Katër prona të paluajtshme dhe tre shoqëri tregtare – mes tyre ajo “5D Konstruksion” si dhe një pjesë e kuotave e “Mediterranean Investment Group” që po ndërton një hotel me 5 yje në Durrës, janë vënë nën sekuestro. Vendimi për sekuestron i marrë nga Gjykata e Posaçme, që ka pranuar kërkesën e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, lidhet me hetimet për procedimin penal nr.75, të vitit 2023 – i njohur edhe dosja “5D”.
Pasuritë e sekuestruara janë nën pronësi të drejtorëve të Veliajt: Redi Molla, Mariglen Qato dhe familjarëve të tyre.
Në një njoftim për mediat këtë të martë, SPAK bën me dije se janë kryer veprime të mëtejshme hetimore për të përcaktuar shumat monetare që janë përfituar nga shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k. si rezultat i realizimit të kontratave publike të përfituara në kundërshtim me ligjin dhe me rregullat e prokurimit publik, si dhe si rezultat i veprimeve të kundraligjshme që përbëjnë veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara nga nenet 258 dhe 259 të Kodit Penal.
Po kështu, shton se janë kryer veprime hetimore për të verifikuar mënyrën e qarkullimit të shumave monetare që përbëjnë “produkt” të veprës penale, duke përfshirë veprimet financiare të kryera nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k brenda aktivitetit të saj tregtar, si dhe destinacionin e shumave monetare të transferuara nga shoqëria tregtare në drejtim të subjekteve të tjera tregtare apo në drejtim të personave të tretë.
Konkluzionet
Nga veprime hetimore të kryera në këtë drejtim, sqaron SPAK, janë mbledhur provat e nevojshme nga të cilat krijohen dyshime të arsyeshme se, shumat monetare të përfituara në mënyrë të parregullt nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k që përbëjnë “produkt” të veprës penale, pjesërisht janë nxjerrë jashtë sistemit bankar nëpërmjet skemës së pagesave për punime fiktike duke u disponuar në gjendje “cash” nga pronarët e vërtetë të shoqërisë tregtare, si dhe pjesërisht janë ri-investuar në aktivitetin tregtar të shoqërisë tregtare të mësipërme.
Hetuesit kanë arritur në konkluzion se shumat monetare të përfituara në gjendje “cash” janë përdorur më pas për të investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme.
Pasuritë e sekuestruara
Më 24 Qershor, Prokuroria e Posaçme ka paraqitur GJKKO kërkesën për vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për disa pasuri që në vlerësimin e saj mundet të konfiskohen. Më 5 Korrik, Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e akuzës.
SPAK bën me dije se Pasuritë e vendosura nën sekuestro janë:
- Shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, si shoqëri tregtare që është përdorur dhe ka shërbyer si mjet për të realizuar veprat penale, që lejohet të konfiskohet sipas nenit 36/1, shkronja (a) të Kodit Penal.
- Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 506.25 m² dhe ndërtesë me sipërfaqe 164 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve Selim Molla dhe Olga Molla, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.
- Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 51.3 m², ndodhur rrugën “Tefta Tashko”, Tiranë, rregjistruar në emër të shtetasve Selim Molla dhe Olga Molla, si pasuri e përfituar pjesërisht nga burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.
- Shoqëria tregtare “Restur” sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, në zotërim të shtetasit Redi Molla si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në nenin 36/1 shkronja (ç) të Kodit Penal.
- Pasuria 24 % e kuotave në shoqërinë tregtare “Mediterranean Investment Group” sh.p.k, me seli në Durrës, rregjistruar në emër të shoqërisë tregtare “Restur” sh.p.k, me ortak dhe administrator Redi Molla, si pasuri vlera e të cilës i korrespondon vlerës së produktit të veprës penale dhe që mund të konfiskohet bazuar në nenin 36/1 shkronja (ç) të Kodit Penal.
- Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 122.7 m², me emërtimin B_43, si dhe pasuritë parkim Nr.P24 me sipërfaqe të përgjithshme 42 m² dhe parkim nr.P25 me sipërfaqe të përgjithshme 42 m², për të cilat është lidhur kontrata e sipërmarrjes midis shtetases Sanije Qato dhe shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, si pasuri që rrjedh nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet.
- Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 86.4 m², me emërtimin A_42, për të cilën është lidhur kontrata e sipërmarrjes datë 29.09.2023 midis shtetases Sanije Qato dhe shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, si pasuri që rrjedh nga produktet e veprës penale dhe për këtë shkak është pasuri që mundet të konfiskohet.
“Në datën 08.07.2024 policia gjyqësore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit dhe Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara kanë nisur veprimet përkatëse procedurale për vënien në ekzekutim të vendimit gjyqësor të mësipërm, me qëllim marrjen në administrim të pasurive të sekuestruara. Veprimet e ekzekutimit të vendimit gjyqësor janë në proces dhe po vijojnë të kryhen edhe në ditën e sotme”, thotë më tej SPAK.
“Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, vazhdojnë hetimet për fakte të tjera penale apo për persona të tjerë që mund të përfshihen në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal”, mbyllet njoftimi i prokurorisë.
Drejtorët e Veliajt i jepnin tendera vetes
Më herët, SPAK ka dalë në konkluzion se dy drejtorët e Erion Veliajt, Redi Molla dhe Mariglen Qato, si drejtues të Ujësjellësit, i kanë dhënë tendera një kompanie që de facto ishte në pronësi të tyre – “5D Konstruksion”.
Kontrata të tjera kanë marrë dhe nga vetë institucioni i drejtuar nga Erion Veliaj, si dhe ente të tjera në varësi të Bashkisë Tiranë, duke përdorur pushtetin e tyre si të zgjedhurit e Veliajt. Vlerësohet se paratë e përfituara nga procedurat tenderuese i kalojnë 30 milionë euro. Kompania e drejtorëve të Veliajt ka përfituar nga bashkia Tiranë disa leje ndërtimi. Po ashtu, rezulton e lidhur me një hotel në Durrës që ka marrë nga qeveria “statusin special” që konsiston në falje të taksave – “Mediterranean Investment Group”.
Një komunikim konfidencial i një punonjëseje të firmës së Mollës e Qatos sugjeron se bosi i vërtetë i hotelit në Durrës dhe kompanisë “5 D” që thithte paratë e taksapaguesve është vetë shefi i bashkisë, Erion Veliaj.
Ndërkaq, dyshohet se të tjera procedura tenderuese janë përfituar nga “5D” në mënyrë të paligjshme, nga Bashkia Tiranë dhe të tjera institucione.
Opozita ka kritikuar qëndrimin e SPAK ndaj kryebashkiakut të Tiranës, duke artikuluar se prokuroria po amniston Veliajn, të cilin e cilëson “kokën e bandës së drejtorëve hajdutë”.
Në Mars, Gjykata e Posaçme, duke pranuar kërkesën e prokurorisë, miratoi 9 masa sigurimi, kryesisht ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të drejtuar nga Erion Veliaj. Dy masa të arrestit me burg u dhanë për dy nga drejtorët më të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato dhe Redi Molla. Urdhër-arresti tjetër me burg ishte për Taulant Tushen, i cili ndodhej pas hekurave për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Gjashtë masa detyrim paraqitje u dhanë për 6 zyrtarë të tjerë të bashkisë dhe administratorin e 5D Konstruksion” sh.p.k.. Masat u lanë në fuqi në fuqi edhe nga Apeli.
Apeli i GJKKO: Drejtorët të hetohen si grup i strukturuar kriminal
Në një vendim të dhënë më herët gjatë muajit, Apeli i GJKKO orientoi Prokurorinë e Posaçme që ta hetojë çështjen duke shtuar edhe akuzën e grupit të strukturuar kriminal.
Gjyqtari Florian Kalaja kërkoi edhe hetimin e ndërtimit të hotelit ne Durrës dhe marrjen në pyetje të punonjëses së firmës “5D” për të sqaruar bisedën e saj se aksioner në këtë hotel është edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.
“…Gjykata ndan pikëpamje të ndryshme nga SPAK dhe Shkalla e Parë lidhur me kualifikimin juridik të faktit penal të bashkëpunimit i cili i kundrejtohet Redi Mollës dhe Mariglen Qatos, duke e kualifikuar sakaq bashkëpunimin e tyre, me personat e tjerë të proceduar apo jo eventualisht përgjegjës, persona fizikë apo persona juridikë, si bashkëpunim penal i posaçëm, dhe i kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal”, thuhej në vendimin e gjykatës.
“Gjykata vlerëson se është e nevojshme dhe e domosdoshme për ecurinë e mbarëvajtjen e hetimit që J.B. të pyetet dhe të hetohet lidhur me të dhënat e përmbajtjes së këtij komunikimi apo të kësaj dijenie të saj, duke e verifikuar gjithashtu edhe ekzistencën e këtij projekti në Durrës, natyrën e investimit të tij dhe kontributin apo përfshirjen e subjektit tregtar 5D KONSTRUKSION në këtë investim dhe gjithashtu edhe identifikimin e plotë të subjekteve që hasen apo që kanë interesa nga kjo shoqëri tregtare, qofshin ato persona fizikë, zyrtarë apo jo dhe qoftë edhe persona juridikë të tjerë të lidhur me të.
Ndër të tjera, si parantezë, Apeli sqaron se si krijohen dyshimet rreth këtij objekti, që po ndërtohet nga 5d konstruksion, dhe thëniet e J.B. në bisedat që u transkriptuan nga SPAK. Bejko, i thotë bashkëkomunikuesit problemet e brendshme të konflikteve në shoqërinë 5d Konstruksion, duke i treguar një foto të një hoteli që po ndërtonte kjo shoqëri në Durrës, ndërkohë nënvizon se kishte aksione edhe ‘pronari jonë’ duke e identifikuar atë si ‘Lali Eri’“, arsyeton më tej gjyqtari Kalaja.
Discussion about this post