Si sot 85 vite më parë, më 7 Prill 1939, nisi mësymja e pushtimit të Shqipërisë nga Italia. 6 ditë më vonë, më 12 Prill 1939 vendi ishte nën pushtimin Italian të Benito Musolinit. Pushtimi italian rezultoi të ishte një fushatë e shkurtër ushtarake ndaj një vebndi të vogël. Mbreti Zog u detyrua të mërgonte dhe vendi u bë pjesë e Perandorisë Italiane si një protektorat në bashkim personal me Kurorën Italiane.
Ky pushtim nuk erdhi si “një rrufe në qiell të hapur”, pasi para pushtimit ushtarak, Italia e kishte pushtuar tashmë ekonomikisht dhe politikisht Shqipërinë duke e zhytur në borxhe financiare dhe borxhe politike, duke konsideruar se Italia që nga Konferenca e Ambasadorëve e vitit 1921 pothuajse ishte bërë “kumbara” e Shqipërisë.
Konkteksti politik
Para Luftës së Parë Botërore Italia dhe Austro-Hungaria kishin qenë mbështetëse të krijimit të një shteti shqiptar të pavarur. Në fillim të luftës, Italia kishte shfrytëzuar mundësinë për të pushtuar gjysmën jugore të Shqipërisë, për të parandaluar pushtimin prej Austro-Hungarezëve. Ky sukses nuk zgjati shumë, teksa rezistenca shqiptare me anë të Luftës së Vlorës dhe problemet vendore të pasluftës e detyruan Italinë për tu tërhequr në 1920. Dëshira për të kompensuar për këtë dështim do të ishte një nga motivet kryesore të Musolinit për të pushtuar Shqipërinë.
Kur Musolini mori pushtetin në Itali ai u kthye me interes të ri drejt Shqipërisë. Italia filloi hynte në ekonominë shqiptare në 1925, kur Shqipëria ra dakord për të lejuar Italinë që të shfrytëzonte burimet e saj minerare. Kjo u ndoq nga Pakti i Parë i Tiranës në 1926 dhe Pakti i Dytë i Tiranës në 1927, me anë të së cilit Shqipëria dhe Italia hynë në një aleancë mbrojtëse. Midis gjërave të tjera qeveria shqiptare dhe ekonomia subvencionoheshin nga kreditë italiane dhe Ushtria Mbretërore Shqiptare jo vetëm që trajnohej nga instruktorë ushtarak italian, por shumica e oficerëve në ushtri ishin italianë; italianë të tjerë ishin të vendosur në vende të larta në qeverinë shqiptare. Një e treta e importeve shqiptare vinin nga Italia.
Pavarësisht influencës së fortë italiane, Mbreti Zog refuzoi të dorëzohej plotësisht ndaj presionit italian. Në 1931 ai haptazi u çua kundër italianëve, duke refuzuar të rinovonte Paktin e vitit 1926 të Tiranës. Pasi Shqipëria nënshkroi marrëveshje tregtare me Jugosllavinë dhe Greqinë në 1934, Musolini bëri një përpjekje të dështuar për të frikësuar shqiptarët duke dërguar një flotë luftanijesh në Shqipëri.
Lindja e afërt e një fëmije mbretëror shqiptar kërcënonte që t’i jepte Zogut një dinasti që do të zgjaste. Pasi Hitleri pushtoi Çekosllovakinë (15 mars 1939) pa njoftuar Musolinin që më parë, diktatori italian vendosi që të vazhdonte me aneksimin e tij të Shqipërisë. Mbreti i Italisë Viktor Emanueli III e kritikoi planin për të marrë Shqipërinë si një risk i panevojshëm. Roma, megjithatë, i dërgoi Tiranës një ultimatum më 25 mars 1939, ku kërkonte dakordësi me pushtimin. Mbreti Zog refuzoi të pranonte para në këmbim të pranimit të një pushtimi dhe kolonizimi italian të Shqipërisë.
Qeveria shqiptare u përpoq ta mbante sekret lajmin e ultimatumit italian. Ndërsa Radio Tirana vazhdimisht transmetonte se asgjë nuk po ndodhte, njerëzit u bënë dyshues dhe lajmi i ultimatumit italian u shpërnda prej burimeve jozyrtare. Më 5 prill i biri i mbretit lindi dhe lajmi u deklarua prej topave. Njerëzit u derdhën nëpër rrugë të alarmuar por lajmi i princit të sapolindur i qetësoi. Njerëzit ishin dyshues se diçka tjetër po ndodhte, gjë e cila çoi në një demonstratë anti-italiane në Tiranë në të njëjtën ditë.
Më 6 prill kishte disa demonstrata në qytetet kryesore të vendit. Në po atë pasdite, 100 avionë italianë fluturuan mbi Tiranë, Durrës dhe Vlorë duke hedhur fletëpalosje që udhëzonin njerëzit t’i dorëzoheshin pushtimit italian. Populli ishte mjaft i zemëruar me këtë shfaqje force dhe kërkoi që qeveria të rezistonte dhe të lironte shqiptarët e arrestuar si “komunistë”.
Ndërsa një mobilizim i rezervistëve u thirr, shumë oficerë të lartë u larguan nga vendi. Gjithashtu, qeveria po zbehej. Ministri i Brendshëm, Musa Juka u largua për në Jugosllavi në të njëjtën ditë. Ndërsa Mbreti Zog transmetoi se do t’i rezistonte pushtimit italian,por njerëzit ndiheshin sikur po braktiseshin nga qeveria e tyre.
Pushtimi
Më 7 prill trupat e Musolinit, të udhëhequr nga gjeneral Alfredo Guzzoni, pushtuan Shqipërinë duke sulmuar të gjitha portet shqiptare njëkohësisht. Forcat detare italiane të përfshira në pushtimin përbëheshin nga anijet luftarake Giulio Cesare dhe Conte di Cavour, tre kryqëzorë të rëndë, tre kryqëzorë të lehtë, nëntë destrojerë, katërmbëdhjetë anije silure, një minakërkuese, dhjetë anije ndihmëse dhe nëntë anije transporti. Anijet u ndanë në katër grupe, që kryen zbarkime në Vlorë, Durrës, Sarandë dhe Shëngjin.
Nga ana tjetër, ushtria e rregullt shqiptare kishte 15,000 trupa të pajisura keq, të cilët ishin trajnuar nga oficerë italianë. Plani i Mbretit Zog ishte të ngrinte një rezistencë në male, duke lënë portet dhe qytetet kryesore të pambrojtura; por agjentët italianë të vendosur në Shqipëri si instruktorë ushtarakë e sabotuan këtë plan. Shqiptarët zbuluan se topat e artilerisë nuk funksionin dhe nuk kishte municion. Si pasojë, rezistenca kryesore u ofrua nga xhandarët dhe grupet e vogla të patriotëve.
Në Durrës, një forcë prej 500 shqiptarësh, përfshirë xhandarët dhe vullnetarët e armatosur, të udhëhequr nga Major Abaz Kupi (komandanti i xhandarmërisë në Durrës) dhe Mujo Ulqinaku, një rreshter detar, u përpoqën të ndalonin përparimin italian. Pajisur me armë të vogla dhe tri mitralozë dhe të mbështetur nga një baterinë bregdetare, mbrojtësit rezistuan për disa orë para se të asgjësoheshin me ndihmën artilerisë detare.
Zogu nuk i shpalli gjendjen e luftës Italisë dhe kjo qe vetëvrasje politike e cila e dëmtoi jo vetëm atë por edhe Shqipërinë. Kjo çoi në trajtimin e Zogut në Perëndim si emigrant i zakonshëm dhe jo si kryetar i një shteti demokratik. Pasi u largua nga Shqipëria pa bërë asnjë deklaratë dhe sapo kaloi kufirin e shpërndau qeverinë duke e lënë Shqipërinë pa qeveri antifashiste në mërgim.
Me të dëgjuar këtë lajm, një masë e zemëruar njerëzish sulmoi burgjet, liroi të burgosurit dhe plaçkiti rezidencën e Zogut. Në ora 1:30 pm në ditën e parë gjitha portet shqiptare ishin në duart italianë. Në ora 9:30 a.m. ditën e 8 prillit, trupat italiane hynë në Tiranë dhe morën gjitha ndërtesat qeveritare. Kolonat e ushtarëve italianë marshuan drejt Shkodrës, Fierit dhe Elbasanit. Shkodra u dorëzua në mbrëmje pas 12 orëve luftime. Gjatë sulmit italian në Shkodër turma sulmoi burgjet dhe liroi 200 të burgosur.
Arratisja e Zogut krijoi në Shqipëri vakuum institucional, i cili i dha mundësi Benito Musolinit për të manipuluar statusin politik të Shqipërisë sipas interesave të Italisë fashiste. Më 12 prill një Asamble Kombëtare e përbërë nga kolaboracionistë të rekrutuar nga qarqet monarkiste zogiste dhe qarqet antizogistë në emigracion shpalli se në Shqipëri nuk kishte ndodhur okupacion ushtarak, por vetëm ndërrim i kreut të shtetit.
Ranë dëshmorë ditën e 7 prillit 1939
Mujo Ulqinaku (Hero i Popullit)
Hamit Dollani
Haxhi Tabaku
Isak Metalla (Metaliaj)
Ismail Reçi
Hysen Kalçi
Ramazan Lezha
Ibrahim Osmani
Hamit Veshko
Mitro Dhimërtika
Tonç Toma
Zenel Blana
Shqiperia nen Mreterine Italiane
Më 12 prill, parlamenti shqiptar votoi për ta zhvendosur Zogun dhe për të bashkuar kombin me Italinë “në bashkim personal” duke ofruar kurorën shqiptare Mbretit italian, Viktor Emmanuel III. Parlamenti zgjodhi pronarin më të madh të Shqipërisë, Shefqet Vërlaci, si Kryeministër. Vërlaci shërbeu si kreu i përkohshëm i shtetit për pesë ditë derisa Viktor Emmanuel III zyrtarisht pranoi kurorën shqiptare në një ceremoni në pallatin e Quirinale në Romë. Viktor Emmanuel III emëroi Francesco Jacomoni di San Savino, ish-ambasador në Shqipëri, për ta përfaqësuar në Shqipëri si “Gjeneral-Lejtnant i Mbretit” (në fakt një viceroi). Suksesi relativisht i lehtë i pushtimit italian ishte kryesisht për shkak të rezistencës së dobët shqiptare.
Më 15 prill 1939, Shqipëria u tërhoq nga Lidhja e Kombeve, nga e cila Italia dha dorëheqjen më 1937. Më 3 qershor 1939, ministria e jashtme e Shqipërisë u fut në ministrinë e jashtme italiane dhe ministri i Jashtëm shqiptar Xhemil Dino iu dha rangu i ambasadorit italian në Shqipëri. Pas kapjes së Shqipërisë, diktatori italian Benito Mussolini shpalli krijimin zyrtar të Perandorisë Italiane dhe mbreti Victor Emanuel III u kurorëzua mbreti i shqiptarëve.
Pushtimi italian i Shqipërisë, edhe pse formalisht ekzistonte si protektorat i Mbretërisë së Italisë, dhe de jure ishte një bashkim midis Italisë dhe Shqipërisë, i udhëhequr zyrtarisht nga Mbreti Victor Emmanuel III, de facto ishte një pushtim që zgjati nga 1939 në 1943. Shqipëria u udhëhoq nga guvernatorët italianë, pasi u pushtua ushtarakisht nga Italia, nga viti 1939 deri më 1943. Gjatë kësaj kohe Shqipëria pushoi së ekzistuari si një vend i pavarur dhe mbeti si një pjesë autonome e Perandorisë Italiane të drejtuar nga zyrtarë të qeverisë italiane, të cilët synonin ta bënin Shqipërinë pjesë të një Itali të Madhe duke asimiluar shqiptarët si italianë dhe duke kolonizuar Shqipërinë me kolonët italianë nga Gadishulli Apenin për ta transformuar gradualisht në një Tokë italiane./ Lapsi/
Discussion about this post