar në kundërshtim me ligjet në sheshin e pallateve, pa asnjë faturë bankare, tatimore, ndërtimore, e tëra mbi krimin.
Nuk jemi njëlloj se pas hetimesh në Shqipëri dhe mbarë botën, nuk gjetën dot një qindarkë, të cilën fëmijët e Sali Berishës, familjarët e tij ta kenë fituar tendera apo prokurime apo pasuri publike. Jo dhe jo. Dhe kurrë nuk do gjejnë.
Ndërkohë që kur të gjithë regjistrat e shtetit tregojnë se familjarët e Edi Ramës, se vajza e tij, se bashkëshortja e tij, se baxhanaku i tij, kanë fituar dhjetëra e dhjetëra milionë euro duke shfrytëzuar pushtetin, duke shkelur ligjet, duke shkelur Kushtetutën.
Nuk jemi njëlloj, ndaj dhe jemi krenarë sepse ne, në 8 vite, ndërtuam Rrugën e Kombit, bashkuam Elbasanin me Tiranën, u ndërtua Kaskada e Devollit, u ndërtua TAP-i, vepra monumentale që i përkasin një shekulli.
Çfarë ka ndërtuar, çfarë ka bërë me 11 miliardë euro? Të gjitha i ka vjedhur, i ka shpërndarë me hajdutët e tij”, tha Berisha.
Discussion about this post