Kreu demokrat, Sali Berisha, u shpreh pasditen e sotme se ky 7 mars e gjen arsimin shqiptar me flamur në gjysmë shtizë. Ndërsa shprehu mirënjohjen në ditën e mësuesve ndaj stafeve pedagogjike, Berisha tha se asnjë komb nuk ka gjë më serioze se sa arsimin, edukimin e bijve dhe bijave, fëmijëve të tij.
Ky është procesi më i rëndësishëm, më jetik për të ardhmen e tij, tha Berisha, duke shtuar se, është e dhimbshme, shumë- shumë e dhimbshme sepse në rast se themi të vërtetën dhe lëmë mënjanë festën, sot kjo ditë e gjen arsimin shqiptar me flamur në gjysëm shtizë.
“Sot kjo ditë në të cilën ne duhet të kremtonim, duhet të nderonim arritjet e një viti të arsimit tonë, të shkollave dhe universiteteve tona, për fatin tonë më të keq, ne renditemi sot, të detyruar degradimin, rrokullisjen e paimagjinueshme të arsimit tonë në këto vite.
Në këto vite sektori që pësoi agresionin më të rëndë, më barbar, që ndjeu pasojat e tmerrshme të sektit antishqiptar Rilindja, është arsimi.
E theksoj, sot është ditë e dhimbshme për arsimin tonë, pasi ky 7 Mars gjen këtë arsim me 720 shkolla më pak në të katër anët e vendit.
Sot ky 7 Mars, gjen sistemin tonë arsimor me dhjetëra e qindra shkolla të tjera dhe klasa që nuk do hapin dyert vitin që vjen.
Sot ky 7 Mars është një ditë e trishto për çdo shqiptar, për çdo mësuese dhe mësues, për mbarë kombin sepse numri i nxënësve për shkak të spastrimit etnik, bie në mënyrë katastrofale.
Por sot, mësuesi si misionari i madh i këtij procesi që mbart në vetvete ndriçimin dhe pasurimin e mendjeve të fëmijëve tanë, mbart në vetvete edukimin e tyre si njerëz të qytetëruar, mbart në vetvete frymëzimin e tyre, dashurinë dhe frymëzimin për veten, për kombin.
Të gjitha këto e gjejnë mësuesin në një degradim të pamerituar”, tha Berisha.
Duke iu referuar asaj që ka ndodhur në 10 vitet e qeverisjes së Edi Ramës me sistemin arsimor, Berisha deklaroi se nga mësuesit më të paguar të të gjithë Ballkanit dhe rajonit, falë një politike që synonte mësuesin në piedestal, ata sot kanë rrogat më të ulëta.
“Pagat e tyre sot janë 30-40 përqind më të ulëta se në Kosovë, ndërkohë, rrogat e larta të ofiqarëve të lartë dy dhe trefishohen.
Rrogat e mësuesve sot, krahasuar me inflacionin e 4 viteve të fundit, jo të 10 viteve, por vetëm të 4 viteve të fundit, janë 40 përqind më të ulëta.
Rilindja është vërtetuar një barbari e vërtetë për sistemin arsimor.
U bënë përpjekje të mëdha për modernizimin e këtij sistemi me shpenzime serioze, por vullnetin e hekurt. E shndërruam internetin nga mollë e ndaluar për fëmijët shqiptarë, në një mjet, në një univers në të cilin mund të lundronte falas çdo fëmijë i këtij vendi.
Mësimi jepej me dy-tre turne. Hoqëm turnet në shkolla dhe rindërtuam mbi 1300 objekte shkollore në mbarë vendin.
Pra, bëmë çdo gjë miqtë e mi që ta merrnim, ta trajnonim në mënyrën më serioze arsimin shqiptar, mësueset dhe mësuesit, të bindur se kjo është rruga e vetme për të përgatitur të ardhmen tonë.
Rezultatet nuk munguan, dihet tashmë se ne patëm ngjitje vertikale, u bëmë njëri nga vendet me ngjitjen më vertikale në testin e PISA-s për cilësinë e arsimit.
Sot është një ditë flamuri në gjysmë shtizë për arsimin shqiptar, sepse PISA e këtij viti, që përfshinte tetë vitet e sektit të Rilindjes në pushtet, shënoi për fatin tonë më të keq, rënien më të madhe në botë të cilësisë së arsimit.
A nuk është kjo një arsye për të ulur në gjysmë shtizë flamurin në arsimin tonë?”, tha Berisha.
Discussion about this post