Mallrat dhe shërbimet e furnizuara për Bashkinë e Durrësit po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta si pasojë e tenderëve të manipuluar dhe fiktivë të firmosur nga kryetarja Emiriana Sako.
Janë shumtë dhe të shpeshtë tenderët që hap Sako si për blerje makinash, riparimin e tyre, sigurimin. Të gjitha prokurimet i realizon me shkelje, fondet limit i fryn, ndërsa cilësia e shërbimeve për qytetarët përkeqësohet. Tani Sako ka hapur dy tenderë të tjerë përmes të cilëve, vetëm makinat do të thithin 137 milionë lekë.
Bëhet fjalë për prokurimin me numër reference REF-95792-02-20-2024 dhe objekt ‘Blerje Pjese Këmbimi për Automjete’. Gara e hapur më 21 shkurt 2024 ka përfunduar më datë 13 mars 2024. Ndërsa më datë 21 mars është publikuar emri i fituesit. Mes dy ofertave të paraqitura, fituese u shpall oferta e firmës ARTEO 2018 SHPK. Në fakt, në të vërtetë nuk ishte një përzgjedhje mes dy kompanive, pasi firmën HB-GROUPCONSTRACTION shpk Sako e ka skualifikuar në fazën e parë.
Kjo kompani skualifikohet se nuk ka paraqitur xhiron ekonomike të realizuar në vitin 2023
Kërkesa është e pamundur të realizohet pasi edhe Tatimet kanë afat datën 31 mars për paraqitjen e pasqyrave financiare të vitit paraardhës. Oferta e kësaj kompanie ishte 11.117.200 lekë pa tvsh. Pra, ia vlente që, edhe nëse kishte ndonjë problem me plotësimin e dokumentacionit, t’i jepej kohë operatorit t’i kryente ashtu siç duhet. Duke qenë se tenderi nuk kishte ndonjë urgjencë, për të marrë oferta më të përshtatshme, procedura duhej anuluar dhe të thirrej një tender i ri.
Përfundimisht firma ARTEO 2018 SHPK mbeti pa asnjë konkurrent përballë dhe e përfitoi kontratën, ndërsa Sako dhe komisioni i saj i tenderit vepruan në shkelje të ligjit.
Kjo procedurë ka marrë “Flamurin e kuq”, shenjë e riskut të korrupsionit, sipas Open Data.
Propozimi i pranuar është 12.179.090 lekë, që është sa 97% e fondit limit. Duke i krahasuar me ofertën e skualifikuar, kompania fituese ofron 10 milionë lekë më shtrenjtë se sa konkurrentja e skualifikuar për furnizimin me këto pjesë ndërrimi. Por kryetarja Sako ka zgjedhur të mos pyesë për ligjin, por ka privilegjiuar kompaninë e Artan Topit.
Këto pjesë këmbimi janë për mjetet e Ndërmarrjes komunale Plazh Durrës. Kujtojmë se para një viti, më 14 nëntor 2022 është kryer prokurimi me objekt “Blerje mjete të ndryshme për nevoja të Ndërmarrjeve të Shërbimit Komunal Durrës dhe Plazh”, ku u shpenzuan 374 milionë lekë për blerje mjetesh. Në raportimin e saj, Gijotina.com tërhoqi vëmendjen, se jo vetëm që u zhvillua bë mungesë të konkurrencës, por mjetet e porositura ishin të përdorura.
Dhe ja ku jemi, para situatës që ndërmarrja e bashkisë Durrës blen pjesë ndërrimi në sasi të mëdha pasi mjetet e blera kanë qenë të amortizuara.
Gjithsesi, Sako vazhdon me planin e saj të keqadministrimit të buxhetit përmes prokurimeve korruptive. Më tej kryetarja, në të njëjtën ditë ka urdhëruar edhe sigurimin e automjeteve të ndërmarrjes komunale në një tender me një pjesëmarrës. Tregu ka disa kompani sigurimi, por vetëm Eurosig i Kadri Morinës e paska marrë vesh se bashkia Durrës kërkon të sigurojë mjetet. Tenderi “Blerje Siguracione Automjetesh” ku shpenzohen 13 milionë lekë mund të kishte një çmim më të ulët, nëse do të kishte edhe ndonjë pjesëmarrës tjetër. Popr Sako ia ka dhuruar tenderin Kadri Morinës së EUROSIG SHA, i cili ka propozuar vlerën 12.9 milionë lekë, pra sa 99% e fondit limit.
Kryebashkiakja Sako vazhdon të shpërdorojë fondet e bashkisë në shpërfillje të plotë të ligjit, por edhe në sfidë të hapur me prokurorinë, falë mbështetjes politike.
Kujtojmë se, kryetarja e bashkisë Durrës është kallëzuar në SPAK vitin e kaluar si pjesë skemë kriminale bashkë me Alqi Bllakon për mbetjet e qytetit të Durrësit që dërgoheshin në inceneratorin e Tiranës.
Sako u paraqit ne komisionin hetimor për inceneratorët dhe nuk arriti dot që t’i përgjigjej pyetjeve të komisionit. Refuzimi për t’iu përgjigjur pyetjeve është pjesë e padisë penale. Skema mafioze e menaxhimit të mbetjeve në qytetin e Durrësit ka nisur në datën 10.07.2018 me vendim numër 537 të Këshillit Bashkiak të Durrësit, i cili i drejtohej Komitetit të AKUM-së për shpalljen e gjendjes së emergjencës dhe gjetjen e zgjidhjes për sa i përket mbetjeve në qytetin e Durrësit.
Nga data 10.07.2018 ku ishte evidentuar dhe me pas mbyllja e Porto Romanos dhe nevojës për të depozituar mbetjet e qytetit të Durrësit në një qytet tjetër, deri në 10.06.2019, nuk është bërë asgjë. Një vit e gjysmë që Emiriano Sako me veprimet dhe mosveprimet e saj, e ka çuar Durrësin drejt një katastrofe mjedisore, një plan i mirëmenduar që i shërbente aferës së inceneratorëve.
Deri në përfundim të hetimeve të SPAK për inceneratorin, kryetarja Sako do të vazhdojë planin e përvetësimit të parave të bashkisë përmes tenderave fiktivë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post