Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi masat e sigurisë dhënë në mungesë për 9 persona, 5 prej të cilëve “Arrest në burg” e 4 “Arrest në shtëpi”, lidhur me procedimin penal të mashtrimit përmes mikrokredive.
Një nga të arrestuarit deklaroi në seance se “po gjykohen si në komunizëm, kanë ushtruar aktivitet të ligjshëm dhe se nga ana e përmbaruesve janë zbatuar detyrimet”. “Jam thjesht një rrogtar me një pagë qesharake”, deklaroi një nga personat e akuzuar që ka punuar si përmbarues.
Deri më tani, 8 nga 9 masat e sigurisë janë ekzekutuar, ndërsa një person është shpallur në kërkim.
Sipas hetimeve: 3 shoqëri përmbarimore dhe 2 institucione financiare, me ndihmën e një noteri dhe të disa avokatëve, kanë krijuar skemën e shtrëngimit të debitorëve nëpërmjet procesit përmbarimor për marrjen e kredive të reja. Subjekte të ndryshme, në kushtet e mirëbesimit, janë mashtruar për të marrë kredi të reja te institucionet financiare, për të likuiduar kredi të vjetra që ata kishin në banka, dhe këto kredi ishin blerë nga një institucion financiar. Me marrjen e një kredie të re nga ky institucion, zhbllokoheshin përkohësisht pasuritë dhe llogaritë e debitorëve, por më vonë dilte një kërkesë e re për likuidimin e shumave të tjera.
Në vitin 2019, Ministria e Drejtësisë iu ka hequr përmbaruesve privatë, licencën për ushtrimin e detyrës.
Masat e sigurisë
“Arrest në burg”, është caktuar për Aldo Daka, 35 vjeç, Albert Gega, 36 vjeç, Edmond Mato, 51 vjeç dhe Arben Meskuti, 46 vjeç, të gjithë banues në Tiranë;
– “Arrest në shtëpi” është caktuar për Kejda Seferi, 36 vjeçe, Elda Ibro, 42 vjeçe, Alketa Tanushi, 39 vjeçe, dhe Jorsida Dervishi, 35 vjeçe, të gjitha banuese në Tiranë.
Alban Kote, 43 vjeç, është shpallur në kërkim policor. Edhe ndaj tij është caktuar masa e arrestit në burg.
Akuzat
Ndaj të nëntë personave rëndon akuza për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Gjithashtu, përmbaruesit Arben Meskuti, Alban Kote dhe Alketa Tanushi akuzohen se kanë konsumuar elementet e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Kejda Seferi, në cilësinë e përmbarueses dyshohet se ka konsumuar elementet e veprës penale të ‘Vjedhjes’.
Aldo Daka, Albert Gega dhe Edmond Mato, në cilësinë e administratorëve të shoqërive përmbarimore Star-FS dyshohet se kanë konsumuar elementet e veprës penale të vjedhjes.
Elda Ibro, administratore e “MCA”, dyshohet se ka konsumuar veprën penale të ‘vjedhjes’.
Hetimet
Prokuroria e Tiranës saktëson se ka regjistruar kallëzimin penal nr.3464, datë 25.02.2020, pas një denoncimi nga Ministria e Drejtësisë ndaj subjekteve Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH si dhe përmbaruesve të tyre.
Sipas prokurorisë: Këto shoqëri morën nga banka ‘ProCredit’ 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimerrnin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.
Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA. Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera.
Kjo skemë është përdoruar tek kredimarrës të ndryshëm, të cilët rezultojnë të jenë viktima të vjedhjes së pasurisë së tyre, duke shkaktuar një dëm shumë të lartë ekonomik ndaj këtyre shtetasve apo enteve private dhe publike.
Nga ana tjetër, këto institucione financiare aplikonin një kamatë vonesë prej 2% + 8% për çdo vit dhe sipas aktit të ekspertimit kontabël, vlera totale fillestare e detyrimit principal për të gjithë urdhrat e vendosur me palë kreditore shoqërinë ‘Micro Credit Albania’ Sh.a është në shumën 575,842,669.60 lekë. Ndërsa totali i kamat vonesës ligjore sipas normës 2% + 8% në vit është në shumën 258,687,709.07 leke.
14 prona të bllokuara për 3 mln lekë
Në aktet hetimore të administruara, thotë akuza, janë evidentuar rastet konkrete për fenomenin e vendosjes së sekuestrove konservative mbi pasuritë e paluajtshme që janë shtrirë dhe ndaj personave që nuk kanë lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
“Rast tipik i kësaj natyre është çështja përmbarimore ku për një detyrim të prapambetur prej 347.958 lekësh, Micro Credit Albania ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme të një shtetasi”, sqaron më tej prokuroria.
Nën hetim dhe Guvernatori Gent Sejko
Prokuroria e Tiranës ka vlerësuar se përgjegjësi penale për rastin ka edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Më 29 dhjetor 2022, Sejko vendosi të pezullojë licensën e subjektit financiar jo-bankë ‘Micro Credit Albania’ për kredidhënien, por i lejoi asaj që të vazhdonte aktivitetin e mbledhjes së detyrimeve për portofolet e kredive të blera.
Megjithatë, Prokuroria e Tiranës vlerëson se ky vendim ishte jo vetëm i vonuar, por edhe papërshtatshëm në raport me shkeljet e konstatuara. Sipas prokurorisë, Sejko ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe materialet në ngarkim të tij i kanë kaluar Prokurorisë së Posaçme – SPAK, për kompetencë.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, i pyetur një ditë më parë për rastin në komisionin parlamentare të ligjeve, nuk dha komente, duke u shprehur se “çështja është nën hetim”.
Vetë Sejko ka deklaruar se ka vepruar në përputhje me ligjin duke mohuar akuzat ndaj tij.
Lexo edhe: Fotot/ Kush janë të arrestuarit për skemën e zhvatjes me mikrokreditë
Discussion about this post