Festë në Bashkinë e Tiranës! Erion Veliaj alias Lali Eri ka plane për një event surprizë që do të organizohet shumë shpejt. Këtë e morëm vesh nga një tender që ka organizuar Ndërmarrja e Dekorit dhe Eventeve Tiranë, e cila është në varësi të bashkisë. Prokurimi është me objekt “Blerje Fishekzjarrë” dhe Veliaj ka menduar të shpenzojë plot 42 milionë lekë.
Tenderi është shpallur më datë 23 maj 2024 dhe gara ishte e hapur deri më 3 qershor 2024. Por, edhe pse janë shumë para për këto fishekzjarrë, vetëm firma “ALBAFIREëorks” sh.p.k ka shfaqur interes. Kompania ka dorëzuar një ofertë sa 98% e fondit limit, me vlerë 41 milionë lekë pa TVSH.
Oferta është e shtrenjtë dhe për më tepër nuk ka asnjë konkurrent përballë. Më mirë do të ishte që Veliaj ta anulonte tenderin dhe të priste oferta më të përshtatshme. Në fakt më mirë të mos e bënte fare këtë blerje dhe t’ua kursente 42 milionë lekë qytetarëve tiranas.
Megjithatë shohim se procedurat për këtë tender kanë vazhduar me një ofertë të vetme dhe më datë 6 qershor 2024 është publikuar kontrata.
Kjo është një situatë “Déjà vu” në tenderët e Lali Erit dhe nuk është çudit që “ALBAFIREworks” sh.p.k mund të jetë përcaktuar që në fillim si fituese. Për këto shkelje Open Data Albania i ka vendosur tenderit “Flamurin e Kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.
Ndërkohë në dokumente shohim se si stafi i Veliajt është lodhur që të specifikojë me detaje çfarë fishekzjarrësh duan, sepse ndryshe iu prishet magjia e festës që kanë parashikuar. Shohim aty se kërkohen fishekzjarrë shatërvan, ku Lali Eri kërkon që të shpërthejnë shkëndijat dhe yjet të ndjekur nga disa kërcitje dhe fishkëllima që zgjasin 35 sekonda.
Për këtë festën “e papërcaktuar”, Veliaj ka kërkuar edhe fishekzjarrë kuti shpërthyese Torte, ku secili prej tyre duhet të ketë 144 gjuajte, imagjinoni pastaj sa do jenë në total. Por, ende nuk ka mbaruar festa!
Do të blihen edhe fishekzjarrë në formën e një tub kartoni me gjuajtje te njëpasnjëshme brenda produktit, me kohëzgjatje mbi 15 sekonda. Ndërkohë ato që na bënë më shumë çudi janë fishekzjarrët tymues. Të paktën këto duhej të ishin kursyer se stafi i Bashkisë u mbyt nga tymi i gomave sa herë protestohet që të arrestohet Lali Eri. Kryetari Veliaj shpëton se pret biletën për udhëtime në këto raste, por policët e bashkiakë e dinë se ç’heqin.
Kështu, paratë e taksapaguesve të bashkisë Tiranë do të stolisin qiellin në këtë festë që nuk e dimë ku do të zhvillohet.
Kush po i merr paratë e këtij tenderi?
Kompania fituese është krijuar më 2022, posaçërisht për të marrë në dorë furnizimin me fishekzjarrë të Lali Erit. Pronarët janë Arbër Dingu, Luan Dingu dhe Mirela Kruja. Sipas të dhënave të Qendrës së Biznesit, “ALBAFIREëorks” nuk ka depozituar bilanc ekonomik të vitit 2023.
Ndërkohë që kërkesa e tenderit për kapacitetin financiar është dorëzimi i tre pasqyrave të vitit 2021, 2022 dhe 2023.
Po ashtu, kompania meqenëse është e re nuk plotëson kriterin e kapacitetit teknik për të fituar këtë tender.
Më sipër janë kontratat e marra nga kompania të fituara me firmat e Lali Erit, ku asnjë prej tyre nuk është sa 40 % e vlerës se kontratës 42 milionë lekë që bashkia Tiranë ka firmosur me këtë kompani.
Kujtojmë se Lali Eri i dha kësaj kompanie edhe tenderin e fishekzjarrëve për vitin e ri 2023.
Në fakt kjo kompani duket se është vazhduese e kontratave të fituara në vite nga Mirela Kruja nga Bashkia Tiranë me firmën tjetër “Albafire” për fishekzjarre, qysh nga viti 2017. Duket se kohët e fundit Kruja është shumë e zënë me kontratat e majme nëpër bashkitë e vendit përfshirë Tiranën për blerje armësh për paralizimin e qenëve.
Kështu, u krijua kompania e re që të marrë tenderat e tjerë, me të cilët nuk mund të angazhohet vetë Mirela Kruja. Megjithatë, kjo zhvatje nuk mund të zgjasë pa fund, sepse Lali Erit po i afron dita që të japë llogari para SPAK-ut.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post