Mëngjesin e sotëm është dhunuar me mjete të forta avokati Sokol Mëngjesi.
Dhunuesit e avokatit të Sali Berishës ishin të veshur me rroba të zeza dhe mbanin kapele në kokë.
Ata shfaqen duke u larguar me vrap pasi kanë goditur me doreza hekuri avokatin, i cili ndodhet në intubim në spitalin e Traumës në Tiranë.
Dhunimi i avokatit Sokol Mëngjesi ndodhi pranë kopshtit 31, në zonën e ish-Bllokut, kur ai sapo kishte çuar fëmijën. Agresorët i zunë pritë, teksa Sokol Mëngjesi po lëvizte në këmbë, në një zonë të frekuentuar nga shumë qytetarë e të mbuluar me kamera sigurie dhe e goditën disa herë me leva në kokë duke e lënë pa ndjenja.
Pas krimit, dhunuesit u larguan në këmbë nëpër rrugica ku i priste një automjet. Ndërsa avokati u transportua me urgjencë drejt spitalit.
Avokatit iu bë skaneri, ku u evidentuan dy hematoma në kokë për të cilat do të pritet për 48 orë për të parë parametrat shëndetësorë të tij. Ai është në gjendje të rëndë shëndetësore, teksa është futur në intubim.
Policia e Tiranës ka shoqëruar dy persona, po merren në pyetje nga grupi hetimor si persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Burime bëjnë me dije se njëri prej tyre është vëllai i një prej autorëve.
Sokol Mëngjesi është avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha në çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, i Mirel Mërtirit në çështjen e Inceneratorit të Tiranës, teksa më herët ka qenë edhe avokat në çështjen e shtetasit turk Faruk Ozer, i arrestuar për mashtrim me kriptomonedha.
Sokol Mëngjesi ka dhe një karrierë akademike në Universitetin e Tiranës, ku momentalisht është pedagog në Fakultetin e Drejtësisë.
Discussion about this post