Mijëra maturantë gjenden në dilemë për zgjedhjen që do të bëjnë për rrugëtimin e tyre akademik, që do të jetë pikënisja e të ardhmes së tyre.
Në këtë moment, vlen këshillimi i karrierës, i cili është një koncept shumë i gjerë, me disa procese, duke filluar që nga informimi dhe orientimi në lidhje me një program të caktuar studimi e deri tek eksplorimi i mundësisë së punësimit apo rritjes në karrierë brenda një institucioni. Në një intervistë për gazetën “Panorama” lektorja dhe ekspertja e arsimit, Ana Llazo, sqaron konceptin këshillimi i karrierës.
Si ka ndryshuar Matura Shtetërore ndër vite, a ka pasur përmirësime?
Matura Shtetërore është një proces, i cili ka ndryshuar ndër vite. Dikur provimet e maturës zhvilloheshin në shkollat ku maturantët kryenin studimet dhe provimet e maturës udhëhiqeshin nga mësuesi i lëndës përkatëse. Për sa u përket lëndëve me zgjedhje, maturantët zgjidhnin degët që do studionin dhe konkursi i lëndëve kryhej në universitetet përkatëse dhe vlerësimi bëhej nga universitetet. Nga viti 2011, sistemi i Maturës Shtetërore ndryshoi duke bërë një ndryshim që nga forma e hartimit të testeve, mënyra e aplikimit për në universitet, lëndët me zgjedhje dhe menaxhimi i provimeve të Maturës Shtetërore. Maturantët aplikojnë për formularët A1 dhe A1Z, i cili kryhet në një periudhë të caktuar përpara zhvillimit të provimeve të maturës sesioni i parë. Nuk mendoj se ka pasur përmirësime të dukshme, por ky lloj sistemi ka nxjerr në pah edhe problematika dhe çështje të cilat kanë nevojë për një reformim.
Cilat janë risitë për këtë vit?
Rregullorja e provimeve të maturës nuk ka ndryshuar, mënyra e vlerësimit, aplikimit dhe plotësimit të formularëve është e njëjtë. E vetmja risi për këtë vit janë testet provë të lëndëve përkatëse, të cilat janë shpërndarë më herët se vitet e tjera dhe kjo është diçka pozitive, sepse maturantët para përgatiten më shpejt dhe shkalla e emocioneve është më e ulët në kohën e provimeve.
Sa i domosdoshëm është procesi i ankimimit dhe rishikimit të tezës?
Procesi i ankimimit dhe rishikimit të tezës është shumë i domosdoshëm për të gjithë ata maturantë, të cilët kanë paqartësi dhe pasiguri të asaj çfarë kanë bërë në tezën e provimit, pasi kjo mund t’i penalizojë në procesin e vlerësimit dhe në notën mesatare të provimeve të Maturës Shtetërore.
Po korrigjimin automatik, e shikoni si të efektshëm për maturantët?
Për të pasur një korrigjim automatik, duhet të kemi edhe një test elektronik. Do të sugjeroja që testi të kryhej në kompjuter dhe të kalojë në bazë të niveleve dhe maturanti është ai që zgjedh të kalojë nga njëri nivel në tjetrin. Në këtë formë meritokracia luan rol dhe secili vlerësohet për nivelin që shfaq.
Maturantët që dëshirojnë të ndjekin degën Mjekësi e Përgjithshme do t’i nënshtrohen konkursit. A duhet të kryhet konkursi edhe për degët e tjera?
Një konkurs në secilën degë do të sillte një saktësim nëse është dega e duhur për ta jo vetëm për maturantët që zgjedhin degët, por gjithashtu edhe për universitetet përkatëse. Ky konkurs duhet të kryhet nga të gjitha universitetet në degë të ndryshme.
Jo rrallëherë maturantët janë regjistruar në degët jo të parapëlqyera pasi kanë pasur frikë se mund të humbin një vit akademik. A duhet të ndryshojë procesi i raundeve dhe fazave të aplikimit?
Në procesin e fazave të aplikimit maturantëve u lejohet të aplikojnë degë sipas preferencave të tyre, më pas aplikimi mbyllet në momentin që maturanti e konfirmon aplikimin e tij nëpërmjet kodit të aplikimit. Më pas aplikimet u shpërndahen universiteteve sipas preferencave dhe kjo renditje bëhet mbi bazën e llogaritjes së pikëve nga universitetet. Maturanti mund ta shohë renditjen e tij në portalin “eAlbania” për çdo program aplikimi dhe gjithashtu i jepet e drejta e ankimimit për renditjen kur kanë ankesa në renditje. Mendoj që maturantet duhet të tregohen më të vëmendshëm ndaj procesit të aplikimit dhe zgjedhjes së degëve që ata bëjnë sesa në ndryshimin e procesit të raundeve dhe fazave të aplikimit.
Ndalemi te këshillimi i karrierës. Sa i rëndësishëm është për maturantët?
Këshillimi i karrierës është një faktor shumë i rëndësishëm për maturantët, por jo vetëm, në tri vitet e gjimnazit do ta sugjeroja këshillimin e karrierës. Ai nis me zbulimin e aftësive dhe talenteve të maturantëve, më pas i informon, orienton dhe këshillon për zgjedhjet që do të bëjnë për profesionet e së ardhmes, duke u bazuar edhe në nevojat dhe kërkesat e tregut të punës.
A ka ekspertë të mirëfilltë të këshillimit të karrierës në vendin tonë?
Numri i këshilluesve të karrierës është i ulët në vendin tonë, ndaj duhet financuar për të certifikuar ekspertë të kësaj fushe, pasi nevoja është e madhe dhe do jetë akoma më shumë, nëse nuk reagohet në vitet në vazhdim. Sipas një këshilluesi karriere, një profesion zgjedh një person dhe jo një person zgjedh një profesion.
Çfarë masash mund të marrim për të nxitur të rinjtë për të vijuar studimet në Shqipëri?
Duhet të hartojmë politika mbështetëse qoftë financiare, qoftë sociale. Si psh., ofrimi i bursave të studimit duhet të jetë më i madh, lehtësirat për studentët si karta e studentit të jetë funksionale në çdo shërbim që ata kryejnë, përfshirja e grupeve studentore në vendimmarrje të jetë funksionale. Aktivizimi i studentëve në punët prodhuese kundrejt një pagese për t’i stimuluar dhe njohur me tregun e punës.
A janë të orientuar mbi degët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet?
Duke qenë se mungon këshillimi i karrierës nga këshillues karriere, maturantët nuk janë të mirë informuar për degët që ata duhet të studiojnë. Lënda “Edukim për karrierë” zhvillohet në mënyrë teorike dhe në shumë raste maturantët janë në dilemë për zgjedhjet e tyre. Ata bashkëbisedojnë me mësues të ndryshëm për zgjedhjet dhe shpeshherë kërkojnë alternativa zgjedhjesh prej tyre. Një ndikim parësor në zgjedhjen e degëve të tyre ka dhe familja, e cila priret t’i orientojë drejt profesioneve më të kërkuara në tregun e punës dhe më fitimprurëse. Gjithashtu, një ndikim në zgjedhjen e tyre kanë dhe vetë bisedimet që ata bëjnë me bashkë moshatarët e tyre. Universitetet bëjnë një prezantim të degëve që ofrojnë, por mendoj që kjo nuk është e mjaftueshme.
Cilat janë degët më të preferuara kohët e fundit?
Ndër degët më të preferuara janë IT, Inxhinieria, Mjekësia, Ekonomiku, Infermieria, Arkitektura, Juridiku dhe Gjuhët e Huaja ndërkohë që disa degë të tjera rrezikojnë të kenë një numër shumë të ulët të studentëve si Inxhinieri Gjeologjike, Burime Minerare dhe Gjeomjedis, Agrobiologji, Arkeologji dhe Trashëgimi kulturore, Mësuesia.
Discussion about this post