Paradoksi i mbretërimit të parasë cash në shërbimet e pagesave të sektorit publik nuk është një rast i izoluar. Pothuajse në të gjitha kompanitë apo institucionet publike që ofrojnë shërbime arkëtimit të pagesave, e vetmja mundësi është pagesa me para cash.
Në fakt, pagesa e pensioneve, në masën dërrmuese, vazhdon të bëhet në formë cash, nëpërmjet sporteleve të Postës Shqiptare.
Pensionistët e kanë mundësinë për të kërkuar që pagesa e pensionit t’u bëhet në një llogari bankare, duke paraqitur një kërkesë për këtë qëllim pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Megjithatë, nga përvoja, zhvendosja kërkon kohë dhe shpesh ka shkaktuar vonesa në pagesën e pensionit në llogarinë e re.
Pavarësisht se kjo është një masë realisht e madhe njerëzish (Shqipëria ka sot rreth 650.000 pensionistë dhe numri është në rritje – nuk kemi një shifër të saktë të atyre që kanë arritur të kenë një pagesë në llogari bankare të pensionit te tyre, por gjithsesi masa më e madhe e merr në sportelet e Postës Shqiptare dhe paguhet në cash).
Por nuk është vetëm Posta dhe pensionet, edhe në sportelet e Furnizuesit të Shërbimit Universal paguhet vetëm me cash. Në sportelet e Ndërmarrjeve të Ujësjellës-Kanalizimeve paguhet vetëm me cash.
Qeveria ka paralajmëruar se së shpejti, të gjitha pensionet do të paguhen në llogari bankare, por ende nuk ka shpallur një afat për këtë gjë dhe nuk e ka detajuar si do të ndodhë ky proces dhe për më tepër nuk dihet se çfarë ndikimi do të ketë kjo mbi Postën Shqiptare, e cila ka Institutin e Sigurimeve Shoqërore (ISSH) si klientin e saj më të madh, prej ku realizon një pjesë të madhe të të ardhurave nga shërbimet financiare.
Zhvendosja e pensioneve në banka pritet të pasojë miratimin e ligjit të ri për llogarinë e pagesave me shërbime bazike, që parashikon ofrimin e shërbimeve më të rëndësishme të pagesave falas për shtresa të veçanta të popullsisë, duke përfshirë pensionistët.
Ndërkohë që shumë shpesh, drejtues të qeverisë kanë tërhequr vëmendjen e sektorit bankar për prapambetje në rrugën e dixhitalizimit, fakti është se e vetmja rrugë për pagesa jo cash të detyrimeve ndaj sektorit publik është ajo që mundëson sektori bankar dhe financiar.
Fakti është se pagesat elektronike për faturat apo shërbimet e tjera të kompanive dhe institucioneve publike ofrohen në forma jo cash, vetëm nëpërmjet shërbimit të bankave apo institucioneve financiare jobanka.
e-Albania, ende pa pagesa online
Në verën e vitit 2022, portali i shërbimeve dixhitale publike, e-Albania, pësoi një sulm të rëndë kibernetik që shkaktoi jo vetëm vjedhjen e të dhënave personale të shtetasve shqiptarë, por edhe mungesë disajavore të ofrimit të shërbimeve publike nga kjo platformë.
Deri në momentin e sulmit, nëpërmjet e-Albania mund të kryheshin pagesa për shërbime të veçanta publike, të ofruara vetëm nga një bankë tregtare, nëpërmjet një POS virtual (shërbimit e-commerce). Por, pas sulmit kibernetik, edhe kjo mundësi e vetme u pezullua, madje vetë banka në fjalë u bë objekt i një sulmi serioz kibernetik.
Një nga hipotezat që u diskutua në shtyp, ishte se sulmi mund të ketë ardhur pikërisht për shkak të ndërveprimit me platformën e-Albania.
Që atëherë, kryerja e pagesave të shërbimeve publike nga platforma e-Albania është ende e pamundur dhe qytetarët apo subjektet që marrin shërbimet e platformës duhet t’i kryejnë pagesat për shërbimet në sportelet e institucioneve financiare, të bëjnë vetë dërgimin elektronik të provës së pagesës së kryer dhe më pas të presin konfirmimin e pagesës për entin publik përkatës, proces i cili bëhet me rakordim manual të llogarisë përkatëse me dokumentin e dërguar nga qytetari për shërbimin që pretendon të marrë.
Prej muajit mars, ndonëse njëra nga bankat tregtare në vend po reklamon mundësinë e kryerjes së pagesave në e-Albania nëpërmjet aplikacionit të saj të internet banking, për disa shërbime të veçanta, një informacion i tillë nuk jepet në portalin e-Albania, ndërsa në praktikë kryerja e pagesave nëpërmjet faqes rezulton e pamundur.
Nëse zgjedh një shërbim dhe klikon butonin “paguaj”, ai thjesht të drejton përsëri në faqen kryesore (home page) të portalit.
Pra aktualisht, alternativa e vetme ngelet kryerja e pagesës së shërbimit në sportelet e bankave apo institucioneve financiare dhe ngarkimi përsëri i dokumentit që vërteton pagesën në e-Albania dhe pritja e dërgimit të konfirmimit të pagesës në institucionin publik.
Kjo, në rastin më të mirë shkakton vonesa të gjata në marrjen e shërbimit, por nuk janë të rralla edhe rastet kur kërkohet ende më shumë komunikim mes qytetarit e platformës, duke zhvlerësuar totalisht avantazhet që ofron një proces i ofrimit të shërbimit të dixhitalizuar.
Në fund të vitit 2022, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit pati njoftuar se pagesat, duke nisur nga fillimi i këtij viti do të kryheshin sipas një shërbimi të ri, që shmangte ndërveprimin direkt mes sistemeve të bankave dhe portalit e-Albania, për shkak të problemeve të lidhura me sigurinë kibernetike.
Skema parashikonte që portali do të gjeneronte një mandat pagese, me anë të të cilit qytetari do të mund të kryente pagesën me shërbimin e-banking të bankës së tij. Me kryerjen e pagesës, konfirmimi do t’i dërgohej automatikisht e pa ndërhyrjen e qytetarit sistemit të e-Albania, për t’i hapur rrugë marrjes së shërbimit nga subjekti kërkues.
“Qytetarëve dhe bizneseve do t’u jepet mundësia që për çdo shërbim publik të kërkuar të mund të përzgjedhin vetë bankën e nivelit të dytë, tek e cila kanë një llogari dhe nga ku mund të kryejnë pagesat / detyrimet, nëpërmjet instrumenteve dixhitalë që ofron banka e përzgjedhur nga ai / ajo vetë.
Banka do të njihet direkt me këto të dhëna dhe pas kryerjes së pagesës, institucioni për të cilin qytetari apo biznesi ka kërkuar shërbim, do të marrë në kohë reale konfirmimin e kryerjes me sukses të pagesës, që të vijojë paralelisht me dhënien e shërbimit.
Ky proces bashkëpunimi ka nisur, i nxitur nga kërkesat e vazhdueshme të qytetarëve dhe bizneseve për të përfituar edhe me pagesat elektronike për shërbimet publike online”, – thuhej në njoftimin e AKSHI, në nëntor 2022.
Por, ky projekt deri tani nuk ka dhënë asnjë rezultat të prekshëm, të paktën deri tani. Episodet e përsëritura të sulmeve kibernetike, me sa duket kanë bërë që vëmendja të përqendrohet në garantimin e elementeve të sigurisë të sistemeve ekzistuese, pa bërë të mundur deri më tani integrime të sistemeve ndërinstitucionale.
Kjo do të mund të arrihet kur të gjithë këto institucione të kenë një nivel të njëjtë të sigurisë kibernetike, për të mos krijuar “vrima” prej ku do të mund të penetronin “hackers” nga një sistem i një institucioni në një tjetër.
Vitin e kaluar, Ministria e Financave dërgoi një ftesë për oferta te disa kompani të teknologjisë së informacionit, me qëllim ndërtimin e një sistemi për ngritjen dhe mirëmbajtjen e një platforme publike të pagesave elektronike.
Megjithatë, Ministria e Financave refuzoi të jepte informacion zyrtar për një procedurë të tillë dhe nuk është ende e qartë se cila do të jetë zgjidhja përfundimtare për kryerjen e pagesave online për shërbimet publike.
Dixhitalizimi… na i nxori të gjitha në shesh
Dixhitalizimi i shërbimeve publike ka qenë një temë e rëndësishme në retorikën e Kryeministrit dhe të drejtuesve të tjerë të qeverisë. Dixhitalizimi është prezantuar njëkohësisht si një mënyrë për lehtësimin e marrjes së shërbimeve nga publiku, por edhe për uljen e korrupsionit, duke shmangur një kontakt direkt mes kërkuesit të shërbimit dhe nëpunësit publik.
Është evidente dhe e pamohueshme se dixhitalizimi i shumë shërbimeve e ka lehtësuar marrjen e tyre nga publiku, duke kursyer kohë, por “dixhitalizimi” i shtetit ka shfaqur këto kohë edhe një anë tjetër të medaljes.
Procesi i dixhitalizimit nuk ka arritur të ecë paralel me një proces të standardit të sigurisë kibernetike që të ofrojë elemente të mjaftueshme të sigurisë së informacionit në databazat publike.
Sulmi i rëndë kibernetik mbi e-Albania në vitin 2022 dhe në vazhdim mbi sistemet e institucioneve të tjera publike e dëshmon këtë.
Në veçanti, shteti nuk ka marrë asnjë përgjegjësi për incidentet flagrante të rrjedhjes së të dhënave personale të shtetasve shqiptarë. Prej vitesh, shqiptarëve po u qarkullojnë në publik lista me numrin personal të identifikimit, numrin e telefonit, pagën mujore apo targën e makinës.
Dixhitalizimi i shërbimeve duhet të ecë paralelisht me ngritjen e standardeve të sigurisë kibernetike që mundësojnë ruajtjen e të dhënave sensitive dhe personale të subjekteve.
Rrjedhja e këtyre të dhënave na ekspozon ndaj dëmeve ekonomike, të sigurisë, reputacionit apo dinjitetit njerëzor dhe është një shkelje standardi e papranueshme sot, sidomos në Europë.
Një qeverisje dixhitale, ku askujt nuk i bën më përshtypje rrjedhja e të dhënave personale të ruajtura në bazat e të dhënave publike ka dështuar në këtë drejtim.
Dixhitalizim “i verbër” dhe “i shurdhër”
Vendimi për dixhitalizimin e plotë të ofrimit të shërbimeve pa qenë ende në gjendje për të ofruar një shërbim optimal dhe një kanal informacioni për publikun ka sjellë probleme të shumta, veçanërisht në çështjet e lidhura me dokumentet e pronësisë.
Mbyllja e të gjitha sporteleve fizike të shërbimit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës solli vonesa të gjata në marrjen e shërbimit dhe shpesh çoroditje të plotë për qytetarët.
Për sa kohë ekzistonte një zyrë apo sportel fizik, së paku duke qëndruar në radhë mund të përpiqeshe të merrje informacion se çfarë po ndodhte me aplikimin për marrjen e shërbimit.
Dixhitalizimi i plotë i shërbimit bëri që shpesh qytetarët të gjendeshin pa asnjë sqarim apo përgjigje për vonesat në marrjen e shërbimit.
Qeveria shqiptare vendosi mbylljen e të gjitha sporteleve fizike të Kadastrës shtetërore, që prej datës 3 korrik 2023 dhe ofrimin e të gjitha shërbimeve të kësaj agjencie ekskluzivisht online, nëpërmjet portalit e-Albania.
Por, ajo që ndodhi pas mbylljes së sporteleve fizike tregoi se në fakt, strukturat shtetërore nuk ishin aspak gati për të ofruar një shërbim optimal, apo qoftë edhe normal.
Për muajt që vijuan, dixhitalizimi i plotë i shërbimit të Kadastrës krijoi vonesa të mëdha në kohën e marrjes së këtyre shërbimeve, në mos bllokim të mirëfilltë të marrjes së tyre.
Kjo situatë, ndonëse ka një përmirësim gradual të saj në vijimësi që atëherë, përsëri është në një standard që po krijon pasoja jo të vogla për qytetarët dhe ekonominë.
Tregu i pasurive të paluajtshme në vitet e fundit është ndër kontribuuesit kryesorë të rritjes ekonomike.
Ngadalësimi i ndjeshëm i shërbimeve të Kadastrës pothuajse e paralizoi tregun dhe e bën të pamundur regjistrimin e shpejtë të kontratave të shitblerjes, por edhe të kontratave të tjera të lidhura me pasuritë e paluajtshme, përveçse marrjen e shërbimeve të tjera kadastrale për qytetarët.
Efektet e kësaj situate tashmë u shtrinë edhe në sektorë të lidhur të ekonomisë, siç është sektori bankar, duke qenë se në ditët aktuale, sipas vrojtimeve periodike të Bankës së Shqipërisë, afërsisht gjysma e pronave shiten me kredi bankare.
Verën e kaluar, Shoqata Shqiptare e Bankave u ankua me një letër drejtuar ASHK, për vonesat në marrjen shërbimit, aq sa moskryerja e veprimeve të bllokimit të pronave që lihen si kolateral u bë një faktor me ndikim të rëndësishëm në frenimin e kredisë për ekonominë në periudhën korrik-gusht 2023.
Në rastet kur kredia garantohet me kolateral në formën e pasurisë së paluajtshme, klienti është i detyruar të pranojë vendosjen e barrës hipotekore mbi pronën, në favor të institucionit financiar huadhënës.
Vendosja e hipotekës ligjore mbi pasuritë e paluajtshme është një veprim që duhet regjistruar në kartelën kadastrale të pronës, pranë drejtorive vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Në fakt, pjesa më e madhe e kredisë bankare është e garantuar me kolateral në formën e pasurive të paluajtshme.
Sipas sinjalizimeve nga agjentët e pasurive të paluajtshme, problemet dhe vonesat e lidhura me shërbimet e Kadastrës vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot, ndonëse në një masë më të reduktuar, por gjithsesi larg një kohe pritjeje normale.
Shkresat dhe burokracia pas fasadës së dixhitalizimit
Një shembull tjetër i dixhitalizimit “sakat” të shërbimeve publike vjen kur dëshiron të mbyllësh një biznes. Një profesionist i lirë aplikoi në Qendrën Kombëtare të Biznesit për të mbyllur biznesin si person fizik.
Por, mbyllja e biznesit kërkon marrjen e konfirmimit nga administrata tatimore se tatimpaguesi nuk ka detyrime për të shlyer. Për shkak të vonesave të procesit, personi zbuloi se komunikimi mes QKB dhe Drejtorisë Tatimore përkatëse nuk ishte aspak i dixhitalizuar.
Tatimet duhet të dërgonin shkresë në QKB, në mënyrë që mbyllja e biznesit të finalizohej. Jo vetëm që kjo hallkë e komunikimit nuk është e dixhitalizuar, nga Tatimet nuk erdhi asnjë konfirmim shkresor, derisa aplikuesi u detyrua të kërkonte një kontakt personalisht në Tatime, në mënyrë që të dërgohej vërtetimi se ai nuk kishte detyrime tatimore për të shlyer.
Në konkluzion, ai që duhet të ishte shërbim i dixhitalizuar u shndërrua në një shërbim që mund të mbyllej vetëm “me mik” ose “me njohje”, sipas traditës së administratës shqiptare.
Përvoja e shqiptarëve po tregon se për të dixhitalizuar shërbimet nuk mjafton dëshira dhe as tundimi për ta përdorur dixhitalizimin si arritje propagandistike.
Dixhitalizimi i plotë i shërbimeve, krahas “fasadës” së komunikimit dixhital të qytetarit me Institucionin që jep shërbimin, do të kërkonte dixhitalizim vertikal dhe horizontal në proceset e “back Office” dhe të ndërveprimit midis institucioneve shtetërore.
Përndryshe, dixhitalizimi ka më shumë të ngjarë ta përkeqësojë cilësinë dhe kohën e marrjes së shërbimit, siç ka treguar në disa raste veçanërisht shembulli i Kadastrës.
Sfida e “open banking”
Sektori bankar në vend është bërë disa herë objekt i kritikave nga qeveria për sa i takon dixhitalizimit. Në muajin shkurt të këtij viti, gjatë një takimi me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe drejtuesit e bankave tregtare, Kryeministri u kërkoi bankave “të dalin nga zona e tyre e komfortit”.
Në këtë rast, kryeministri iu referua në veçanti vonesave në përgatitjen për zbatimin e detyrimeve që lidhen me bankingun e hapur.
Sipas burimeve nga sektori, një pjesë e bankave janë gati për të filluar testimet, por ky proces Open banking (bankingu i hapur) është ndër projektet më të rëndësishme të viteve në sektorin e pagesave.
Koncepti qëndron në themel të ligjit të ri për shërbimet e pagesave, që u miratua që në vitin 2020 dhe hyri në fuqi në fillim të vitit 2021.
Open banking do t’i mundësojë çdo individi apo subjekti, që ka një llogari pagese, ta përdorë llogarinë për të kryer shërbime pagesash të ofruara nga institucione të tjera financiare.
Bankat do të jenë të detyruara të japin akses me miratimin e titullarit të llogarisë dhe vetëm për qëllime të transaksioneve të pagesave. Open banking do të mundësojë dy shërbime të reja, atë të inicimit të shërbimit të pagesës dhe të informimit mbi llogaritë.
Koncepti i open banking pritet të rrisë potencialisht konkurrencën në tregun e pagesave, duke krijuar më shumë hapësira konkurruese për institucionet e parasë elektronike.
Megjithëse ligji i ri ka hyrë në fuqi prej vitesh, parimi i open banking ende nuk ka filluar të zbatohet. Shërbimet e mbështetura në open banking duhet të ofroheshin që në 1 janar 2024, si pjesë e rregullores “Për autentifikimin e thelluar të klientit dhe standardet e përbashkëta, të hapura dhe të sigurta të komunikimit”.
Sipas rregullores, bankat duhet që minimalisht të fillojnë testimet e open banking në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024. Në rast se nuk do të jenë gati për të nisur testimet brenda këtij afati, ato mund të jenë objekt i masave administrative nga Banka e Shqipërisë.
Ligji për shërbimet e pagesave parashikon gjobë nga 50 mijë lekë deri në 250 mijë lekë, në rast se bankat u refuzojnë institucioneve të pagesave ose institucioneve të parasë elektronike, aksesin në llogaritë e klientëve të tyre që janë të mbajtura në bankën ku kërkohet aksesi.
Nga ana tjetër, kryerja e testimeve për dhënien e aksesit duhet bërë me një institucion financiar tjetër të licencuar pagesash.
Por, Banka e Shqipërisë ka sqaruar se për të filluar kryerjen e testimeve, institucionet financiare të licencuara duhet të njoftojnë zyrtarisht Bankën e Shqipërisë se duan të ofrojnë dy shërbimet e lidhura me të, atë të inicimit të shërbimit të pagesës dhe të informimit mbi llogaritë.
Në 1 janar 2024, shumica dërrmuese e institucioneve financiare të pagesave nuk e kishin kryer një procedurë të tillë. Rrjedhimisht, sipas burimeve nga bankat, ato nuk kanë pasur një palë me të cilën të kryhej testimi i open banking.
Megjithatë, sipas burimeve nga tregu, disa prej bankave janë gati për të nisur testime të open banking me institucione të parasë elektronike.
Veprimet me e-banking janë rritur me 120% krahasuar me vitin 2019
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, numri total i veprimeve bankare në distancë arriti në 7.67 milionë, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
Krahasuar me një vit më parë, shqiptarët e rritën numrin e veprimeve bankare në distancë me 22.1%, ose me 1.4 milionë veprime më shumë.
Që prej vitit 2019, numri i transaksioneve në distancë (home banking) është rritur me pothuajse 120%. Kufizimet e lidhura me pandeminë sollën vëmendje më të madhe drejt mundësive të pagesave në distancë që ofron sektori bankar në vend.
Tendenca e rritjes së veprimeve nëpërmjet kanaleve dixhitale ka vijuar e qëndrueshme në të gjithë periudhën pas pandemisë.
Veprimet bankare në distancë janë transaksionet bankare që kryhen nëpërmjet internetit dhe aplikacioneve në telefonat celularë. Rritja e përdorimit të shërbimeve të bankingut në distancë është ende më e lartë në vlerë monetare.
Për vitin 2023, volumi total i transaksioneve arriti në dy trilionë lekë, në rritje me 28.1% krahasuar me një vit më parë.
Shërbimi i internet banking ofrohet tashmë nga të gjitha bankat tregtare në Shqipëri dhe numri i përdoruesve të shërbimit po rritet me ritme të shpejtë.
Në fund të vitit 2023, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në pothuajse 1.1 milionë, në rritje vjetore me pothuajse 25%. Vlerësohet se tashmë, 34% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti, nga 28.2% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2022.
Më shumë se 90% e numrit të llogarive bankare të rezidentëve të lidhura me internetin u takojnë individëve. Megjithatë, rritja më e madhe e llogarive të lidhura me internet vitin e kaluar u shënua në segmentin e bizneseve, me 25% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Për çdo individ apo subjekt që zotëron një llogari bankare, pjesa dërrmuese e pagesave dhe transfertave mund të kryhet nëpërmjet internetit, pa qenë më nevoja për të shkuar fizikisht në bankë.
Përdorimi i pagesave nga kanalet elektronike është nxitur edhe nga Banka e Shqipërisë, nëpërmjet masave rregullatore. Që prej qershorit të vitit 2020, të gjitha transfertat ndërbankare deri në vlerën e 20 mijë lekëve, që kryhen nëpërmjet kanaleve elektronike, duhet të ofrohen nga bankat pa asnjë komision.
Ndërkohë, për shumat më të mëdha transfertat elektronike kanë komisione të paktën 50% më të lira krahasuar me ato që kryhen nga sportelet e bankave.
E njëjta politikë u ndoq edhe në rregulloren për transfertat kombëtare në euro, ku komisionet për transfertat elektronike duhet të jetë maksimalisht sa 50% e komisioneve të pagesave që kryhen në degët e bankave.
Numri i pagesave me kartë u rrit me 35%
Edhe pagesat me kartë bankare regjistruan përsëri rritje të fortë vitin e kaluar dhe prekën vlerat më të larta historike në numër dhe në vlerë transaksionesh.
Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2023, pagesat me kartë në terminalet POS (pikat elektronike të shitjes) arritën në pothuajse 14.5 milionë, me rritje prej 35% krahasuar me një vit më parë.
Në vlerë transaksionesh, pagesat me kartë vitin e kaluar arritën në 64.1 miliardë lekë, 26.6% më shumë krahasuar me vitin 2022.
Për vitin 2023, volumi i pagesave në terminale POS përbënte 14.5% të vlerës totale të veprimeve me karta, nga 13.9% që kishte qenë pesha e këtyre veprimeve një vit më parë.
Pagesat me kartë po nxiten sidomos nga rritja rekord e turizmit hyrës. Kërkesa nga turistët e huaj për të paguar me kartë po shtyn një numër më të madh biznesesh të pranojnë pagesa me këto instrumente.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në fund të vitit të kaluar arriti shifrën rekord prej në 19 184, në rritje me 18.2% krahasuar me një vit më parë.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2023, numri i kartave bankare aktive arriti në 1.43 milionë, në rritje me 4.6% krahasuar me një vit më parë.
Numri i kartave të debitit arriti në 1.24 milionë, në rritje vjetore me 5%. Ky produkt ngelet dominues dhe përbën pothuajse 87% të numrit të përgjithshëm të kartave bankare. Karta e debitit është një instrument bazë pagese, i lidhur me llogaritë rrjedhëse të bizneseve dhe individëve.
Viti 2023 ishte pozitiv edhe në segmentin e kartave të kreditit. Në fund të vitit të kaluar, sektori bankar raportonte pothuajse 120 mijë karta krediti aktive, me rritje vjetore prej 6.6%.
Megjithëse zhvillimi i këtij produkti në tregun shqiptar ngelet ende i dobët, numri i kartave të kreditit ka arritur shifrën më të lartë historike.
Si rritja dramatike e aksesit në llogari bankare nga interneti, ashtu edhe përdorimi i kartave bankare, janë në këto nivele vetëm në sajë të një investimi masiv të sistemit bankar në dixhitalizimin e shërbimeve të ofruara për klientelën dhe të krijimit të kanaleve dixhitale të komunikimit me klientin.
Këto investime janë sigurisht më seriozet të bëra në këtë fushë në ekonominë kombëtare dhe kjo është e vërtetë, edhe nëse marrim parasysh pjesën e investimeve publike në dixhitalizimin e shërbimeve.
Pra realisht, bankat janë në pararojë të dixhitalizimit dhe aspak “dinozaurët” e këtij procesi në vend.
Madje në disa fusha, bankat mirëpresin veprime apo legjislacion që do ta shtynte edhe më tepër publikun drejt kanaleve bankare edhe si mënyrë e formalizimit të ekonomisë.
Verën e kaluar, Komisioni Europian i rekomandoi Shqipërisë vendosjen e një shume tavan për pagesat me para fizike.
Në raportin e fundit të analizës së përputhshmërisë së Shqipërisë me kuadrin ligjor dhe rregullator komunitar, Komisioni Europian vlerësonte se vendi ynë është vetëm pjesërisht në përputhje me kuadrin e Bashkimit Europian për sa i përket hetimit të pastrimit të parave.
Pavarësisht progresit të fundit, legjislacioni i Shqipërisë është pjesërisht i përafruar me atë të BE-së në këtë fushë.
Një kërkesë e ngjashme për vendosjen e një tavani për pagesat cash është shprehur prej vitesh edhe nga Shoqata Shqiptare e Bankave.
Sipas Shoqatës së Bankave, ulja e parasë fizike në qarkullim dhe në transaksionet tregtare është një sfidë dhe kërkesë për një ekonomi më të organizuar, më të matshme, më të disiplinuar dhe më të qëndrueshme.
Sipas Shoqatës së Bankave, vendosja e një tavani për pagesat cash të individëve do të ndihmonte në uljen e evazionit fiskal dhe në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit financiar në përgjithësi.
Gjithashtu, Shoqata e Bankave i ka kërkuar qeverisë që bizneset në Shqipëri të detyrohen të pranojnë të paktën një metodë alternative pagese, përveç parasë fizike.
Discussion about this post