Në fund të vitit që lamë pas, Universiteti i Mjekësisë ka zhvilluar tenderin me objekt “Digjitalizimi i Njësisë Laboratorike të Histologjisë”, që supozohej të kishte filluar deri më tani. Por, u zvarrit për disa muaj shpallja e fituesit për shkak se ky tender është denoncuar në Komisionin e Prokurimit Publik. Konkretisht firma “ATOM” sh.pk. e cila në këtë tender bashkëpunon me firmën “FEDOS” sh.p.k ka bërë dy denoncime për kontratën. Një ankesë është bërë më datë 26 janar të këtij viti dhe tjetra më datë 21 shkurt 2024, ku në të dyja rastet bashkimi i operatorëve pretendonin se Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, e ka hartuar këtë tender me kritere që eliminojnë konkurrencën.
Këtu Gjata ka bërë një kthesë në formë “U-je”.
Duket sikur fituesin e cakton KPP në këtë rast, sepse Gjata dhe administratori i Mjekësisë vendosën që tenderin t’ia falin pikërisht dyshes që bëri denoncimin “ATOM”sh.p.k – “FEDOS” sh.p.k.
Shohim se fituesi është shpallur më datë 27 shkurt 2024 dhe mban një ‘Flamur të Kuq’, sipas vlerësimit të Open Data Albania. Kjo shenjë e riskut të korrupsionit vendoset për shkak se kontrata i është falur dy kompanive pa u zhvilluar një garë sipas rregullores. Në këtë prokurim ishin paraqitur ofertat e tri firmave, por me dy prej tyre Gjata nuk është marrë më fare për shkak të denoncimeve të “ATOM”sh.p.k – “FEDOS” sh.p.k.. Kështu, të dy ofertat më të lira u skualifikuan pa arritur të konkurronin.
Kompanitë që mbrohen nga qeveria
Si ka mundësi që u kthyer tenderi përmbys? Epo pronarët e “ATOM”sh.p.k – “FEDOS” sh.p.k njihen për pjesëmarrje në afera të mëdha në sektorin e shëndetësisë.
Le t’ia nisim me kompaninë “Fedos” me pronarë Orion Strugën, djalin e Fatmir Strugës. Babë e bir kanë 2 kompani me emër të ngjashëm për të përfituar kështu sa më shumë tendera. Fakt është që kjo kompani ka përfituar kontrata sekrete gjatë kohës së pandemisë Covid 19 dhe nuk mund të futeshe në atë listë pa pasur lidhje me ministren apo kryeministrin.
Por nga ana tjetër, Agjencia e Prokurimeve e ka përjashtuar nga mundësitë për të garuar sërish për 24 muaj. Në vendimin e APP thuhet se kjo kompani ka paraqitur dokumentacion të rremë. Mashtrimi që ka bërë “Fedos”, duke përfituar paratë e taksapaguesve në kohën e pandemisë duket qartë që është fshehur dhe nga vetë qeveria. Madje edhe kompani të tjera që qeveria ka lidhur kontrata sekretet janë denoncuar për abuzime dhe shkelje.
Saga e skandalit për “Fedos” ka filluar që në vitin 2014 dhe ka kaluar në disa faza gjyqësore. Asaj kohe, APP kërkoi pezullimin për këto kompani pasi gjatë hetimeve të kryera kishte evidentuar shkelje dhe falsifikime të disa dokumenteve. Konkretisht, APP shprehej se kishte nisur një hetim administrativ për kompaninë “Fedos” shpk në pronësi aktuale të Orion Struga, që në vitin 2013, në vijim të verifikimit të dokumenteve për tenderin “Blerje dhe vënie në punë pajisje ekzaminimi për okulistikë”.
Pas hetimeve, në vitin 2014, APP arriti në konkluzionin se “Fedos” shpk kishte “keqinformuar autoritetin kontraktor me qëllim kualifikimin në procedurën e prokurimit”.
Në bazë të këtij konkluzioni, Agjencia e Prokurimit Publik vendosi përjashtimin e “Fedos” shpk për dy vjet nga pjesëmarrja në tendera publikë. Por, ky vendim nuk u vu në zbatim, pasi kompania “Fedos” e ankimoi atë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë. Në atë kohë, qeveria nuk bëri asnjë reagim edhe pse kishte lidhur shumë kontrata tenderuese me këto kompani.
Gjatë procesit gjyqësor kompania pranoi se kishte dorëzuar dokumente të pasakta për tenderët, por u justifikua se ky ishte një gabim i bërë nga një punonjës i papërgjegjshëm, ndaj të cilit kishte marrë masa menjëherë. Kështu, me urdhër nga lart, gjykata e shkallës së parë pranoi kërkesën e kompanisë “Fedos” dhe e rrëzoi vendimin për përjashtimin e saj nga tenderat. Por, APP si një institucion përgjegjës për verifikimin e tenderave vazhdonte të këmbëngulte se falsifikimi i dokumenteve ka qenë i qëllimshëm dhe jo një pakujdesi. Kështu, APP iu drejtua Gjykatës Administrative të Apelit. Por kjo e fundit, duke pasur një ndikim të fortë, në 2015 i dha sërish të drejtë kompanisë private.
Po në këtë vit APP, mbështetur edhe nga Avokatura e Shtetit dërguan një rekurs në Gjykatën e Lartë, ku analizonin me detaje se Fedos ka shkelur në mënyrë të hapur ligjin dhe ka mashtruar për të përfituar tendera. Sërish gjykata mbajti anën e “Fedos” dhe për t’i lënë asaj rrugën e lirë, pasi e mbajti këtë çështje disa vite pezull. Dhe vetëm në shkurt të vitit 2022, Gjykata e Lartë vendosi përfundimisht t’i jepte të drejtë Agjencisë së Prokurimit Publik.
Kështu, pak ditë më parë Agjencia e Prokurimeve vendosi përfundimisht përjashtimin e “Fedos” nga tendera publikë për 14 muaj, duke qenë se 10 muaj pezullim janë konsumuar që në vitin 2014.
Pra, edhe pse ka qenë në dijeni të gjithë kësaj loje në 2020 qeveria i fali kontratën sekrete “Fedos”.
Ndërkohë edhe firma tjetër ‘ATOM” sh.p.k në pronësi të Luan Bashës dhe Armand Agollit njihet për aferat në prokurime që përfiton nga bashkia Tiranë duke u favorizuar edhe kur ka ofertat më të shtrenjta. Po kështu, favorizime i janë bërë edhe nga AKSH-i dhe Bashkia Shkodër.
Ndërkohë, rektori Arben Gjata është mes personave për të cilët SPAK lëshoi masën ‘detyrim paraqitje’ për çështjen e koncensionit të sterilizimit. Gjata, në kohën kur u lidh koncesioni, në dhjetor të vitit 2015, ka pasur detyrën e anëtarit të komisionit të koncesionit të sterilizimit. Gjithsesi, kjo nuk po e pengon të vazhdojë të shpërdorojë fondet e buxhetit të shtetit për Mjekësinë, sa herë që ka mundësi të firmos tendera.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post