“Në parim, të gjithë do të duhet të japin kontributin e tyre në shpenzimet publike, në funksion të kapacitetit të tyre kontribuues”. Kuptimi i kësaj shprehjeje shpesh varet nga këndvështrimi nga i cili lexohet.
Nëse lexohet me “njërin sy”, ky parim është, në radhë të parë, një garanci për shtetasit ndaj politikave të qeverisë, që detyrojnë tatimpaguesin të paguajë tatime mbi bazën e treguesve që nuk shprehin në mënyrë reale dhe efektive kapacitetin e tij kontribuues.
Nëse lexohet me “syrin tjetër”, ky parim nuk është gjë tjetër, veçse një zbatim i posaçëm i detyrimit qytetar dhe kushtetues të solidaritetit. Nëpërmjet këtij të fundit, shpesh tentohet të legjitimohet, në çfarëdolloj forme, përqasja e shtetit, si në momentin kur imponon taksa, ashtu edhe në momentin kur i mbledh ato, nëpërmjet akteve normative të organeve tatimore.
Në fakt, korrekt do të ishte balancimi i të dy interesave thelbësore që mbron ky parim, duke marrë për bazë kriterin e ashtuquajtur të “Barazisë”. Barazi nuk do të thotë që shteti nuk mund të imponojë, në raste të ndryshme, regjime të ndryshme tatimore.
Barazi do të thotë që shteti duhet të garantojë për gjithsecilin trajtim të barabartë, kur kushtet subjektive dhe objektive, të cilat u referohen dispozitave normative tatimore, janë të njëjta.
Me fjalë të tjera, kjo do të thotë që, në fushën tatimore, barriera e pakalueshme për çdo qeveri, baza dhe kufiri i veprimit të saj, është “Arsyeja”, që shpesh nuk e shohim të veprojë. Dhe, ashtu siç pritej, qeveria shqiptare nuk na zhgënjeu me mungesën e arsyes.
Ky vit nisi me paqartësi të shumta për 29 mijë profesionistë të lirë, të cilëve u ka ndryshuar tërësisht regjimi fiskal. Që nga 1 janari 2024, profesionistët e lirë në Shqipëri, me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë, do të paguajnë tatim mbi fitimin në shkallën 15%.
Fitimi i tatueshëm, sipas ligjit, do të llogaritej duke zbritur nga të ardhurat totale një vlerë të njohur apriori shpenzimesh në masën 30% (për të ardhurat deri në 10 milionë lekë), ose në rast të kundërt duke mbajtur kontabilitet të plotë të të ardhurave dhe shpenzimeve.
Tatimpaguesi ka të drejtë të zgjedhë se cilën metodë do të zbatojë. Ndërkohë, profesionistët e lirë, me qarkullim vjetor mbi 14 milionë lekë, do të tatohen në masën 23% të fitimit.
Në prill, profesionistëve iu publikuan në sistem deklaratat për këstet e ashtuquajtura “Këste paraprake të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi”.
Së pari, kishte paqartësi në termat e përdorur, duke detyruar administratën të fshijë nga sistemi njoftimin e vlerësimit.
Së dyti, me llogaritjet për parapagimin e tatimit të thjeshtuar nga administrata tatimore nuk është marrë parasysh zbritja e shpenzimeve 30%, por vetëm shpenzimet e deklaruara nga biznesi, duke bërë që këstet të rezultonin mjaft të larta në raport me përllogaritjet paraprake të biznesit, bazuar në logjikën e ligjit.
Shkalla tatimore 15% për tatimin mbi fitimin u llogarit në bazë të të ardhurave, shpenzimeve dhe fitimit të deklaruar nga vetë subjektet për 2023 që u përfshinë në regjimin e ri, më parë të përjashtuara nga tatimi.
U veprua në këtë mënyrë, pasi nga administrata tatimore nuk u arrit të bëhej gati formulari i ri i deklarimit të të ardhurave.
Shtigjet e legjislacionit
Përvoja ka treguar se sa më i paqartë legjislacioni, aq më shumë mundësi krijohet si për shmangie, ashtu dhe për gabime, që më pas mund të jenë subjekt i ndëshkimit të pamerituar nga administrata tatimore. Që nga viti 2013, kur u vendos tatimi mbi të ardhurat e larta prej 23%, që është zanafilla e të gjithë zinxhirit të lëvizjeve të subjekteve e profesionistëve të lirë, tatimet kanë ndryshuar disa herë ligjin, me synim që të mbushin gropat, që i hapin po vetë.
Kjo detyroi qeverinë të miratojë një akt normativ për ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, i cili përcakton se deklarimi i të ardhurave do të bëhet sipas modelit të formularëve të vjetër, pra atyre ekzistues, por sipas normave të reja tatimore që nisin zbatimin nga 1 janari 2024 me të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.
Së treti, periudha e këstit të përllogaritur dhe publikuar nga tatimet ishte e paqartë dhe pagesa 12-mujore është ngjeshur në 9 muaj.
Në këtë rrëmujë aktesh normative dhe rrumpallë administrative, ata që e pësuan janë profesionistët që do të detyrohen të paguajnë shuma, që pjesa më e madhe e tyre i quan të papërballueshme, ose nuk i kanë rezervuar, sepse kanë ndjekur logjikën e ligjit.
E gjithë kjo reformë u bë për hir të së ashtuquajturës barazi fiskale, që synonte që profesionistët e lirë, të cilët në pjesën më të madhe vepronin si biznese të vogla, me tatimfitimi zero, të paguanin në nivele të ngjashme me të punësuarit. Por, që në fillim, koncepti i barazisë duket se ka rënë.
Së pari, të vetëpunësuarit nuk janë njësoj me të punësuarit, pasi të parët veprojnë në një mjedis tërësisht tjetër, ku rrezikun e marrin 100% vetë, ndryshe nga të punësuarit që marrin pagë të sigurt nga punëdhënësi.
Së dyti, ligji i ri po fillon zbatimin vetëm për profesionistët e lirë, ndërsa vetëm në vitin 2029, do të hyjnë në skemë të gjitha bizneset e vogla. Të paktën për pesë vjet nuk do të ketë barazi fiskale mes tyre.
Së treti, ndonëse u fol për drejtësi në raport me të punësuarit, tashmë të vetëpunësuarit po trajtohen si biznese të mëdha. Një udhëzim i fundit, që u shtohet paqartësive të këtij segmenti, duke përfshirë elemente të biznesit në një të ardhur që tatohet si pagë.
Pra, i njëjti burim të ardhurash trajtohet me dy regjime të ndryshme.
Në këtë udhëzim, administrata i ka inkurajuar profesionistët e lirë të pasqyrojnë saktë të dhënat në Deklaratën Vjetore të Tatimit mbi Fitimin apo Tatimit të Thjeshtuar mbi Fitimin, për vitin 2023, në lidhje me të dhënat e deklaruara për të ardhurat, shpenzimet dhe fitimin e tatueshëm, pasi këto të dhëna do të jenë objekt i vlerësimit nga Administrata Tatimore për përllogaritjen e tatimfitimit paraprak gjatë vitit 2024.
Rreth 29 mijë profesionet e lira, që preken nga zbatimi i këtij regjimi të ri, tashmë gjenden si një sanduiç mes të punësuarve me pagë dhe bizneseve të mëdha, pra në një regjim fiskal që mbetet rrëmujë dhe sërish diskriminues.
Profesionet e lira (që në fakt nuk i kanë fitime që marrin në fund të vitit, por të ardhura neto që u mbeten për konsum) tashmë po ngarkohen me kosto administrative si biznesi i madh, sepse një pjesë të likuiditetit ata duhet ta shpenzojnë për parapagimin e tatimfitimit, duke iu referuar vitit 2023, kur ligji nuk kishte hyrë në fuqi.
Për më tepër do të kenë kosto të shtuar për mbajtjen e kontabilitetit, teksa do të detyrohen të paguajnë ekonomistë për të ulur riskun me përballjen me një regjim më të komplikuar fiskal.
Dilema tjetër lidhet me faktin që ligji parashikonte tatimin me dy forma, ose duke njohur shpenzimet me 30%, ose duke marrë për bazë shpenzimet e vërteta të subjektit.
Atëherë si do të përllogaritet parapagimi, që do të bazohet në aktivitetin e vitit 2023, kur ligji nuk kishte hyrë në fuqi dhe profesionistët e lirë nuk e kanë mbajtur kontabilitetin në funksion të një ligji, që nuk kishte hyrë në fuqi ende?!
Ligji nuk kishte parashikuar mekanizma për t’i njohur shpenzimet, sepse i tillë ishte regjimi, çka rëndoi këstet e llogaritura nga tatimet. Një tjetër pikëpyetje qëndron se sa e ligjshme është të bazohesh në një situatë para hyrjes në fuqi të ligjit.
Për shkak të shkeljes së barazisë mes tatimpaguesve dhe konkurrencës së lirë ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” është ankimuar tre herë në Gjykatën Kushtetuese.
Përvoja ka treguar se sa më i paqartë legjislacioni, aq më shumë mundësi krijohet si për shmangie, ashtu dhe për gabime, që më pas mund të jenë subjekt i ndëshkimit të pamerituar nga administrata tatimore.
A po luftohet evazioni?!
Më e pakta, parulla e shumëdeklaruar e barazisë fiskale ishte një keqdashje dhe aspak masë për të luftuar evazionin fiskal. Qartazi, faktori më i rëndësishëm që pengon forcimin e kulturës tatimpaguese është autoriteti shtetëror që keqadministron llogaritjen dhe mbledhjen e tatimeve. E kombinuar dhe me korrupsionin e përhapur në përdorimin e të ardhurave shtetërore, kristalizohet se po shteti vetë nxit evazionin.
Që nga viti 2013, kur u vendos tatimi mbi të ardhurat e larta prej 23%, që është zanafilla e të gjithë zinxhirit të lëvizjeve të subjekteve e profesionistëve të lirë, tatimet kanë ndryshuar disa herë ligjin, me synim që të mbushin gropat, që i hapin po vetë.
Financat parashikojnë që efekti shtesë nga zbatimi i ligjit të ri për tatimin mbi të ardhurat të jetë rreth 7 miliardë lekë.
Po bëhet kaq zhurmë për një reformë që thuhet se do të luftojë evazionin e do të vendosë barazi fiskale, që në fund të fundit, do të sjellë në buxhet sa rreth 50% e shumës që paguhet në vit për projektet e koncesioneve, pjesa më e madhe e të cilave sot janë në hetim nga SPAK për shkelje e evazion!
Problematikat me këtë skemë fiskale, sidomos duke u nisur nga praktika dhe interpretimi jotransparent dhe joefikas që ka administrata tatimore në zbatimin e ligjeve mbi tatimet, u paralajmëruan në kohë. Por si gjithnjë, politikëbërësit dhe administratorët fiskalë preferuan të mbajnë veshin e shurdhër dhe të kalojnë në kurrizin e tatimpaguesve keqadministrimin dhe keqinterpretimin e ligjeve.
Madje nuk bënë as minimumin për të informuar drejt tatimpaguesit, të cilët u gjendën të papërgatitur përballë kësteve të larta që do t’u duhet të paguajnë tani, në raport me të ardhurat e tyre.
Më e pakta, parulla e shumëdeklaruar e barazisë fiskale ishte një keqdashje dhe aspak masë për të luftuar evazionin fiskal.
Qartazi, faktori më i rëndësishëm që pengon forcimin e kulturës tatimpaguese është autoriteti shtetëror që keqadministron llogaritjen dhe mbledhjen e tatimeve. E kombinuar dhe me korrupsionin e përhapur në përdorimin e të ardhurave shtetërore, kristalizohet se po shteti vetë nxit evazionin.
Discussion about this post