Kryeministri Edi Rama pranon se ka korrupsionin masiv në procedurat tenderuese.
“Prokurimet që janë një problem që burojnë plot pasoja dhe nga ku buron edhe pjesa më e neveritshme e qelbit të korrupsionit. Bëjmë mijëra prokurime në vit dhe janë dhjetëra mijëra anëtarë komisionesh, njerëz, persona që duhet të marrin pjesë. Të gjithë këta njerëz duhet të disponojnë dijen e nevojshme ligjore për atë gjë që po bëjnë. Nuk mundet dot ata njerëz që futen në ata procedura janë njerëz që bëjnë punë tjetër, por futen në të procedurë”, tha shefi i ekzekutivit gjatë episodit të radhës të podkasit të tij.
Interesante është periudha e deklaratës: 13 vjet pas ardhjes në pushtet! Pra, i është dashur më shumë se një dekadë mbi karrigen e kryeministrit, që Edi Rama të arrijë të kuptojë se me tenderat u bëka korrupsion. Po kush e bën korrupsionin? Sipas tij, disa vartës që hanë rrush, kumbulla, fiq, dhe të tjera fruta pas krahëve të tij, kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ministrave apo kryebashkiakëve të cilëve ai u ka caktuar karriget e pushtetit. Vetë ai, Skënderbeu i Elisës dhe shpura që mban pranë, nuk dijnë gjë! Ata mund të shijojnë pafajësinë, të paktën deri në momentin që i “Zeusi në perspektivë” i ish-ministres Edona Bilali të vendosë ndryshe.
Ky është qëndrimi që mbahet publikisht nga qeveria pas shpërthimit të çfarëdolloj afere. (E që gjatë qeverisjes socialiste të zgjatur kanë qenë aq të shumta, sa që edhe ndonjë lider europian mund të jetë çuditur si arrin Rama të mbajë ende pushtetin).
I njëjti qëndrim mbahet edhe nga instucionet e reja të drejtësisë për ato çështje për përbëjnë “patatet e nxehta”.
Rama futurist
Rikthehemi te tenderat. Pas viteve të gjata, Rama kuptoi problemin dhe si një lider largpamës, natyrisht që gjeti edhe zgjidhjen.
Ai kumtoi se për të shmangur korrupsionin në procedurat tenderuese, se do të përdorë inteligjencën artificiale.
“… Me modelin e inteligjencës artificiale, neutralizojmë këtë burim të madh qelbi dhe i kthejmë prokurimet publike në një proces transparent dhe të lexueshëm”, u shpreh kryeqeveritari.
Ideja e zhvillimit të tenderave përmes inteligjencës artificiale është hedhur për opinionin publik prej disa muajsh nga kreu i qeverisë, i cili i mëshon shpesh “dixhitalizimit të shtetit”, duke e propaganduar si një zhvillim pozitiv.
Dështimet e dixhitalizimit
Megjithatë, të dhënat janë larg asaj ç’ka Rama ligjëron publikisht. Janë disa procese të tilla që kanë prodhuar efektin e kundërt të asaj që pretendon mazhoranca.
Portali qeveritar “e-albania” vijon ende të mbetet një fushë e pakuptueshme për shumë qytetarë, kryesisht të moshës së tretë dhe atyre që kanë mungesë njohurish të përdorimit të internetit.
Një tjetër nismë problematike në implementimin e saj ishte dixhitalizimi i Kadastrës. ‘Gojët e liga’ thonë se ata të ish-hipotekave e kishin shumë të vështirë nga ana emocionale që të punonin vetëm me rrogë shteti. Dhe në kushtet e kësaj traume emocionale, aplikimet i kthenin prapssh me përgjigje, që siç janë raportuar nga mediat, ishin kryekëput absurde. ‘Gojët e liga’ gjithnjë, thonë se pasi shefat bashkë me vartësit kanë gjetur mekanizmin për tu korruptuar sërish, duke ‘ia futur’ sistemit të ri, puna në Kadastër i u është kthyer normalitetit.
Vlen të kujtohet se, qeveria u godit pikërisht në pikën përmes së cilës propagandonte sukses, kur sulmet kibernetike nxorën në shesh të dhënat e shqiptarëve: Numra telefoni, targa makinash, vendet e punës, pagat që merrnin. Shqiptarëve zor se u mbeti ndonjë sekret. Dhe teksa Rama thërriste se asnjë shkresë sekrete nuk ishte publikuar, hakerat, sikur t’ja bënin për inat, shpërndanin në rrjetet sociale dokumente të klasifikuara “Sekret”.
Me bujë të madhe, Rama do të njoftonte edhe ngritjen në hapësirë të dy satelitëve. Megjithatë ende nuk është i qartë bilanci i përfitimeve të tyre. Dihet vetëm që është nënshkruar kontrata që transferon 6 milionë dollarë, nga buxheti i shtetit, te firma që bëri të mundur “arritjen e madhe” (gjithmonë sipas kryeqeveritarit).
Skandalet vijojnë, teksa vëmendja është kthyer së fundmi te vjedhja e të dhënave të TIMS-it nga një ish-zyrtar i Policisë, aktualisht nën masën e arrestit shtëpiak.
Futje edhe me “AI”?
Gjithsesi edhe përqafimi i teknologjisë nga shteti ka pasur anët e veta pozitive… të paktën për mazhorancën. Shembulli është ushtria elektorale e njohur si “patronazhistët”.
Mendohet se duke përdorur të dhëna të marra nga faqet shtetërore, Partia Socialiste arriti të ngrejë një sistem patronazhimi për qëllime elektorale. Sistem që nisur nga rezultatet në zgjedhje, duket mjaft efecient për Ramën dhe të tijtë.
Pra dixhitalizimi, që të lejon një kontroll më të lehtë duket se i leverdis kryeministrit dinak, i cili preferon që më mirë ta quajnë gomar sesa hajdut.
Nuk është çudi që edhe nisma për tenderim me inteligjencë arteriale të kthehet shumë shpejt në një mekanizëm me kontroll total nga zyra e Ramës. Apo në rastin më banal, një shpërdorim i kotë miliardash.
Discussion about this post