Me thirrjet “Duam libra shqip”, dhe “kujdes shëndetësor pa diskriminim gjuhësor”, shqiptarë të Luginës së Preshevës dolën në rrugë për të protestuar sikurse thanë, për “identitet dhe dinjitet”, duke e akuzuar qeverinë serbe për diskriminim ndaj tyre.
Protestuesit valëvisnin flamuj kombëtarë shqiptarë dhe amerikanë, ndërsa mbanin në duar pankarta me mbishkrime si: “Stop pasivizimit selektiv”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo” dhe “më ktheni adresën time”. Përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në jug të Serbisë, Shaip Kamberi, e akuzoi Beogradin për mohimin e të drejtave të pakicës shqiptare, duke thënë se ai “nuk e do integrimin e tyre në organet shtetërore në mënyrë të drejtë dhe të barabartë”.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët përbëjnë pakicën e katërt më e madhe në Serbi, ku rezulton të jetojnë gati 61.700 shqiptarë. “Serbia vazhdon me avazin e vjetër, t’i trajtojë shqiptarët si armiq, si popull të rendit të dytë, i cili nuk meriton pjesëmarrje institucionale. Ka vazhduar me diskriminim duke mos i njohur diplomat, dhe me mosintegrimin dhe me pasivizimin e adresave”, tha Kamberi, i cili në zgjedhjet e 17 dhjetorit siguroi një tjetër mandat si deputet në Parlamentin e Serbisë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u shpreh se shqiptarët e Luginës së Preshevës vijojnë të përballen me një situatë të papranueshme diskriminimi sistematik, që cenon të drejtat e tyre themelore. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se Qeveria e Kosovës i mbështet qytetarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe mbetet e angazhuar për të ngritur këto çështje në nivelet më të larta ndërkombëtare.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzat Lutfiu foli për protestën e sotme të shqiptarëve në Luginën e Preshevës kundër politikave diskriminuese të shtetit serb.
Lutfiu thekson se Serbia me anë të pasivizimit të adresave po bën pastrim etnik. Sipas tij, shteti serb kërkon të bëjë shqiptarët pakicë në Bujanoc. Ai tha se gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës është e rëndë.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzat Lutfiu: Serbia po mban qasje deri raciste ndaj shqiptarëve dhe ne do të protestojmë derisa të plotësohen të drejtat tona. Gjendja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është tepër e rëndë. Serbia po bën pastrim etnik, edhe sipas raporteve ndërkombëtare. Serbisë nuk po i mjafton fakti që diskriminohen shqiptarët, ka një sërë diskriminimesh, edhe ajo se shqiptarët nuk janë pjesë e institucioneve, ndërsa kërkon ta finalizojë me pasivizimin e adresave. Beogradi nuk dëgjon as vërejtjet e ndërkombëtarëve. Flitet për mbi 10 mijë adresa të pasivizuara.
Pasivizimi ka nisur në Medvegjë e më pas në Bujanovc. Kjo tendencë ka për qëllim që të bëjë shqiptarët pakicë në Bujanoc. Në Serbi ka 24 komunitete dhe shqiptarët diskriminohen si askush tjetër. Diskriminimi ka lidhje vetëm me përkatësinë etnike. Ne do vazhdojmë të protestojmë. Ne mund të kemi dallime në politikat tona, por nuk ka përçarje sa i përket përkatësisë etnike. Unë di që një protestuesi shqiptar i është caktuar masa e arrestit me burg, vetëm për një koment në Facebook. Pozicioni im është i tillë që përfaqëson etninë më të diskriminuar në rajon. Ne duhet të flasim me shtetin, që paraprakisht të diskriminon. Edhe kërkesat tona në mënyrë të vazhdueshme injorohen. Por, shqiptarët e Luginës do qëndrojnë për të drejtat e tyre.
gijotina.com/
Discussion about this post