Tenderat e ushqimit të kopshteve, çerdheve, konvikteve dhe azileve vazhdojnë përfitohen nga të njëjtat kompani që u ka dalë emri prej 20 vjetësh në dosjet e zyrtarëve të korruptuar.
Një histori e tillë, së fundmi është përsëritur në Bashkinë e Gjirokastrës. Më datë 15 shkurt 2024, kryebashkiaku Flamur Golemi dhe drejtori i Azilit kanë hapur tenderin me objekt “Blerje ushqimesh, për shtëpinë e të moshuarve”.
Në dokumentet e prokurimit thuhet se ky fond do të përdoret për ushqime deri në fund të këtij viti, por kontratat do të vazhdojë edhe për vitin 2025. Ndërkohë më poshtë shohim se deri më datë 26 shkurt 2024 kanë paraqitur oferta 3 firma: M.C.CATERING, 4 S dhe NELSA shpk. Këto firma zakonisht kanë një marrëveshje të heshtur që i ndajnë mes tyre tenderët për ushqime nga çdo institucion në çdo cep të Shqipërisë. Kur ato bëhen “konkurruese” me njëra tjetrën, hyjnë në lojë organet qendrore, siç është Komisioni i Prokurimit Publik.
Këtë herë fati ka qenë me kompaninë 4 S, në pronësi të Xhino Sinanit, djali i Shemsi Sinanit. Fillimisht Golemi ia ka dhënë paratë e ushqimit të azilit kompanisë M.C.CATERING me ofertën 7.560.350 lekë. Por në lojë ka hyrë KPP e drejtuar nga Jonaid Zaimi dhe, pas ankesës së kompanisë 4 S, e ka anuluar tenderin,
Pas këtij vendimi, komisioni i tenderit të Azilit ka marrë një vendim të kundërt me të parin duke përjashtuar kompaninë që kishte fituar fillimisht. Sipas dokumenteve, firma MC CATERING, ndër të tjera, nuk ka dokumente “për pajisjen me mjete zjarrfikëse në magazinën ushqimore”, nuk ka “leje mjedisore”, prandaj skualifikohet. Theksojmë se kompania e eliminuar me ndërhyrjen e KPP kishte ofertën më ekonomike.
Ndërkohë Open Data Albania i ka vendosur ‘Red Flag’ procedurës prokuruese, për të treguar riskun e lartë të korrupsionit.
Kur tenderët zhvillohen në nxitim dhe duke shkelur direktivat që jep ligji, lirisht mund të themi që dhe ushqimet me të cilat furnizohet Shtëpia e të Moshuarve në Gjirokastër mund të mos jenë të sigurta. Shtëpia e të Moshuarve drejtohet nga ish-nënkryetari i Bashkisë, Ylli Muho, i cili i njeh rregullat e prokurimit, por ndoshta urdhrat e Golemit vendosin edhe në këtë institucion.
Kush është biznesmeni që e ktheu tenderin përmbys?
Kemi raportuar edhe herë tjetër për biznesmenin Shemsi Sinanin që fiton tendera pa fund përmes 3 kompanive që i ka shpërndarë tek secili anëtar i familjes.
Shemsi Sinani është dënuar në vitin 2018 me 4 vjet burg nga Krimet e Rënda për korrupsion, pasi korruptoi ish-nëndrejtorin e përgjithshëm të Burgjeve Iljaz Labi, edhe ky i dënuar për shpërdorim detyre.
Dënimi për Labin u pezullua pasi bashkëpunoi me drejtësinë, duke rrëfyer skemën e korrupsionit tek Burgjet, me në krye ish-kreun e burgjeve Artur Zoto, i cili pasi qëndroi rreth dy vite në burg.
Sapo u kap në korrupsion, Shemsi Sinani, në mars të vitit 2018, ndryshoi emrin e kompanisë nga “M. B. KURTI” në “Sinani Trading”. Me emrin e ri, “Sinani Trading”, Shemsi Sinani ka menduar se do të pastronte imazhin. Shemsi Sinani, po në mars të vitit 2018, u largua formalisht nga kompania dhe nxori në skenë të birin, Ledion Sinani. Ky i fundit thjeshtë ka emrin në letra, pasi pazaret i bën ‘ujku i vjetër’ i tenderave. Kompania “4S” shpk drejtohet nga Xhino Sinani dhe ka përfituar deri tani 138 kontrata nga institucionet.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post