Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali reagoi pas deklaratës së Lulzim Bashës, i cili tha se “Kryeministri dëshiron të krijojë një komision të posaçëm për të mbikëqyrur SPAK-un”.
Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali thekson se “Lulëzim Basha vazhdon i bie fyellit përgjumësh, fiks aty ku i binte kur ata që e dinin zgjuar i shkonin pas nga humbja në humbje dhe bërtisnin fitore”.
“Lulëzim, hajde voto amnistinë të nxjerrësh nga burgu ata që i fute vetë duke i nxitur të bllokojnë rrugët se do rrëzohej Rama, se SPAK-u s’ka nevojë ta mbrojë kush as nga Edi Rama, as nga Partia Socialiste, pa të cilët SPAK-u as do kishte lindur”, thekson ajo.
Ministrja nënvizon se “sa të jetë Edi Rama dhe PS në qeveri, qeveria s’ka asnjë punë me SPAK-un dhe SPAK-u i ka duart e lira të bëjë punën e tij pa pyetur se kush qeveris e kush flet me vete në ballkon apo nëpër gjumë”.
Më herët, Basha, u shpreh se “SPAK po anatemohet nga të gjitha anët, por në asnjë anë më shumë sesa nga kryeministri i cili në fshehtësi bashkë me njerëzit e tij në parlament dëshiron të krijojë një komision të posatçëm për të mbikqyrur SPAK-un”.
“Dëshirë që i është shtuar në veçanti pas ngjarjeve të fundit, siç është intervista e ish-zëvendëskryeministrit tashmë në arrati dhe në kërkim ndërkombëtar dhe dënimi me burg të ish-drejtorit të Kundërzbulimit të FBI-së për New Yorkun, Charles Mcgonigal. Kësaj dëshire të çuditshme në fakt, i është shtuar së fundmi edhe shqetësimi i kryeministrit shqiptar për sjelljen e hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit në zyrat e shtetit.
Sigurisht per një njeri që ka rrahur gjoksin me të dyja grushtet se është autor i Reformës në Drejtësi, këto dy pohime janë shumë më problematike sesa të ulërijë në kupë të qiellit nga kupa e kokës kudër SPAK-ut apo BKH-s.
Janë domëthenëse sepse tregojnë qartë se Edi Rama ka frikë nga drejtësia, i trembet drejtësisë dhe tani ka nxjerr gërshërët për të prerë këmbët dhe duart e drejtësisë. PD është në mbështetje të institucioneve të drejtësisë, PD është në mbështetje pa kushte të SPAK-ut, sepse PD beson se ky është shansi i vetëm për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të sjell barazinë para ligjit për çdo shqiptarë kudo ku ndodhet”, tha Basha.
Discussion about this post