Katër masa “arresti në burg” të dhëna nga Gjykata e Tiranës me kërkesë të prokurorisë ndaj ish-zyrtarëve të Komunës Bërxullë, janë ekzekutuar nga policia. Në pranga u vunë: ish-kryetari i Komunës së Bërxullës, Ymer Marku (55 vjeç); Kujtim Allmeta, 60 vjeç, Agim Loci, 53 vjeç dhe Kujtim Balliu, 65 vjeç.
“Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrën, kanë falsifikuar dokumentet e një sipërfaqeje toke, në fshatin Bërxullë. Gjithashtu, në kuadër të operacionit, është sekuestruar një sipërfaqe toke 7500 m2, në fshatin Bërxullë, bashkia Vorë”, njoftoi policia.
Hetimet
Hetimi i Prokurorisë së Tiranës gjeti se ish-kryetari i Komunës së Bërxullës Ymer Marku, së bashku me dy vartës të tij dhe një qytetar, kishin tjetërsuar nga tokë shtet 7500 metra tokë arë, që më pas i është shitur një kompanie për shumën 100 milionë lekë (të vjetra).
Në një njoftim për shtyp, prokuroria bëri me dije se Ymer Marku, ish-kryeplaku Agim Loci dhe ish- Përgjegjësi i Zyrës së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Komunës Bërxullë, Kujtim Balliu kishin falsifikuar dokumentet dhe në shpërdorim të detyrës kishin tjetërsuar sipërfaqen e tokës duke ia kaluar të arrestuarit të katërt, Kujtim Allmeta.
“Në rastin konkret, gjatë ushtrimit të detyrës në Komunën Bërxullë, shtetasit K. B., A.L. dhe Y. M., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrën, kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës””, njoftoi prokuroria. Prokuroria bën me dije se këta persona kishin “cënuar interesat e ligjshëm të shtetit dhe personave të tjerë pretendues” dhe kishin sjellë dëm të konsiderueshëm ekonomik për shkak të tjetërsimit jo të ligjshëm të pasurisë.
Ndërkohë Allmeta, i cili dyshohet se e ka marrë pasurinë me dokumente të falsifikuara dhe e ka shitur atë për 10 milionë lekë akuzohet edhe për pastrim parash. Prokuroria thotë se Allmeta kishte marrë tokën që i takonte sipas ligjit 7501 dhe kjo sipërfaqe nuk i takonte.
“Ndërkohë që shtetasi K.A., nuk mund të pajisej me AMTP pa numër datë 14.1.1996 (e falsifikuar sipas aktit të ekspertimit) pasi ishte pajisur me AMTP me nr.30 datë 06.01.1996, për pasurinë me nr.133/12, me sipërfaqe 5.100 m2 e llojit arë (sa ka qënë edhe norma për frymë)”, thuhet në njoftim.
Sipas prokurorisë, toka iu shit shoqërisë “Alko Impex Construksion” në pronësi të Arbër Abazit, nipi i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Sadri Abazi.
Discussion about this post