Ish presidenti amerikan Barack Obama dhe ish zonja e parë Michelle Obama, i dhanë mbështetje zonjës Kamala Harris në synimin e saj për të garuar për postin e presidentes, duke i ofruar asaj përkrahjen e pritshme por thelbësore të dy demokratëve më të njohur të vendit.
Mbështetja që u bë e ditur të premten në mëngjes në një video që shfaq zonjën Harris duke zhvilluar një telefonatë të përbashkët me çiftin Obama, ndodhi në një kohë kur zonja Harris po u jep vrull përpjekjeve si kandidate e mundshme e partisë, pas vendimit të presidentit Joe Biden për t’u tërhequr nga gara kundër kandidatit republikan dhe ish presidentit Donald Trump.
Mbështetja thekson miqësinë dhe lidhjen historike midis presidentit të parë afrikano amerikan dhe gruas së parë afrikano-amerikane dhe me origjinë aziatike që shërbeu si nënpresidente, i cili tani po lufton për të thyer të njëjtat pengesa në nivelin presidencial.
“Ne telefonuam për t’ju thënë se Michelle dhe unë nuk mund të ishim më shumë krenar duke ju mbështetur dhe të bëjmë gjithçka që mundemi që t’i fitoni zgjedhjet dhe të shkoni në Zyrën Ovale”, i tha ish presidenti Obama zonjës Harris, e cila u shfaq duke biseduar në telefon teksa ecte në prapaskenën e një ngjarjeje, e shoqëruar nga një agjent i Shërbimit Sekret.
“Nuk mund ta bëja këtë telefonatë pa i thënë vajzës sime, Kamala, jam krenare për ty”, tha zonja Michelle Obama.
“Kjo do të jetë historike”, shtoi ajo.
Barack Obama, presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara mbetet një nga personalitetet më të njohura në Partinë Demokratike.
Sipas një ankete të agjencisë së lajmeve Associated Press, zonja Harris tashmë ka siguruar mbështetjen publike të shumicës së delegatëve të Kuvendit Kombëtar Demokratik, që fillon me 19 gusht në Çikago. Komisioni i Rregullave të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokrate miratoi të mërkurën një propozim, sipas të cilit delegatët nga i gjithë vendi do të mund të votojnë për kandidatët e mundshëm presidencialë në një raund votimi në internet që fillon në 1 gusht.
Megjithatë, familja Obama veproi kujdesshëm. Në deklaratën fillestare të ish presidentit Obama pas njoftimit të presidentit Biden se po tërhiqej, nuk u përmend zonja Harris. Në vend të kësaj, ai foli në mënyrë të përgjithësuar për kandidatin e mundshëm.
“Kam besim të jashtëzakonshëm se udhëheqësit partisë sonë do të jenë në gjendje të krijojnë një proces nga i cili do të dalë një kandidat i shquar”, shkroi ish-presidenti.
Barack dhe Michelle Obama bënë fushatë veçmas për zonjën Hillary Clinton në vitin 2016 dhe zotin Biden në vitin 2020, duke përfshirë tubime të mëdha në fundjavat e mbylljes para ditës së zgjedhjeve. Ata mbajtën fjalimet kryesore në Kuvendin e demokratëve në vitin 2020, një ngjarje virtuale për shkak të pandemisë së koronavirusit. Fjalimi i ish presidentit ishte veçanërisht i dukshëm sepse ai shpalosi një sulm ndaj zotit Trump si një kërcënim për demokracinë, një argument që vazhdon të jetë pjesë e fushatës së zonjës Harris.
Discussion about this post