Ish-Kryeministri Sali Berisha deklaroi pasditen e sotme se të rinjtë dhe të rejat janë në ballë të betejës për Qeverinë teknike, për largimin e narkoshtetit dhe që të votojnë të lirë për veten dhe të ardhmen e tyre.
Në fjalimin që mban çdo pasdite në protestën që mbështetës të tij zhvillojnë në atë që njihet si “Rruga e Shpresës”, Berisha duke shprehur entuziazëm për çfarë ndodh çdo ditë me protestat e qytetarëve, tha se ditë të bardha na presin së shpejti.
“Ditë të bardha na presin miqtë e mi, sepse uragani i 20 shkurtit 2024, ndonëse eklipsoi atë të 1991, por përsëri që të dy ishin siamezë të ngjashëm në shpirtin e tyre antidiktatorial.
Ishin siamezë të ngjashëm në fytyrën, energjinë, patosin rinor të tyre.
Me 20 shkurt Tirana pa të reja dhe të rinj sa nuk kishte parë në 30 vite ndonjëherë më parë.
Kjo dëshmon se rinia po merr në dorë fatin e saj, fatin e Shqipërisë.
Të rejat dhe të rinjtë shqiptarë nuk kanë kaluar qoftë dhe një ditë të vetme në diktaturë, por miqtë e mi, kjo nuk do të thotë se ata nuk e njohin se ata janë të pandjeshëm ndaj diktaturës.
Jo dhe jo.
Ata janë bijat dhe bijtë e lirisë, të pluralizmit, të diversitetit.
Për ata monizmi, njënashmëria është neveri.
Për ata, Shqipëria pa opozitë është natë e zezë dimri pa hënë, e pa pranueshme.
Për të rinjtë dhe të rejat tona, vota e lirë është kushti i të gjitha kushteve, për lirinë dhe dinjitetin e tyre.
Me mençurinë, me njohuritë, me ndjesitë, ata e kanë më të qartë se kushdo tjetër se Edi Rama është armiku më i egër i votës së tyre të lirë dhe se me Edi Ramën, zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk ka.
Ndaj dhe ata janë dhe do të jenë në ballë të betejës për qeverinë teknike, për largimin e narkoshtetit dhe që ata dhe shqiptarët të votojnë të lirë për vete dhe të ardhmen e tyre”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri deklaroi se mes të gjitha shtresave, të rinjtë dhe të rejat tanë janë më pro europianët, janë ata të cilët projektojnë më shumë se të gjithë të tjerët, Shqipërinë në Europë dhe ëndërrën e tyre evropiane si ëndrrën më të bukur për Shqipërinë.
“Ata nuk mund të pajtohen kurrë me muret që ngre Edi Rama, me vjedhjen e baballarëve të tyre, me vjedhjen e pasurive kombëtare. Ata nuk mund të pajtohen kurrë që klanet e drogës dhe krimit të votojnë ligje në parlament, të marrin vendime në qeveri. Ata nuk mund të pranojnë kurrë që klanet e drogës dhe krimit të diktojnë si hanxhar votën e lirë të shqiptarëve.
Ndaj dhe me 20 shkurt ata mbushën sheshin dhe u garantoj ju se janë ata të cilët do ti japin përgjigjen fatale Edi Ramës dhe narkoshtetit.
Të rinjtë nuk e duan burokracinë, por ata e dinë se shteti ndërtohet me institucione, se rendi bazohet në kushtetutë dhe ligje të drejta dhe demokratike.
Ata nuk mund të pajtohen kurrë në shndërrimin e parlamentit në strofull të krimit të Edi Ramës dhe Lindës së tij, në një institucion që u mohohen të drejtat e përfaqësuesve të 600 mijë shqiptarëve.
Ata nuk mund të pranojnë kurrë që parlamenti të mos lejojë përfaqësuesit e 600 mijë qytetarëve të ushtrojnë kontrollin mbi qeverinë, të ushtrojnë kontrollin mbi vjedhjet e Edi Ramës.
Së shpejti vjen dita e tyre, dita e fitores”, tha ai.
Discussion about this post