Prej disa muajsh, mungesa e metadonit në rrethe ka bërë që qindra persona t’i rikthehen përdorimit të drogës. Vonesat e furnizimit krijon tregtinë ilegale nën dorë të medikamentit, ndërkohë që lehtësohet puna për shpërndarësit e heroinës.
Situata përsëritet çdo vit si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve nga zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë. A është në dijeni ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, për tenderin e metadonit që po zhvillon vartësja e saj Jeta Deda? Po prokurohen 336 milionë lekë dhe nuk ka mundësi që t’i ketë shpëtuar ministres ky okazion!
Paratë e metadonit po i jepen me një tender pa garë një kompanie që në të kaluarën nuk ka garantuar furnizimet që ka marrë përsipër sipas kontratave.
Siç konstatojmë nga dokumentet, tenderi i firmosur nga drejtorja e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Jeta Deda, po shkel ligjin mbi prokurimet.
Më datë 27 shkurt 2024, Deda ka njoftuar tenderin me objekt “Blerje bari metadone për institucionet e ofrimit të shërbimit shëndetësor”. Ky medikament përdoret më së shumti për t’u lehtësuar dhimbjen dhe për të ndihmuar rehabilitimin e personave që janë të varur nga lëndët narkotike (kryesisht nga heroina). Për këtë ilaç Deda ka firmosur 336 milionë lekë oër të furnizuar me 4600 shishe spitalet dhe klinikat për një periudhë 2-vjeçare.
Shohim që për këtë tender ka shfaqur interes vetëm firma INCOMED shpk në pronësi të Gentian Krekës. Në këtë situatë Deda duhej të kishte anuluar menjëherë tenderin.
Drejtoresha nuk ka zbatuar ligjin dhe kështu, pa garë fare, kontrata iu dhurua Krekës, i cili kishte paraqitur ofertën me vlerë 336 milionë lekë, pra sa 100% e fondit limit. Ç’kuptim ka tenderi nëse propozimi ka çmim kaq të lartë? Agjencia e Prokurimeve Publike e ka regjistruar në sistem më datë 26 mars 2024 kontratën, duke përforcuar veprimin abuziv të drejtoreshës.
Ndërkaq monitoruesi Open Data Albana i ka vendosur tenderit ‘Red Flag’ për riskun e korrupsionit që përmban kjo kontratë.
Ndërkohë firma fituese nuk ka besueshmëri se garanton furnizimin sipas kontratës. Akoma nuk është shuar skandali i ilaçeve për fëmijët që vuajnë nga tumori.
Në maj të vitit 2023 është bërë një denoncim në media që prej më shumë se dy vitesh fëmijët me sëmundje tumorale nuk gjejnë zgjidhje në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Në fakt problemi është i hershëm, madje i raportuar qysh në 2016, edhe nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, po ashtu nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe “Together for Life”.
Dokumentet publike të Agjencisë së Prokurimeve Publike (APP) konfirmojnë se prej tri vitesh nga QSUNT-ja nuk ofrohej barna mjekësore “L-Asparaginase” për fëmijët me këto sëmundje. Kjo mungesë në QSUNT, prej 33 muajsh, ka ardhur edhe pasi Ministria e Shëndetësisë nuk kishte bërë asnjë zgjidhje për të ofruar medikamentin.
Nga dokumentet del që deri në fillim të viti 2018 kontratën për furnizimin e spitalit me këtë medikament e kishte firma INCOMED shpk e cila kishte marrë edhe një fond prej 3.5 milionë lekësh. Deri në 2020 kontratat u nënshkrua me firmën “EDNA FARMA” dhe sërish në vitin 2021 fituese e tenderit u shpall firma e Gentian Krekës me fond limit 894 mijë lekë, por që nuk kishte lidhur kontratën sipas ligjit me spitalin.
E gjithë kjo mungesë vjen si pasojë e pazareve mes QSUT dhe kompanive private. Të ndodhur para denoncimeve publike, Spitali dhe ministria deklaruan se e kanë zëvendësuar këtë medikament me një tjetër. Referuar dëshmive të prindërve që kanë fëmijë me leucemi, shpenzimi mujor për këtë medikament u shkon në 2 milionë lekë.
Tani, viktima të korrupsionit nuk janë fëmijët, por personat e varur nga droga.
Në 4 mars 2024, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor deklaroi se “adreson lidhur me shqetësimet e fundit që kanë qarkulluar në media, lidhur me sasinë e disponueshme të barit metadon në qytetin e Durrësit dhe ndikimin e personave që përfitojnë nga ky trajtim mbajtës. Çdo aludim se krijohen situata të qëllimshme mungese bari metadon apo se metadoni po devijohet për qëllime të paligjshme është kategorikisht i rremë”.
Kë të besojmë, drejtoreshën apo pacientët që denoncojnë mungesën e metadonit? Dokumentet e tenderit kanë një “flamur të kuq” për shkeljet, prandaj e marrim me rezervë deklaratën e OSHKSH-së.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post