Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, krijon një koncesion të pashpallur duke i dhënë çdo vit pa garë tenderin e furnizimit me asfalt një kompanie. Këtë herë ai ka përfshirë në këtë vorbull Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit Tiranë, që do t’i xhirojë firmës AMOS OIL 335 milionë lekë pa llogaritur TVSH-në.
Më datë 29 shkurt 2024, kjo drejtori në varësi të Veliajt, që “nuk e di se ç’bën drejtoresha”, ka hapur një tender me numër reference REF-96839-02-28-2024. Objekti i prokurimit është ‘Blerje materiale ndihmëse për prodhim dhe shtrim asfalti’, për të cilin janë vënë në dispozicion 335 milionë lekë.
Ne e dinim se Drejtoria e Pastrimit dhe Gjelbërimit mbillte pemë, lule, si dhe vendos kosha, por u marrka edhe me asfaltime!
Tender me risk të lartë korrupsioni
Shohim se këtë tender kjo drejtoreshë, me siguri me urdhër të Veliajt (pavarësisht se Lali Eri para SPAK-ut do të thojë se nuk di gjë) e ka dhënë pa garë. Në fakt deri më datë 20 mars 2024 janë dorëzuar 5 oferta. Katër prej tyre janë skualifikuar që në fazën e parë më argumentin se nuk kanë paraqitur mostër për secilin mall. Rregullat kërkojnë që AK duhet t’i vërë në dijeni operatorët për këtë mangësi, sepse kanë qenë 4 kompani që nuk e kanë dorëzuar, dhe duhet të priste për disa ditë përgjigjen e tyre.
Por Veliaj dhe drejtoresha e tij e kanë me nxitim. Kështu pa zhvilluar një garë, në mungesë të konkurrencës, Veliaj ia dhuroi tenderin firmës “AMOS OIL” sh.a, në pronësi të Henri Skënderajt dhe Hasan Kortoçit.
Me këto shkelje, ky tender i shtohet listës së gjatë të tenderëve abuziv që ka zhvilluar Bashkia Tiranë. Për më tepër tenderi ka marrë “Flamurin e Kuq” nga Open Data Albania. Kjo është shenja e riskut të korrupsionit.
Si u bë AMOS OIL kliente e Veliajt?
Sakaq vlen të përmendim se firma fituese AMOS OIL njihet edhe për bashkëpunim të vazhdueshëm më Veliajn. Prej 5 vjetësh ajo merr pa garë porositë për asfalt duke u bërë përfituese një koncesioni “de facto” të bashkisë. Përveç tregtisë së naftës së Ballshit, kjo kompani ka ngritur në katër vitet e fundit një impiant riciklimi në Vaqarr. Ky aktivitet zyrtarisht quhet “Akumulim, grumbullim, transportim, ruajtje, riciklim dhe modifikim strukturor të vajrave lubrifikantë të përdorur, i distilateve të pirolizave dhe mbetjeve të hidrokarbureve me destinacion prodhimin e bitumit dhe derivateve të tij (vaj, graso etj).
Impianti në Vaqarr filloi në kohën e ministrit Lefter Koka, kur morën lejet përkatëse duke vazhduar punë me ndihmën e ish-ministrit Blendi Klosi me të cilin pronarët kanë miqësi dhe sigurisht u bënë klientë të kryebashkiakut Veliaj. Pas kësaj, Amos sh.a. që nxin Vaqarrin me mbetjet e vajrave dhe bitumit, ka marrë të gjithë tenderat asfaltit që i duhet kryebashkiakut Veliaj.
Kush e firmosi tenderin pa garë?
Zakonisht këtë aferë e mbulonte drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Tiranë, Erind Bejko, i cili i jepte nga 100 deri në 210 milionë lekë në vit kompanisë AMOS OIL. Ndoshta hetimet e SPAK e kanë trembur drejtorin e Rrugëve. Nga ana tjetër, këtë radhë Lali Eri i ka kërkuar të firmosë shumë më tepër, duke fryrë fondin e asfaltit më trefish. Kjo mund të jetë arsyeja që tenderin e ka marrë përsipër ta organizojë drejtoresha e Gjelbërimit, Eglantina Zere. Kjo është një “kamikaze’ e Veliajt. Më parë ka drejtuar Tirana Parking, ku i doli emri në hetimet e SPAK për favorizim kompanish në tenderat publikë.
“Janë mbledhur provat e nevojshme që provojnë faktin se shtetasja Eglantina Zere në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k”, e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt”, nënvizonte organi i akuzës.
Shtetasja Eglantina Zere ka pasur komunikime direkte me shtetasin Nestor Muhametllari, administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k.”, deklaroi SPAK.
Sipas veprës së kryer ajo duhet të kishte pasur të njëjtin fat si homologët e saj drejtorë, por ajo nuk përfundoi në pranga si pasojë e disa kushteve lehtësuese.
Për këto arsye vendimi për të, nga një gjyqtare femër, Rudina Palloj, ishte vetëm pezullim nga detyra dhe detyrim paraqitje.
Sikur të mos kishte ndodhur asgjë, Lali Eri i dha drejtori të re, ku Zere po firmos pa iu dridhur qerpiku një tjetër tender pa garë./ Esmeralda HIDA\
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post