Disa ditë më parë, bashkia Durrës me drejtimin e Emiriana Sakos ka mbyllur tenderin “Gërmime Arkeologjike i Mozaikut dhe Rrënojave të Tjera Antike në Shkollën e Mesme Gjergj Kastrioti”, për të cilin janë akorduar 13,811,500 lekë.
Shpallja e firmës fituese të tenderit po i hapë rrugë nisjes së gërmimit arkeologjik për të kuptuar se çfarë fsheh tjetër nëntoka e kësaj zone. Kohëzgjatja e realizimit të gërmimit parashikohet të jetë 60 ditë pune. Gërmimi do të kryhet deri në thellësinë që kërkohet nga projekti 6.75 m.
Kujtojmë se gërmimet e nisura më datë 20/09/2023 për realizimin e projektit për rindërtimin e shkollës “Gjergj Kastrioti”, nxorën në dritë një zbulim shumë të rëndësishëm arkeologjik për Durrësin, një zonë të shtruar me mozaik dhe disa struktura muresh.
Në atë kohë u pezulluan menjëherë punimet, të cilat edhe sot e kësaj dite nuk kanë nisur ende.
Sako duke u kapur tek kjo pikë vendosi të hapë tender. Po pse bashkia i kryen tani punimet arkeologjike? Po Ministria e Kulturës, Instituti i Arkeologjisë, çfarë objekti kanë në veprimtarinë e tyre? Ka diçka që nuk shkon këtu!
Për më tepër, tenderi është vlerësuar me “Flamur të kuq” nga Open Data Albania. Kjo është shenja e riskut të korrupsionit në këtë procedurë prokurimi.
Kush e miratoi projektin?
Ky tender është mbyllur më datë 29 mars 2024 dhe këtu ka filluar abuzimi. Shohim që vetëm Luan Perzhita, i regjistruar si person fizik ka paraqitur ofertë me vlerë 133 milionë lekë. Kryetarja Sako ka nxituar në organizimin e këtij tenderi duke shpërfillur rregullat specifike që ka ky lloj punimi (gërmimi).
Çdo lloj veprimtarie arkeologjike përfshin konceptin e operacionit arkeologjik dhe liçensimin për kryerjen e tij (Liçensa e Gërmimit). Për realizimin e çdo ndërhyrjeje arkeologjike në zonat e mbrojtura arkeologjike nevojitet miratimi me shkrim nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë – KKA (Ligji nr. 9048, datë 07.04.2003, “Për trashëgiminë Kulturore”.
Në të gjitha projektet e tjera arkeologjike konsiderohet domosdoshmëri përfshirja në staf e një arkeologu – konservues të terrenit, si dhe në operacionet më të specializuar, specialistë të Institutit të Monumenteve të Kulturës apo individë të liçensuar në këtë fushë. Liçensa për gërmimet e shpëtimit lëshohet pas paraqitjes së projektit ndërtimor nga subjektet ndërtuese.
Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë thirret në mbledhje për dhënien e liçensave nga Kryetari i tij, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, përcaktohet në rregullore.
Nuk vëmë në dyshim profesionalizmin e Perzhitës, por në QKB rezulton se nuk dorëzuar asnjë lloj licence. Nga ana tjetër, projekti i gërmimit duhet të merrte miratim nga institucionet e mësipërme.
Por kush është përfituesi i tenderit? Prof. Luan Përzhita ka drejtuar mbikëqyrjen arkeologjike gjatë ndërtimit të objektit, në kohën kur doli në dritë mozaiku. Deri në vitin 2021, Profesor Perzhita ishte drejtor i Institutit të Arkeologjisë. Gjatë kësaj kohe i ka lindur ideja t’i hynte biznesit të aktiviteteve arkeologjike. Në vitin 2020 ka regjistruar biznesin si person fizik në QKB, ku deri tani nuk ka asnjë licencë aktive. Profesori e di shumë mirë se ky gërmim arkeologjik nuk mund të bëhet jashtë vëmendjes së Institutit të Arkeologjisë, Institutit të Monumenteve. Po ashtu, edhe kryetarja Sako ka marrë përsipër një rol që nuk i takon.
Theksojmë se me këtë projekte është marrë edhe United Nations Development Programme, Ministria e Kulturës, por nuk kuptohet pse ndërhyn Sako dhe bën një tender për gërmime arkeologjike.
Ndërkohë, për fatin e shkollës së mesme do të vendoset pas përfundimit të gërmimit arkeologjik dhe zbulimeve që mund të dalin në dritë nga ky tender.
Fati i mozaikëve të Durrësit
“Dashurinë” e kryebashkiakes për mozaikët mund ta shohim në terrenet, ku qyteti i Durrësit po i humb këto monumente poër shkak të indiferencës.
Shumica e mozaikëve të Durrësit nuk mund të vizitohen nga vendasit apo të huajt e interesuar për historinë e qytetit. Një pjesë e tyre ndodhen pas portave metalike me dryn dhe hyrja në to është gati e pamundur.
Pjesa më e madhe e tyre nuk janë të vizitueshme. “Mozaiku me Meandër”, i njohur si mozaiku me kryqe, në një pjesë të madhe të vitit është i mbuluar me ujë, që vjen kryesisht nga kanalizimet e amortizuara.
Dyert e mbyllura të zbulimeve pengojnë edhe në rastin e mozaikut me Rozetë, si dhe në vendzbulimin e monumentit të Geas, në qendër të qytetit.
Në lagjen 9 të qytetit arkeologët zbuluan në vitin 1988 një tjetër mozaik, atë që njihet si mozaiku i Orfeut. Ai vazhdon të jetë nën dyshemenë e një kuzhine familjare dhe nuk mund të vizitohet.
Mozaikë të tjerë ndodhen të mbuluar pas zbulimit në kryqëzimet e lagjes 11, si dhe në afërsi të Pallatit të Sportit, zbulime të arkeologut të shquar Vangjel Toçi. I vetmi mozaik në kushte të mira ruajtjeje, “Bukuroshja e Durrësi” ndodhet në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post