Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka deklaruar të hënën në Samitin e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor në Londër, Kosova është përballur me kërcënime nga Serbia.
Megjithatë kryediplomatja kosovare ka thënë se Kosova nuk është e vetmja që po kërcënohet por që ka një përshkallëzim të retorikës nga Serbia, edhe ndaj disa vendeve tjera të rajonit.
“Nacionalistët serbë po e kërcënojnë Kosovën me luftë, po provokojnë ndarje në Bosnje dhe Hercegovinë, siç bënë edhe në vitin 1991, si dhe po përpiqen të destabilizojnë së brendshmi edhe vendet e tjera. Këto nuk janë incidente të veçuara; ato janë pjesë e një fushate sistematike për destabilizimin e rajonit, e ndërmarrë nga Rusia dhe përfaqësuesja e saj Serbia. Vetëm para disa javësh u detyruam të largonim nga vendi ynë dy diplomatë rusë për shkak se përbënin kërcënim ndaj sigurisë sonë kombëtare”, tha Gërvalla.
Gërvalla tha se Serbia para pak javësh ka dërguar automjete të blinduara, trupa dhe aeroplanë luftarakë në kufirin me Kosovën.
“Fqinji ynë verior, Serbia, e ka kërcënuar vendin tonë me luftë para pak javësh, duke dërguar automjete të blinduara, trupa dhe bile edhe aeroplanë luftarakë në kufirin tonë, ndërsa ambasadori rus në Serbi iu bashkëngjit trupave dhe e mirëpriti këtë akt agresioni”, u shpreh ajo.
Po ashtu, Gërvalla tha se Qeveria e Serbisë e ka miratuar edhe zyrtarisht një strategji e cila përdor një version të riformuluar të ideologjisë së “Serbisë së Madhe”.
“Në këtë drejtim, Qeveria e Serbisë e ka miratuar edhe zyrtarisht një strategji e cila përdor një version të riformuluar të ideologjisë së “Serbisë së Madhe” e cila çoi në katastrofë në Ballkan në vitet e 1990-ta. Në vitin 2021 një zyrtar qeveritar thërret për “Botën Serbe” dhe sërish nacionalizmi serb thotë që të gjithë serbët e rajonit duhet të jetojnë nën sundimin serb, siç tha Vulin në verën e këtij viti në prani të Vuçiq”, tha ndër të tjera ministrja e Jashtme e Kosovës.
Tutje, Gërvalla tha se Kosova nuk është e vetmja që kërcënohet.
Gërvalla e ka quajtur gënjeshtër të pastër edhe qëndrimin e ministrit serb Vulin, rreth masakrës së Reçakut.
“Kemi të bëjmë me një përshkallëzim sistematik të retorikës, ku si shembuj të freskët mund të përmendim lëvdimin zyrtar që iu bë kriminelëve të luftës si Ratko Mladiq nga një aleat i afërt i Presidentit Vuçiq, Ministri Vulin, dhe gënjeshtrën e tij e pastër vetëm pak ditë më parë në lidhje me njërën prej masakrave më mizore në Kosovë, masakrën e Reçakut, e cila kishte nxitur një ndryshim të shpejtë në qëndrimin e Perëndimit karshi Kosovës. E gjithë kjo nuk po ndodh rastësisht. Udhëheqësia aktuale serbe po e rrit në mënyrë sistematike propagandën dhe gjuhën e urrejtjes në kuadër të programit të qeverisë për ta sulmuar Perëndimin dhe NATO-n për ndërhyrjen humanitare dhe për ta barrikaduar Serbinë prapa një qasjeje agresive, përsëri, kundër fqinjëve të saj”, theksoi Gërvalla.
Gërvalla tha po ashtu se “kjo fazë që është shumë më e rrezikshme nga sa janë të vetëdijshëm ose të gatshëm ta shohin disa, të paktën në BE”.
“Por nevojitet veprim i shpejtë e i menjëhershëm, si dhe komunikim i qartë me ata që po e kërcënojnë paqen jo vetëm në Ukrainë, por edhe në rajonin tonë. Po deshëm ta shpëtojmë paqen duhet të veprojmë me mençuri dhe shpejt. Mbretëria e Bashkuara padyshim që do të jetë në anën tonë në këtë betejë për stabilitetit dhe paqe. Dhe për këtë jemi vërtet mirënjohës. Nëse jemi të suksesshëm, do të vazhdojmë me atë që duhet të jetë preokupimi ynë kryesor: bashkëpunimi për të mirën e vendeve tona dhe të qytetarëve tanë”, tha ajo.
Ndërkaq, Gërvalla nuk la pa përmendur edhe ndërrimin e Qeverisë në Kosovë dhe disa nga të arriturat e Qeverisë Kurti që nga marrja e mandatit.
“Vendi im, Kosova, ka bërë një kthesë të madhe pas zgjedhjeve në fillim të këtij viti, duke u bërë udhëheqëse e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Ballkan. Që kur mori detyrën qeveria e re, Policia e Kosovës ka iniciuar gjithsej 1,401 raste që ndërlidhen me krime serioze, duke përfshirë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ne jemi tejet të përkushtuar ndaj vlerave evropiane dhe jemi duke e riorganizuar vendin tonë sipas mënyrës evropiane. Këtë vit kemi parë një rritje rekorde prej 10%, si dhe rritje të deklarimeve tatimore e të të hyrave doganore. Si qeveri kemi një shkallë të jashtëzakonshme miratimi. Kur përmendim këto zhvillime optimiste, nuk mund të mbyllim sytë ndaj realitetit në lëmenj të tjerë”, theksoi ajo. /Telegrafi/
Discussion about this post