“Arrest me burg” ishte masa e sigurisë që vendosi sot Gjykata greke ndaj 44-vjeçarit nga Lazarati dhe me banim në Sarandë, Abas Rabi. Ky i fundit u arrestua në Athinë disa ditë më parë pas një operacioni ndërkombëtar të Interpolit në disa shtete, ku u arrestuan pjestarët e një prej klaneve kriminale të Malit të Zi, përgjegjëse për 4 vrasje në Athinë dhe Korfuz, pas përplasjeve me një tjetër klan kriminal, përsa i takon kontrollit mbi trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Para trupit, Abas Rabi deklaroi se kishte transportuar një automjet nga Athina në Korfuz, pa e ditur se çfarë kishe brenda dhe as qëllimin pse po e transportonte. Ndërsa sa i përket celularit që përdorte, u shpreh se nuk ishte i vetmi që e kishte përdorur. Ai u shpreh se atë i’a kishte dhënë një i bashkëakuzuari, aktualisht i burgosur jashtë shtetit, me qëllim që t’ia dorëzonte dikujt në Korfuz.
Rabi, një i shumëkërkuar për disa akuza në Shqipëri, doli nga përgjimet e “Sky ECC” por dhe nga dëshmitë e tij, se kishte ndihmuar 4 vrasës për të ekzekutuar në Korfuz në 23 korrik 2020 shtetasit Alan Kozar, 43 vjec nga Tivari i Malit të Zi dhe Damir Hadzic, 47 vjec nga Uzhice e Serbisë.
Në lidhje me ngjarjet në Greqi, ai akuzohet se pas vrasjes së Igor Dedovic dhe Stevan Stamatovic në Athinë, sipas bisedave në “Sky ECC”, armët dhe municionet e papërdorura i’u dorëzuan Abas Rabit, i cili i magazinoi për llogari të grupit kriminal me qëllim përdorimin e tyre në vrasjen e Alan Kozar. Rabi përdorte kodin “FN6820” në “SKY ECC” dhe komunikonte me maqedonasin Jakup Aljija. Ky i fundit kishte marrë urdhër nga kreu i klanit famëkeq “Kavac”, Radoje Zvicer për transportin e armëve nga Athina në Korfuz. Aljija ja ka transmetuar këtë urdhër Rabit, i cili i ka dërguar forografi të armëve Alijas. Armët e fotografuara e të shkëmbyera në “SKY ECC” rezultojnë të njëjta me armët në fotot e zbuluara në komunikimet e grupit kriminal serbo-malazez, ku ishte përfshirë edhe ‘Radoje Zvicer’.
Në 14 korrik 2020, Abas Rabi ka shkuar në Igumenicë dhe ka marrë një automjet tip “Volvo” ku ndodheshin armët dhe me atë ka udhëtuar më pas për në Korfuz. Kjo ndodhi pasi personat e paidentifikuar që kishin cuar armët në Igumenicë u trembën të udhëtonin me traget nga Igumenica në Korfuz.
Siç del nga bisedat, Abas Rabi nuk e njihte personin të cilit do t’i dorëzonte armët dhe për këtë më datë 14.07.2020 ka dërguar foto ku shihet edhe pika e dorëzimit të makinës me armët (jashtë kishës të Agios Konstantinos dhe Elenit në zonën Kanalia të Korfuzit), makinën e lartpërmendur “Volvo” si dhe rrobat që ai kishte veshur, për t’u perceptuar nga marrësi. Pas marrjes së armëve, Nebojsa Jankovic ka marrë përsipër mirëmbajtjen dhe pastrimin e tyre. Më datë 17.07.2020, Marko Stankovic i ka dërguar fotografi të dy automatikëve të tipit “Skorpion” dhe “Kallashnikov” Dragan Knezevic.
Vrasjen e Kozar dhe Hadzic e kryen Dusan Jovanovic, Filip Knezevic, Marko Stankovic dhe Milos Jevric. Pas vrasjes ata u larguan me skaf nga Korfuzi në Sivota. Me urdhër të Jakup Aljija, katër vrasësit u transferuan me automjet nga Sivota në Halkidiki nga Abas Rabi dhe një tjetër person i paidentifikuar.
Pas arrestimit të tij në kuadër të megaoperacionit, Rabi ka zbuluar me detaje për grupin hetimor veprimtarinë e tij. Në veçanti, ai deklaroi se me udhëzimet e Jakup Aljijas, ai ndërhyri për të gjetur një avokat për të përfaqësuar tre të arrestuarit (Petkovic, Brasnjovic, Lainovic) të arrestuar më parë në Glyfadha, pas një ngjarje në një lokal nate.
Gjithashtu, pas vrasjes së Stamatovic dhe Dedovic, (kryerja e së cilës ai nuk ishte në dijeni), me urdhër të njërit prej shtetasve Jakup Aljija dhe kosovarit Enis Thaqi, ai ka marrë një automjet të markës “Volvo”, në të cilin ka vërejtur praninë e celularëve, një sistem gjeolokimi dhe një maskë e tipit “full face”, e cila ishte parkuar në zonën e Elefsinës. Pas disa kohësh ai ka shkuar me këtë makinë në ishullin e Korfuzit, pasi më parë ka hipur në anije nga porti i Igumenicës, ku ia ka dorëzuar një personi të panjohur për të. Pas disa ditësh me një porosi të re nga Aljija dhe Thaqi, ai ka marrë një makinë nga një person i panjohur në Athinë dhe më pas ka shkuar në Sivota. Prej aty ai mori 3-4 persona të cilët i çoi në zonën e Halkidikisë.
Discussion about this post