Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh se 12 parti opozitare janë bashkuar në një front të përbashkët opozitar.
I ftuar në emisionin ‘Opinion’, pas protestës së organizuar ditën e sotme nga opozita që u mbajt para Kryeministrisë, Bardhi u shpreh se Federata Opozitare është e hapur për çdo parti. Deputeti gjithashtu ka thënë se ndihet përgjegjës për përçarjen e opozitës dhe situatën e krijuar për tre vite.
Blendi Fevziu: Mbështetja ishte tek 22%. Gjithsesi këto janë shifra të sondazheve që nuk janë akoma publike. Tregon që kishte një boshllëk të madh mes mbështetjes qytetarëve dhe pakënaqësisë së tyre me qeverinë. Rastin e parë që treguat një lloj afrimi, menjëherë qytetarët rikthehen. A ndiheni ju përgjegjës që prej tre vjetësh keni çuar këtë situatë që mjaftoi një sjellje normale që opozitarët të afrohen përsëri?
Gazmend Bardhi: Absolutisht po, e kam thënë sot në fjalën time dhe në çdo takim gjatë kësaj jave dhe ka qenë një nga motivet që më ka detyruar të marr ato vendime politike që kam marrë.I kam kërkuar ndjesë. Gjithë duhet të kërkojmë ndjesë demokratëve dhe shqiptarëve. Ju siguroj që në protestë ka pasur edhe socialistë të zhgënjyer që ishin bashkuar protestës së opozitës dhe shkaku i gjithë tulatjes së popullit ka qenë përçarja e Partisë Demokratike, prandaj kam bërtitur më fort se kushdo tjetër që ka nevojë për bashkim. Fatmirësisht të hënën e javës së kaluar ne gjetëm zgjidhje për të bashkuar Partinë Demokratike që u pasua me bashkimin e frontit opozitar ku 12 parti në opozitë janë bashkuar në një front të përbashkët opozitar.
Blendi Fevziu: Kush mbetet jashtë? Është pjesa që mbështet Bashën…
Gazmend Bardhi: Ka disa parti opozitare dhe nëse s’gaboj ‘Lëvizja për Zhvillim Kombëtar’. PDIU ka kërkuar më shumë kohë për të parë se si do të organizohet. Federata është e hapur për çdo parti. Unë gjej rastin të ftoj cilindo që do të bashkohemi në diversiteti. Askush nuk detyron askënd të mendojë për çdo çështje njëlloj, por ka një objektiv madhorë që na bën të gjithëve bashkë që është kundërshtari ynë politik.
Blendi Fevziu: Kjo protestë ishte dukshëm më e mirë se protestat para Parlamentit…
Gazmend Bardhi: Kjo është një nga protestat më të mëdha që unë kam marë pjesë sa unë jam në PD.
Ndër të tjera fjalën e Fevziut që nuk duhet të injorohet asnjë faktor opozitar dhe se opozita duhet të shkojë përtej kësaj për të fituar zgjedhjet, Bardhi e mbështet plotësisht duke theksuar se gjatë këtij viti opozita do të ftojë faktorë të tjerë në shoqëri që t’i bashkohen.
Blendi Fevziu: Ju nuk duhet të injoroni asnjë faktor opozitar, por duhet të shkoni përtej këtyre sepse edhe vetëm me faktorin opozitar nuk ju mjaftuan shifrat në 2021.
Gazmend Bardhi: Bije dakord 100% që në dy vite ne kemi qenë të mbërthyer në një debat të brendshëm në opozitë. Kjo është një nga shtyllat që sigurisht një opozitë normale organizon. Ne kemi një vit të tërë përpara ku na pret një punë e madhe. Ne do të duhet të hapemi ndaj shoqërisë, të ftojmë faktorë në shoqëri që të na bashkohen. Të ndërtojmë alternativën dhe t’ja shpalosim qytetarëve. Unë mendoj që kemi kohë. Mund të kishte ndodhur një vit më parë. Nëse secili prej nesh në këtë një vit trokasim derë më derë për të organizuar opozitën dhe qytetarët që e duan ndryshimin unë kam bindjen e plotë që me një alternativë të besueshme dhe me një ekip të besueshëm PD dhe opozita e bashkuar është fituese në zgjedhjet e 2025.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme opozita ka mbajtur një protestë para Kryeministrisë e cila zgjati disa orë. Gjatë protestës mbajtën fjalën e tyre aktorë të rëndësishëm të opozitës gjithashtu edhe ish-Kryeministri Sali Berisha i cili foli nga shtëpia e tij.
Discussion about this post