Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi sekuestrimin e disa pasurive të Alket Hatisë dhe “personave të lidhur me të”, që sipas Prokurorisë së Posaçme nuk justifikohen me burime të ligjshme.
Bëhet fjalë për 5 pasuri të paluajtshme, si tokë truall, apartament, garazh, një automjet dhe 49% të kuotave të një shoqëria tregtare.
Gjyqi për konfiskimin
Prokuroria e Posaçme bën me dije se më 31 Janar 2020, i është drejtuar Gjykatës me kërkesën për konfiskimin e pasurive të 50-vjeçarit nga Berati dhe personave të lidhur me të. Alket Hatija është deklaruar fajtor më 26 Mars 2010, nga ish Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për kryerjen e veprës penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë. Ky vendim është lënë në fuqi më 08.11.2010 nga ish Gjykata e Apelit për Krime të Rënda.
Më 31 Tetor 2023, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK dhe vendosi konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive si më poshtë:
- Pasurinë e paluajtshme e llojit “truall”, me sipërfaqe 495 m2, me adresë Lagjia “Plazh”, Durrës, në pronësi të shtetasit Alket Hatija.
- Pasurinë e paluajtshme e llojit “truall”, me sipërfaqe 320 m2, me adresë Lagjia “Plazh”, Durrës, në pronësi të shtetasit Alket Hatija;
- Pasurinë e paluajtshme e llojit “garazh”, me sipërfaqe 14.74 m2, me adresë Lagjia Nr.13, Plazh, Durrës, në pronësi të personit të lidhur M. H.
- Pasurinë e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 118 m2, me adresë Lagjia nr.1, Rruga “Taulantia”, Durrës, në pronësi të personit të lidhur F.H.
- Pasurinë e paluajtshme e llojit “apartament”, me sipërfaqe totale 65 m2, me adresë Kryemëdhenj, Kavajë, në pronësi të shtetasit F. H.;
- Automjetin tip autoveturë i markës BMW, prodhim i vitit 2003;
- 49% të kuotave të subjektit “Aquila Marble” sh.p.k., që i përkasin personit të lidhur M.H.;
Kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme kanë ushtruar ankim subjekti Alket Hatija e personat e lidhur me të. Më 5 Korrik, Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të GJKO për konfiskimin e pasurive.
“Zoti i Drogës” dhe saga për liri
Emri i Alket Hatisë u kthye në çështje gati 7 vite më parë, teksa mediat italiane njoftonin arrestimin e tij në Shqipëri duke e pagëzuar si “Zoti i drogës”.
Sipas autoritete italiane, vetëm gjatë viteve 2003-2004, ai ka arritur të trafikojë në Milano 350 kg heroinë e 190 kg kokainë me vlerë rreth 40 milionë euro.
Për herë të parë, Hatija u arrestua në Shqipëri në vitin 2008 me kërkesë të autoriteteve italiane. Dosja u transferua në Shqipëri ku Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Hatinë me 10 vjet e 8 muaj burg në vitin 2010, duke konvertuar dënimin e autoriteteve gjyqësore italiane.
Ai rifitoi lirinë në 23 dhjetor 2014 pasi përfundoi vuajtjen e dënimit të dhënë në Shqipëri, për të njëjtin aktivitet kriminal për të cilin ishte dënuar nga gjykatat italiane me 20 vjet burgim.
Më pas, Hatija u arrestua sërish në 2017-ën, po me kërkesë të autoritete italiane me qëllim ekstradimi. Disa muaj më vonë, Gjykata e Durrësit refuzoi ekstradimin dhe i hoqi masën “arrest në burg”, vendim që u la në fuqi edhe nga Apeli.
Liri i tij solli polemika, teksa mbrojtja argumentoi se shpallja në kërkim e Hatijsë lidhej me dënimin e dhënë vite më parë nga drejtësë italiane dhe që ishte kryer tashmë nga “Zoti i Drogës” në Shqipëri.
Megjithatë, në vijim, Gjykata e Lartë e riktheu edhe njëherë në Shkallë të Parë çështjen, e cila kësaj here bashkë më Apelin pranuan ekstradimin. Por, Alket Hatija nuk u dorëzua. Nga arratia dhe përmes mbrojtësve të tij, çështjen e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, e cila i dha përfundimisht fund kalvarit gjyqësor më 31 janar 2022, duke lënë në fuqi ekstradimin e tij përfundimtar drejt Milanos.
Arrestimi me qëllim ekstradimin u krye në gusht 2023 dhe më pas ai u ekstradua drejt shtetit italian. Megjithatë, gjykatat atje i rikthyen lirinë. Sipas raportimeve meditike, me një vendim më 18 2023, Apeli i Milanos pranoi kërkesën e mbrojtjes duke konstatuar se Hatija e kishte shlyer në Shqipëri dënimin me burg të dhëna nga autoritetet gjyqësore italiane.
Discussion about this post