Pas trupave të pajetë të tre fëmijëve, pas mesditës së kësaj të marte është nxjerrë nga lumi Buna edhe trupi i Alma Arrazit. 39-vjeçarja dyshohet se u vetëmbytë bashkë me tre fëmijët e saj të mitur në lumin Buna, në Shkodër.
Më herët gjatë ditës, Policia e Shkodrës konfirmoi gjetjen e trupit e trupit të pajetë të fëmijës 3 vjeç. Të hënën pasdite u gjet trupi i vajzës 8-vjeçare të Alma Arrazit, ndërsa mbrëmjen e së shtunës u gjet trupi i motrës së saj 9-vjeçare.
Lihet në qeli kryefamiljari
Sipas hetimeve paraprake, Alma u largua nga banesa në Shkodër bashkë me tre fëmijët e saj më datën 2 maj, ndërsa policia u vu në kërkim të tyre pas kallëzimit të bërë një ditë më pas nga bashkëshorti dhe babai i fëmijëve, 31-vjeçari Erdgys Arrazi.
Prokuroria e Shkodrës njoftoi se ka nisur tashmë procedim penal për Arrazin, për kryerjen e veprës penale “shkaktim i vetëvrasjes si pasojë e dhunës së ushtruar”.
“Deri në këtë fazë të hetimit janë krijuar dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, se shtetasi E.A. (Erdgys Arrazi), si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij – shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj – ka shkaktuar vetëvrasjen e 39-vjeçares, e cila në gjendje të rënduar psikologjike, dyshohet të jetë hedhur në lumë bashkë me tre fëmijët e mitur”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Shkodrës.
Ndryshe nga policia, e cila në njoftimin e parë për mediat pas ngjarjes së rëndë foli për dhunë fizike të ushtruar ndaj gruas dhe fëmijëve, Prokuroria tha se i dyshuari ka ushtruar dhunë të vazhdueshme psikologjike.
Në seancës e sotme për masën e sigurisë, akuza kërkoi masën e arrestit në burg për të akuzuarin.
Nga ana tjetër, avokati mbrojtës Blerim Bazhdari kërkoi lirimin e Erdgys Arrazit, pasi sipas tij, nuk ka asnjë provë që vërteton dhunën në familje që pretendon policia dhe prokuroria apo edhe familja e viktimës. Pala mbrojtëse paraqiti një prej recetave mjekësore të Alma Arrazit, që sipas avokatit, vërteton se 39 vjeçarja vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Për akuzat se klienti i tij ka pasur lidhje jashtëmartesore, avokati tha se edhe nëse ka pasur, kjo nuk përbën vepër penale. Po ashtu , mohoi akuzat për dhunë në familje nga ana e Erdgys Arrazit. Sipas tij, Erdgys Arrazi është një prind që është kujdesur për familjen e tij dhe ka patur një marrëdhënie normale me bashkëshorten.
Ky i fundit tha në seancë se është dakord me deklarimet e avokatit dhe shtoi se për shkak të gjendjes emocionale të ngarkuar, do të flasë në një moment të dytë.
Në fund, Gjykata e Shkodrës pranoi kërkesën e prokurorisë dhe la në burg 31-vjeçarin.
E motra: Çifti kishte probleme ekonomike
E motra e viktimës tha në një intervistë për mediat se çifti kishte probleme ekonomike dhe për këtë fajësoi kunatin. Atë e bëri përgjegjës edhe për vdekjen e së motrës.
“Mund t’ia faktoj që motrën time e çoji deri këtu që t’i jepte fund jetës me fëmijët, sepse nuk e ka pasur të lehtë motra ime, kur e dinte që po e tradhtonte. Shpirti im e di se sa jam munduar për t’ia mbushur mendjen hajde rri me motrën tënde. Nuk arrinte t’i jepte dot ushqim fëmijës së vet. Eri, konsumonte dreka darka me të dashurën e vet, nuk i dilte buxheti të blinte ushqim për fëmijët. Kohët e fundit i ka munguar çdo gjë, edhe buka i ka munguar motrës sime dhe fëmijës së motrës time”, tha ajo.
Gjithashtu, ajo mohoi që e motra të ketë pasur probleme mendore.
“Po shpikin çdo gjë për motrën time, ajo ka qenë një grua e mrekullueshme, ka qenë një grua e përkryer, i çonte fëmijët në shkollë. Nëse do ishte me të meta mendore nuk do kishin respekt një lagje e tërë. Si ka mundësi ka të meta mendore dhe ka 10 vjet martesë”.
Ndërsa vëllai i Almës, në një deklaratë për një emision televiziv tha se “motra ime është tërbuar kur ka parë burrin e saj me 18-vjeçaren”. “Ajo ka shtangur dhe besoj se ka humbur logjikën”, shtoi ai.
Familjarët e Erdgys Arrazit, ndërkohë, shprehen se Alma mjekohej për probleme psikologjike. I vëllai i Erdgysit tha për mediat se ai nuk ka ushtruar ndonjëherë dhunë ndaj bashkëshortes apo fëmijëve.
Momentet e fundit
Në një njoftim për mediat, prokuroria bëri dhe një kronologji të momenteve që dyshohet se u pasuan nga mbytja në lumë.
“Nga të dhënat e akteve të hetimit deri në këtë fazë, ka rezultuar se në datën 03.05.2024, rreth orës 17:30, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Shkodër shtetasi Erdgys Arrazi, i cili ka kallëzuar largimin nga banesa të bashkëshortes së tij shtetases Alma Arrazi, bashkë me tre fëmijët e tyre të mitur.
Në lidhje me këtë fakt janë marrë deklarimet e personave që kanë dijeni për ngjarjen, nga ku ka rezultuar se në datën 02.05.2024, pasdite, shtetasja Alma Arrazi me fëmijët e mitur, ka shkuar për të pirë kafe me kunatën, shtetasen V.P., në lagjen ‘Iliria’ Shkodër. Aty kanë qëndruar për rreth dy orë dhe më pas shtetasja Alma Arrazi i ka thënë kunatës se do ta merrte prej aty vëllai i saj me taksi, pasi do shkonte një javë tek shtëpia e tij që të qetësohej. Nga administrimi i pamjeve filmike, pasi është ndarë nga kunata, shtetasja Alma Arrazi, bashkë me tre fëmijët, ka ecur në trotuarin e rrugës që të çon te “Ura e Bunës” së vjetër, në drejtim të “Kishës së Zojës”, Shkodër. Dalja nga lokali është në orën 20:10 të datës 02.05.2024”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Pas këtyre momenteve, dyshohet se nëna bashkë me tre fëmijët janë hedhur në lumë.
Discussion about this post