Kryedemokrati Lulzim Basha ka marrë fjalën në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së, të thirrur nga ai për bashkimin e demokratëve pas përplasjeve të fundit në parti.
Basha tha nga salla e Pallatit të Kongreseve se është koha e disa të vërtetave të mëdha që nuk janë thënë deri tani, duke shtuar se në PD s’ka vend për njerëz që kanë lidhje me diktaturën.
“E nis me një mesazh për ata që bënë për një kohë të shkurtër grumbullimin më të madh të organit të Kuvendit Kombëtar të Demokratëve. Kam një kënaqësi të madhe teksa ju shoh të gjithëve bashkë. Dua durim dhe mirëkuptim edhe për ata që kanë pasur shumë për të thënë, por nuk kanë pasur kohë, si profesor Uka. Për të marrë shumë shpejt vendime që presin. Jemi mbledhur për të thënë të vërtetë që kemi kohë për të shqiptuar, ose vetëm i kemi belbëzuar. E di që disa mund të mërziten prej tyre, por sot jemi mbledhur në emër të së vërtetës sepse e vërteta është e vetmja rrugë për çlirimin e demokracisë. Zgjedhim të ardhmen është një qëndrim politik në të cilin ftohen sot përfaqësuesit në pallat. Dua tu them të gjithë demokratëve se thelbi i asaj që zgjedhim sot do të jetë përcaktues për Shqipërinë e të nesërmes. S’ka në radhët tona njerëz që na turpërojnë, njerëz që kanë lidhje me diktaturën”, tha Basha.
Paralelisht me Kuvendin Kombëtar të thirrur nga kreu i PD, ish-kryeministri Sali Berisha ka ftuar në referendum mbështetësit e tij për shkarkimin e kryetarit.
Discussion about this post