Tenderi i fundit i Arkivës së Shtetit, drejtuar nga Ardit Bido ka risjellë në skenë Vilma Nushin, biznesmenen e tenderave dhe koncesioneve korruptivë. Më datë 23 prill 2024, Arkiva ka njoftuar një tender me objekt ‘Blerje kuti dhe dosje për ruajtje të përhershmen për autoritetet dhe entet kontrakturë rajonale’. Për të blerë këto dosje dhe kuti drejtori Bido ka planifikuar të shpenzojë 282 milionë lekë vetëm për një “lot”|. Mbaje dorën Bido, se kuti kartoni janë! Mirë do ishte të kursehej buxheti i shtetit nga ky super shpenzim!
Dhe sikur jemi mësuar, kur bëhet fjalë për prokurime ku në lojë hidhen shumë para, aty pranë janë edhe peshkaqenët e tenderave. Një e tillë është edhe Vilma Nushi, protagonistja e rreth 400 milionë eurove përfitime nga fondet e shëndetësisë përmes koncesionit famëkeq “Check Up” dhe tenderave.
Komisioni i Bidos, pas raportimeve të medias, e ka shmangur këtë emër që bie në sy, duke e eliminuar nga gara. Rruga që ka ndjekur Nushi është ta çojë vendimmarrjen në një shkallë më lartë ku mund të ketë mundësi ta përmbysë vendimin e parë të Arkivës së Shtetit. Firma e Nushit ka bërë një denoncim ndaj organizatorëve të tenderit, i cili pritet të mbyllet më datë 27 maj 2024.
Në ankesën e “MARKETING & DISTRIBUTION” që është në pronësinë e Vilma Nushit, nënvizohet se kriteri ku kërkohet që “Operatori ekonomik ofertues duhet të paraqesë fletë analiza, ku të ketë bashkëlidhur kartonin e përdorur për dosjet dhe kutitë që janë objekt i kësaj procedure prokurimi, të lëshuara nga një laborator i akredituar, nuk qëndron sepse në Shqipëri nuk ka laboratorë të akredituar për këtë qëllim”.
“Togfjalëshi ‘të lëshuara nga një laborator i akredituar’ krijon konfuzion përsa kohë që laboratorët në vendin tonë nuk janë të akredituar për çdo element të matshëm. Pra, që një laborator të jetë i akredituar në përgjithësi dhe jo duke përcaktuar llojin konkret është diçka evazive”, thuhet në ankesën e Nushit.
Është e qartë se Vilma po ia lehtëson punën drejtorit Bido dhe vetes. Në këto raste, Autoriteti Kontraktor “detyrohet” t’ia dhurojë kontratën firmës që ka ankimuar pas rrëzimit të mundshëm
Ndërkohë, KPP ka treguar se kjo situatë po ndodh edhe me Lotin 1 të këtij prokurimi (pasi tenderi është ndarë në 3 lote, ku në total për dosje dhe kuti do të shpenzohen mbi 3.3 milionë euro) për një afat 4-vjeçar. Në rastin e parë, KPP ka konstatuar se në vend ndodhet një laborator i akredituar i quajtur “EKO STUDIO” shpk, por sipas Vilma Nushit ai nuk plotëson parametrat.
Për më tepër, thekson se është dërguar një kërkesë për të parë informacione Drejtorinë e Akreditimit dhe nuk i është dhënë një përgjigje.
Tenderi Loti 1 “Blerje kuti dhe dosje për ruajtje të përhershme për autoritetet dhe entet kontraktore qendrore”, i synuar sërish nga Vilma Nushi, e ka vlerën 47714964 lekë.
Nuk e dimë të vërtetën që fshihet pas kësaj përplasjeje të drejtori Bido me Vilma Nushin në KPP, por duhet të rikujtojmë se ata vitin e kaluar ishin “miq” në tenderin me të njëjtin objekt. Sepse Bido harxhon çdo vit qindra milionë lekë për të blerë dosje dhe kuti kartoni. Ky drejtor duket sikur jeton në epokën e Gutenbergut, jo në atë dixhitale për të cilën flet çdo ditë kryeministri. Nga njëra thuhet se po dixhitalizohen arkivat, nga ana tjetër harxhohen kaq shumë lekë për kuti kartoni.
Nejse, këtë problem le ta shqyrtojë Kontrolli i lartë i Shtetit, por duam të theksojmë diçka tjetër: Në tetor 2023, Bido i dhuroi kunatit të Vilma Nushit tenderin me fond limit 51,538,312.20 lekë. Madje nuk pyeti për faktin se dy kompani të tjera ofruan nga 150 milionë lekë më pak se Nushi, që përfaqësohej si aksioner në kompaninë “Interlogistic”.
Duke u rikthyer tek tenderi “Loti 1” i këtij viti për dosje e kuti, me të njëjtin drejtor dhe të njëjtën familje oligarkësh, ky rast i shërben raportimit tonë. Këtu, grindja e zyrtarëve me biznesmenët nxjerr zbuluar marifetet se si manipulohen kriteret e tenderave.
Kështu, referuar letrës së firmosur nga administratori i Vilma Nushit drejtuar instancës KPP, mësojmë se si janë thurur kriteret në favor të vetëm një kompanie.
“Në disa raste duke përfshirë edhe rastin aktual të ndodhur në procedurat e mëparshme ku vlerësimi ishte bërë vetëm për parametrin peshë duke mos marrë parasysh asnjë variabël tjetër, kjo në pamundësi për matjen e tyre nga laboratorë të akredituar”, thekson ankesa.
Në këtë tabelë tregohet se si bëhet vlerësimi i operatorëve vetën në bazë të peshës së kartonit, ku fituesi shpallet duke plotësuar vetëm një kriter.
Gjithashtu, vazhdon ankesa, ka një rast hipotetik ku të gjithë variablat/parametrat e kërkuar janë njësoj të rëndësishëm dhe krahasohen me të njëjtën metodë.
Në këtë rast, shohim se fitues del operatori 5, ndryshe nga rasti 1, i paraqitur më sipër.
“Autoriteti kontraktor të mundësojë një konkurrim të drejtë,
të hapur, e gjithëpërfshirës, të barabartë dhe jo diskriminues për të gjithë operatorët ekonomikë, si edhe të mos drejtohen drejt një produkti të vetëm të ofruar nga një operator i vetëm”, thuhet në ankesën e Nushit.
Në fakt, nuk na intereson se cilit oligark do t’ia japë paratë drejtori Bido dhe KPP, por jemi të shqetësuar se ky fond i madh i taksapaguesve shkon për kartona dhe po shpërdorohet me tendera dhe vendime abuzive.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post