Gati një dyzinë programesh universitare të lëndëve shoqërore u mbyllën vitin e fundit akademik në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, ndërsa mungojnë politikat për të tërhequr të rinjtë në fusha studimi që deri para pak vitesh ishin mjaft të kërkuara.
Vetëm në vitin e fundit akademik, Universiteti ‘Aleksandër Xhuvani” në Elbasan ka kërkuar mbylljen e 5 programeve universitare bachelor dhe 6 programeve master. Ndërkohë, të njëjtin fat pritet të kenë edhe 5 programe master, tre profesionalë dhe 2 shkencorë, kryesisht në gazetari dhe studime gjeografike apo letrare.
Sipas informacionit që universiteti vuri në dispozicion pas një kërkese të BIRN, edhe 6 programet e studimit në degë të shpallura prioritet kombëtar nuk kanë arritur të joshin studentë.
Vitin e fundit akademik në këto degë u regjistruan 93 studentë nga 72 që ishin regjistruar një vit më parë. Një rritje prej vetëm 21 studentësh nuk duket se jep shumë shpresë, nëse merret në konsideratë se ndjekja e këtyre profileve u jep mundësinë të rinjve të përfitojnë pagesën sa një pagë minimale në muaj.
Po ashtu degët e cilësuara risi 10 vjet më parë nuk janë më të tilla. Kombinimet e gjuhëve dhe një profil interesant, gjuhë shqipe dhe rome, nuk kanë më studentë prej 3 vitesh dhe destinohen të mbyllen tashmë sipas ligjit të Arsimit të Lartë.
Ekspertët dhe njohës të fushës thonë se tkurrja është pasojë e dështimit të universitetit për të ofruar kurrikula cilësore si dhe dështim i politikave shtetërore të nxitjes edhe në ato degë ku ofrohet pagesë.
Të gjithë për infermieri
Universiteti i Elbasanit ka aktualisht rreth 7531 studentë, nga të cilët 4284 janë studentë të profilit universitar, 1160 janë programe profesionale 2 vjeçare, ndërsa pjesa tjetër janë niveli master.
Numrin më të madh të studentëve e ka fakulteti i Shkencave Mjekësore Infermieri, një fakultet i hapur më vonë se të tjerët, por që është kthyer në më të kërkuarin për shkak të emigrimit të profesioneve shëndetësore kryesisht drejt Gjermanisë.
Antoni, një student që vjen nga Fieri, thotë se është duke vazhduar infermierinë si program të dytë studimi, pasi fakulteti i parë për gjeografi nuk i ofron asnjë hapësirë punësimi.
“E kam mbaruar një program studimi në vitin 2020 dhe nuk më bëri punë, por qëndrova gati tre vite duke punuar si kamarier. Kur e pashë që nuk mund të zgjidhja gjë me arsimimin tim vendosa të vazhdoj infermierinë”, thotë Antoni.
Ai tregon se po paguan tarifa shtesë, pasi ka fakultet të dytë, por nuk sheh asnjë zgjidhje tjetër. “E di që ka kosto, por kjo është një punë e sigurt për mua. Jam duke mësuar edhe gjermanishten për të arritur nivelin që kërkohet e të emigroj,” thotë ai.
Edhe Doriana, e cila mbaroi gjimnazin në Elbasan me rezultate shumë të mira dhe mund të arrinte edhe degë të tjera, vendosi të vazhdojë infermierinë. “Është një profesion që e ka punën e sigurt, qoftë këtu edhe qoftë jashtë. Kam dashur edhe degë të tjera, por në familje vendosëm që kjo është zgjedhja më e mirë për të ardhmen time,” thotë ajo.
Ajo nuk e ka vendosur ende nëse do të ikë nga Shqipëria, por infermieria sipas saj, do ta ndihmojë që kudo që të shkojë të ketë mundësi punësimi. “Jam duke e menduar largimin për shkak të të ardhurave që të ofron ky profesion diku tjetër. Ende nuk kam nisur gjë. Ndoshta në verë filloi kursin e gjermanishtes,” thotë ajo ndërsa shton se të gjithë shokët apo shoqet e saj ose e kanë filluar ose do ta fillojnë një kurs gjermanishteje.
Ndërkohë, në degët e tjera studentët kanë filluar të ndjehen të vetmuar. Degë që rrezikonin mbylljen kanë deri në 10 studentë, gjë që nuk krijon një konkurrencë apo as ofron cilësi të rëndësishme në universitet për të sjellë më pas një produkt të kualifikuar mësuesish.
Edja Feçanji, e cila ka zgjedhur gjuhë-letërsinë, një degë e shpallur prioritet kombëtar, merr për shkak të mesatares së mirë dhe notave një pagesë prej 40 mijë lekësh që ofrohet nga shteti për studentët që ruajnë mesataren mbi 7.5 dhe nënshkruajnë një marrëveshje që do të punojnë të paktën 3 vjet në profesion në Shqipëri.
“E zgjodha degën se më pëlqen, por edhe sepse është një prioritet kombëtar,” thotë ajo.
Si ajo ka edhe studentë të tjerë që kanë fituar bursën, por edhe shumë që nuk plotësojnë kriteret dhe viti i ardhshëm mund të reflektojë edhe një numër më të ulët regjistrimesh për shkak të mungesës së informacionit.
Degë që çalojnë në numrin e studentëve janë të shumta, por që të mbyllen do t’u duhet tre vite akademike pa studentë. Kështu gazetaria dhe gazetari-anglisht nuk kanë më studentë prej dy vitesh, ndërkohë që histori-gjeografia, disa gjuhë të huaja dhe matematikë- fizika po përpëliten për studentë.
Politika të dështuara
Ndërsa universiteti ka pësuar ndryshime për shkak të tregut të punës, drejtues të tij thonë se si strategji për të shtuar studentët kanë përmirësimin e infrastrukturës.
“…Planfikojmë përmirësimin e infrastrukturës për të garantuar siguri dhe vijueshmëri akademike, ofrimin e këshillimit të karrierës dhe marrjen pjesë në panaire, për të rritur numrin e studentëve,” tha në përgjigjen me shkrim zv.rektori Peçi Naçellari.
Ai shtoi gjithashtu se “do të vazhdohet në përmirësimin e cilësisë, duke shtuar këtu investime në infrastrukturë, hapjen e programeve të reja që janë trend dhe përmirësimin e shërbimeve për studentët”.
Por Erjon Muça, një ekspert i çështjeve të punësimit, thotë se zgjidhja e krizës së universiteteve është tek profilizimi, studimi i shpejtë i tregut të punës dhe përshtatja e kurrikulave për të nxjerrë profesionistë që punësohen.
“Në Shqipëri ka ardhur koha që universitetet të profilizohen dhe të mos mbajnë të hapura degë, profesionistët e të cilave nuk e gjejnë veten në degën e tyre por shkojnë në diçka të përafërt apo të ndryshme. Universitetet duhet të kthehen në institucione që përditësohen shpejt, janë fleksibël dhe të mos përpiqen të mbajnë hapur ato degë që tregu nuk i përqafon”, thotë ai.
Muça thekson edhe disa problematika që kanë sjellë këtë situatë, ku universitetet janë në prag të dështimit, është arroganca e treguar herë pas here dhe vonesat në vlerësime, kurrikulat e ngurta dhe mungesa e meritës së punësimit të pedagogëve dhe stafit. Muça thotë se është emergjente që universiteti të investojë “në kërkimin shkencor, pikërisht për të gjetur zgjidhje në kushtet e kërkesave të tregut dhe kohës ku jetojmë”.
Ndërkohë, Ervis Çota, drejtues i organizatës Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome thotë se mbyllja e disa programeve të studimit do të krijojë pasoja të rënda në arsim vitet e ardhshme.
“Situata me degët e gjuhës, historisë apo matematikës do i tregojë efektet disa vite më vonë tek fëmijët tanë, që nuk do të kenë më mësues të aftë për t’i mësuar. Do kemi breza që nuk do dinë të shkruajnë saktë shqip, nuk do mësojnë historinë e vendit amtar dhe nuk do kenë marrëdhënie të mirë me shifrat,” thotë Çota
Ai thekson se shteti shqiptar duhet të ndërhyjë sa më shpejt me politika për të ndalur eksodin dhe për të mundësuar rigjallërimin e universiteteve.
“Politikat shtetërore duhet të balancojnë interesat e studentëve duke vënë rëndësinë në degë që ka nevojë tregu i punës. Nuk mjafton që të vendoset një pagesë, që mund ta shtojë numrin, por jo të jetë zgjedhje e të rinjve. Duhet të ndryshojë tërësisht politika për profesionin e mësuesit, që duhet të jetë i vlerësuar dhe i lakmuar nga të rinjtë në bazë të meritave dhe jo në baza partiake,” përfundoi ai/ BIRN
Discussion about this post