Një drejtor në Korçë sfidon hapur SPAK-un. Ndërkohë që po hetohet për lidhjet me Klodian Zoton dhe përvetësimin e parave nga inceneratori i Tiranës, Petrit Tare vazhdon aferat me tenderat. Së fundmi, në pozicionin e Drejtorit të Ujësjellësit Korçë, Tare po abuzon me paratë e projektit për të shpuar një pus uji që do të furnizojë fshatrat Kuç i Zi dhe Belorta. Kështu, fshatarët presin ujin, ndërsa drejtori abuzon me tenderin. Dhe nuk bëhet fjalë për pak, por për 763 milionë lekë.
Tenderi shpallet në emër të ndërmarrjes që nuk ekziston në QKB
Gijotina.com ka dyshime se këto para po përvetësohen përpara se të shkojnë për ndërtimin e pusit të ujit për banorët e dy fshatrave. Fakti i parë që ngre pikëpyetje është se tenderi “Rikonstruksioni i skemave të furnizimit me ujë për fshatrat Kuç i Zi dhe Belorta, Bashkia Korçë” është regjistruar në Agjencinë e Prokurimeve Publike në emër të një Autoriteti Kontraktor që juridikisht nuk ekziston.
Kështu, në APP ky tender rezulton të jetë shpallur nga Sh.A Ujësjellës Kanalizime Korçë dhe po ashtu është firmosur nga ish-drejtori likuidator i shoqërisë. Shpjegojmë për lexuesin, se vitin e kaluar ky ujësjellës është falimentuar dhe është krijuar një ndërmarrje e re me identitet të ri, e cila quhet “Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Korçë” dhe ka drejtor Petrit Taren.
Më poshtë po ju tregojmë dokumentin e likuidimit të kësaj ndërmarrje.
Pra, në 25 korrik 2023, me firmën e drejtorit likuidues Pandi Qirinxhi, është bërë falimentimi dhe likuidimi i shoqërisë dhe kalimi i saj në ndërmarrjen e re që e drejton Tare.
Ndërkohë, nga interesimi ynë në QKB, del se ky Autoritet Kontraktor që bën sot tenderin, është çregjistruar 1 vit më parë.
Fërkojmë sytë, se mos është përdorur pa dashje ky emërtim dhe gjejmë se fituesi i tenderit është shpallur dhe firmosur nga ish-drejtori likuidues Pandi Qirinxhi, tashmë në rolin e Zyrtarit të Autorizuar të Autoritetit Kontraktor (nga Petrit Tare). Në këtë rast, emri i AK është shkruar drejtë SHOQËRIA RAJONALE UJËSJELLËS KANALIZIME KORÇË SH.A. Theksojmë se kjo është e njëjta shoqëri, pavarësisht emrit, por “ngatërresa” emërtimit e bën të pavlefshëm veprimin financiar.
Tenderi me “Flamur të kuq”
Më datë 25 qershor 2024 është njoftuar prokurimi nga Ujësjellësi. Në këtë procedurë ishin 8 oferta të dorëzuara por miku i Niko Peleshit dhe i Sotiraq Filos i ka skualifikuar të gjitha kompanitë, përveç fituesit. Për 4 prej firmave nuk ka dhënë asnjë argument për skualifikimin.
Me këtë skemë drejtori Tare më 2 maj 2024 i ka hapur rrugë firmës që me siguri e kishte paracaktuar. Pa asnjë konkurrent përballë në fazën finale, me propozimin 572 milionë lekë, kontrata është marrë nga ALMO KONSTRUKSION, në pronësi të Edmond Bitrit.
Më 25 qershor 2024 u regjistrua në APP emri i fituesit, që u mbajt pak kohë në sirtar. Epo, duhej fshehur disi gjurma e abuzimit me tenderin, por “Flamuri i Kuq” i vendosur nga Open Data Albania tregon çdo gjë. Flamuri është shenja e riskut të korrupsionit.
Ndërkohë me rëndësi është edhe fakti që përmendëm në fillim se, banorët e këtyre dy fshatrave kanë që në vitin 2021 që bëjnë ankesa dhe denoncime për mungesën e ujit.
Fshati Belorta i cili ndodhet vetëm 10 kilometra larg qytetit të Korçës, prej vitesh vuan mungesën e ujit. Në gusht të viti 2021 banorët zhvilluan disa ditë protestë, duke thënë se mali që rrethon zonën ka mjaftueshëm ujë, por duhet rrjeti që të shpërndajë ujin në çdo banesë. Në verën e vitit 2022, banorët dolën sërish në protestë ku tregonin se si shkonin të mbushnin ujë shumë larg shtëpive.
Në Shtator të viti 2023 ata dolën sërish në protestë duke thënë që prej qershorit ishte ndërprerë plotësisht uji. Ndërkohë edhe në fillim të këtij viti ka patur sërish ankesa.
E njëjta situatë ndodh prej vitesh edhe në fshatin Kuç i Zi, ku fjala e mbi 200 banorëve ka rënë në vesh të shurdhët. Sakaq punimet, sipas projektit, pritet të zgjasin deri në fund të viti, pasi në kontratë është caktuar afati 8 muaj. Kjo do të thotë që edhe këtë verë përvëluese banorët e këtij fshati do ta kalojnë pa ujë.
Tare i implikuar në skandalin e Inceneratorit Tiranë
Petrit Tare, burri i ish-gjyqtares në Korçë, Entela Priftit, ka dëshmuar këto ditë në SPAK rreth lidhjes së tij aferën e Inceneratorit të Tiranës dhe rolin e ministrit Niko Peleshi.
Kontaktin mes Klodian Zotos dhe Niko Peleshit, e ka bërë Drejtori i Ujësjellësit të Korçës, Petrit Tare, i cili ka udhëtuar me lekët e Zotos së bashku me Niko Peleshin nga Shqipëria në drejtim të Italisë, për të parë impiante fotovoltaike, biznes që Zoto e kishte propozuar fillimisht verbalisht dhe 1 muaj pas vizitës ja ka shkuar me dokument propozimin UKKO-së (Shoqëria e Ujësjellësit).
“…për herë të parë, Klodian Martirin e kam njohur në kuadrin e këtij projekti nga prezantimi që më ka bërë drejtori i UKKO-së, Petrit Tare…”-ka deklaruar në SPAK Niko Peleshi.
Peleshi, tregon në dëshminë e tij se ai nuk ka pasur njohje me Zoton, por prezantimin me këtë individ ja paska bërë Petrit Tare, me detyrë drejtor i UKKO-së.
Tare, është burri ish-kryetares të Gjykatës së Apelit Korccë Entela Prifti, e shkarkuar nga procesi i “Vettingut”.
Marrëdhënia e tij me Zoton është hasur dhe tek blerja nga UKKO-ja e sahatëve për matjen e ujit, sende këto që u blenë pikërisht tek kompania e në lidhjen e marrëveshjes me “Integrated Technology Services”.
Siç del edhe në dosjen hetimore Petrit Tare, kishte krijuar më parë një njohje me Klodian Zoton, ku fillimisht së bashku kanë rënë dakord për të bërë një investim të impiantit fotovoltaik në Korçë, me qëllim prodhimin e energjisë elektrike.
Por ky bashkëpunim mes burrit të ish-gjyqtares dhe Klodian Zotos, është zgjeruar më tej, pasi disa vite më vonë familjarët e Petrit Tares, do të bënin biznes dhe merrnin pagesa nga kompania e Klodian Zotos.
Kjo pasi në 10 shtator 2020, bashkëshortja e Petrit Tares, ish-gjyqtarja Entela Prifti, regjistron një kompani në QKB, me emrin “B by DC”. Kjo kompani ka aksionere të vetme “Dictum Consulting” me ortake të vetme Entela Priftin.
Ndërkohë në datën 14 dhjetor, sipas të dhënave zyrtare, “Dictum Consulting” i shet 100 për qind të aksioneve tek Elio Tare.
Pra, nëna i shet djalit 100 për qind të aksioneve të kompanisë që themeloi vetë 3 muaj më pare, me një çmim prej 100 lekë të reja.
Kjo kompani fillon shumë shpejt të marrë pagesa të majme nga “Integrated Energy”, kompania e inceneratorit të Tiranës, që zotërohet në hije nga Klodian Zoto.
Sipas të dhënave, nga tetori i vitit 2021 kompania e djalit të Petrit Tares, themeluar nga Entela Prifti, për një periudhë disamujore ka marrë 73 millionë lekë nga inceneratori i Tiranës.
Lidhur me marrëdhënien që Petrit Tare ka pasur me Klodian Zoton, në 14 shkurt 2024 Tare është thirrur në SPAK, duke dhënë dëshmi para oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Tare ka deklaruar se:
“…nga viti 2013, muajin nuk e mbaj mend, kujtoj që erdhi një propozim nga shoqëria “F.M.O” shpk, në formë shkresore zyrtare drejtuar UKKO Sh.a, për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me qëllim prodhimin e energjisë elektrike.
Ky propozim ka ardhur nga Klodian Zoto dhe Arenc Myrtezani si përfaqësues të shoqërisë “F.M.O”.
Unë e dija paraprakisht, që do sillnin një propozim për ndërtimin e një impianti, pasi për këtë ne bëmë dhe një vizitë në Itali për të parë nga afër disa projekte fotovoltaike të shoqërisë “FUTURA”, me qëllim për t’u siguruar për kapacitetin e shoqërisë. Kjo vizitë në Itali, ka qenë, 1 muaj ose 2 muaj para propozimit.
Në këtë vizitë kam udhëtuar me Klodian Zoto dhe Niko Peleshi, nga Tirana nëpërmjet Rinasit në drejtim të Barit. Më pas atje kemi udhëtuar me makinë me qera për në Romë…”.
Sipas dëshmisë që Petrit Tare ka dhënë në SPAK makinën e ka paguar Klodiani, i cili kur zbritën në aeroportin e Barit, ka shkuar ka marë makinën dhe më pas është kthyer duke i marë të gjithë e më pas janë nisur drejt Romës.
“…biletën time të avionit e ka paguar Klodian Zoto, ndërsa për Niko Peleshin, nuk më kujtohet. Rrugës për në Romë, kemi parë impjante fotovoltaikë.
Në udhëtimin nga Bari për në Romë ka qenë prezent dhe shtetasi Mirel Mërtiri, por nuk më kujtohet se ku jemi takuar fillimisht. Nëse ka ardhur që nga Rinasi a jemi takuar në Bari, këtë nuk e mbaj mend.
Qëllimi i udhëtimit, ka qenë për të vizituar impjantet fotovoltaike të kompanisë italiane “Futura”, për të parë eksperiencën e tyre, kapacitetet dhe prezantimin e kompanisë.
Vendi ku ndodhej kompania ishte midis qytetit të Barit dhe Romës vendi i saktë nuk më kujtohet.
Aty kemi qëndruar një natë në hotel. Nuk e di kush ka paguar hotelin nëse ka qenë Klodian Zoto apo kompania italiane “Futura”, por di që unë s’kam paguar gjë.
Të nesërmen kemi vizituar impjante të tjera të kësaj kompanie dhe pasdite jemi nisur për në Romë…”-ka treguar Petrit Tare.
Më tej Petrit Tare ka treguar në SPAK se kur kanë mbërritur në Romë në darkë kanë shkuar në hotel, i cili ka qenë në qendër mbrapa Koloseut, por emrin e hotelit nuk e mbante.
Më pas nga hoteli kanë lëvizur me taksi për darkë dhe kanë shkuar në një restorant, të cilin Petriti nuk e mban mend me emër.
“…në restorant jemi takuar me Arben Ahmetaj dhe italian Francesco Pistritto. Nuk e mbaj mend mire a i gjetëm në restorant apo erdhën më vonë.
Kjo ka qenë hera ime e parë që jam takuar me Arben Ahmetaj, të cilin e njihja si emër, por jo nga afër.
Aty janë diskutuar biseda politike. Me sa kuptova, Arben Ahmetaj kishte lidhje shoqërore me Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, por me Klodian Zoto ishte si më afrueshëm.
Gjithashtu dhe Francesco Pistritto, kishte njohje të mëparshme me ta. Më pas u ndamë dhe shkuam në hotel dhe të nesërmen jemi nisur për në aeroport për në Tiranë.
Edhe në këtë rast biletat e avionit ishin të paguara nga Klodian Zoto. Lidhur me pagesën e darkës mund të sqaroj se unë nuk kam paguar gjë.
Pas kësaj momenti propozimi i marrë nga “F.M.O” iu dërgua Këshillit Mbikëqyrës, në bazë dhe të një relacioni të shoqërisë UKKO sh.a. Këshilli Mbikëqyrës vendosi pozitivisht dhe më pas u vijua me miratimin nga Këshilli Bashkiak në cilësinë e pronarit të kompanisë UKKO.
Më pas këshilli bashkiak doli me vendimin që e pranoi projektin dhe nxori autorizim për mua në cilësinë e Drejtorit të shoqërisë UKKO, për kryerjen e procedurave për realizimin e këtij projekti.
Janë vijuar më pas të gjitha kërkesa për lejet, si leja për ndërtimin, leja për prodhim energjie, etj…”-ka treguar në SPAK, Petrit Tare.
Rrjeti që ka marrë para nga inceneratorët, nga afera më e madhe e korrupsionit deri më tani, është shtrirë në të gjithë vendin.
Pjesë e këtij rrjeti është edhe drejtori i Ujësjellësit të Korçës, Petrit Tare.
Kjo histori ka filluar me Ujësjellësin e Korçës me disa kontrata të lidhura, për “Financimin dhe Instalimin e një sistemi elektronik për matësit e ujit” nga Klodian Zoto dhe kompania e tij, “ITS”, me vlerë gati 6 milionë dollarë.
Gjithçka ka ndodhur në vitin 2014, sipas një auditimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka zbuluar se ka pasur procedura të parregullta për financimin dhe instalimin e matësve.
KLSH ka dënuar me gati 10 milionë lekë të vjetër administratorin e kompanisë, titullarin e autoritetit, Petrit Tare. Në janar 2014, KLSH kallëzoi në prokurori edhe ish-drejtorin e Ujësjellësit të Korçës, Petrit Tare, për shpërdorim detyre në lidhjen e marrëveshjes me “Integrated Technology Services”, por çështja me siguri është mbyllur nga ndikimi i i bashkëshortes që ishte gjyqtare.
Pas gjithë këtyre bëmave, kuptohet përse Petrit Tare është akoma drejtor në krye të Autoritetit Kontraktor që ka kryer tenderin korruptiv të rikonstruksionit të ujësjellësit të dy fshatrave në Korçë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post