Me një shumicë dërrmuese, Parlamenti Evropian miratoi të martën një direktivë që i udhëzon vendet anëtare të ngarkojnë sistemet e tyre të drejtësisë me detyrën për të vlerësuar paraprakisht paditë ndaj gazetarëve dhe aktivistëve nëse janë apo jo të bazuara si dhe për t’i ngarkuar kosto shtesë paditësve abuzivë.
Parlamenti Evropian miratoi të martën një direktivë kundër frikësimeve gjyqësore ndaj gazetarëve, akademikëve dhe aktivistëve, të njohur si SLAPP (sipas akronimit në anglisht Padi Gjyqësore Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike), një hap që u përshëndet si me vlerë historike nga organizatat e ndryshme të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Direktiva, e cila u miratua me 546 vota pro, 47 kundër dhe 31 abstenime, synon të godasë një praktikë tashmë të njohur të korporatave dhe të politikanëve, të cilët përdorin burimet e veta njerëzore dhe financiare për të zvarritur në procese të gjata dhe të kushtueshme gjyqësore media apo aktivistë, me synim të frikësimit të tyre, duke e ditur se pretendimet janë të pabazuara.
Sipas një njoftimi të Parlamentit Evropian, ligji i ri synon “të sigurojë individët dhe organizatat që punojnë në çështje të interesit publik, të tilla si të drejtat themelore, aludimet për korrupsion, mbrojtjen e demokracisë apo luftën kundër diskriminimit, të kenë mbrojtjen nga BE përkundrejt padive civile të pabazuara ose abuzive.”
Organizatat e të drejtave të njeriut e kanë cilësuar këtë legjislacion si Amendamenti Daphne, në përkujtim të gazetares malteze Daphne Caruana Galizia, e cila u përball me një numër të lartë padish të tilla për shkak të punës së saj si gazetare investigative, para se të vritej në një atentat me bombë në vitin 2017.
Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe të Medias, ECPMF, e konsideroi votimin si “historik”.
“Kjo shënon një çast historik për sigurinë e gazetarëve dhe për lirinë e medias në Evropë,” deklaroi organizata në një njoftim për shtyp.
SLAPP u identifikuan fillimisht nga kërkuesit shkencorë në vitet 1980 në SHBA. Logjika pas këtij fenomeni është që aktivistët apo gazetarët në të shumtën e herëve kanë kohë dhe mjete financiare të kufizuara dhe për rrjedhojë, ato mund të detyrohen të vetëcensurohen në rast se një politikan, një biznesmen apo një korporatë që nuk kanë probleme me mungesën e burimeve, i zvarrisin ata në gjykatë për vite dhe vite me radhë, pavarësisht se në fund gjykatat mund ta rrëzojnë padinë si të pabazuar në ligj e në prova.
Përdoruesit e SLAPP rrjedhimisht përdorin fuqinë e vet financiare për të frikësuar kritikët nën kërcënimin e telasheve gjyqësore dhe pasigurisë gjyqësore. Në rastin më tipik në Shqipëri, kompania Gener 2 hodhi në gjyq për shpifje dhe kërkoi dëmshpërblim 20 milionë lekë nga aktivistët që kundërshtonin ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin e Valbonës. Gjykata e rrëzoi padinë si të pabazuar në ligj e në prova. Sipas legjislacionit të ri evropian, përveç rrëzimit të padisë, në një rast të tillë, paditësi do të duhet të gjobitet për abuzim me të drejtën për të ngritur padi në mënyrë që në të ardhmen, kompanitë të jenë të vetëdijshme se padi të tilla abuzive nuk kushtojnë vetëm sa kostoja e avokatit. /Reporter.al/
Discussion about this post