Skandal në Postën Shqiptare me sistemin informatik “Eterna” ku gjenerohet korrupsion me qindra milionë euro. Drejtori Ardit Demiri ka firmosur së fundmi një tender që ka fitues të paracaktuar. Drejtori e ka gjetur skemën të gatshme, pasi veprimet mes drejtorëve dhe kompanisë private “Helius Systems” vazhdojnë qysh nga viti 2014. Bëhet fjalë për prokurimin “Mirëmbajtje të sistemeve Eterna dhe komponentëve të saj për 2 (dy) viteî, me fond limit 50,000,000, për periudhën 24 muaj”, me fond limit 50,000,000 lekë (pa TVSH). Kontrata parashikohet të shkojë në 600 milionë lekë përfshirë TVSH.
Tenderin e fiton gjithmonë kompania “Helius Systems” dhe asnjë herë nuk janë ofruar pjesëmarrës të tjerë.
Dy denoncime në KPP
Por tenderi i shpallur nga Demiri në fund të muajit maj 2024 nuk po shkon sipas llogarive të drejtorit. Dy kompani kanë denoncuar se tenderi është fiktiv dhe fituesi i paracaktuar.
Ankesa e parë në Komisionin e Prokurimeve Publike është bërë nga “Smart ICT Services” më 10 qershor 2014. “Në dokumentet e tenderit, veçanërisht në kriteret e veçanta të kualifikimit, Autoriteti Kontraktor ka bërë një sqarim ku thekson se: Sistemi qëndror ETERNA i Postës Shqiptare është një MARKË e regjistruar. Posta Shqiptare sh.a. nuk zotëron të drejtën e pronësisë intelektuale dhe kodin burim të sistemit ETERNA. Ky sqarim është në kundërshtim me frymën dhe parimet kryesore të Ligjit për Prokurimin Publik.
Autoriteti Kontraktor ka deklaruar se kodi burim i sistemit ETERNA nuk është në pronësinë e tij dhe, për rrjedhojë, nuk e disponon. Kjo do të thotë se çdo operator ekonomik që mund të shpallet fitues i kësaj procedure nuk do të jetë në gjendje të zbatojë kontratën nëse nuk zotëron kodin burim të sistemit ETERNA. Vendosja e kritereve të veçanta kualifikuese që favorizojnë një operator të caktuar që ka kodin burim të sistemit ETERNA. Është diskriminuese dhe dëmton konkurrencën. Kjo sjell kufizimin artificial të konkurrencës dhe favorizimin e një kompanie të vetme, duke shkaktuar dëm ekonomik për buxhetin e shtetit”, citojmë dokumentin e ankimuesit.
“Autoriteti Kontraktor nuk ka garantuar trajtim të barabartë dhe ka diskriminuar operatorët ekonomikë të interesuar”, vazhdon më tej ankimuesi.
Edhe kompania “MC Networking” ka të njëjtin pretendim. Më datë 31 maj 2024, Posta ka modifikuar dokumentet e tenderit duke shtuar kriterin kualifikues: “Operatori ekonomik duhet të zotëroje të Drejtën e Autorit për programin Eterna Software të instaluar tek Posta Shqiptare ose të jetë i autorizuar nga mbajtësi i të drejtës së autorit për këtë program. Së pari, ky kriter kualifikues eshte diskriminues dhe nuk mund te plotësohet nga ofertuesit, pasi në momentin kur AK-ja nuk disponon kodin në burim të softit ETERNA atëherë kjo procedure prokurimi nuk është e tillë në kuptim të ligjit “Për prokurimin publik” sepse të drejtën për të marrë pjesë në këtë procedurë e ka vetëm ajo kompani që zotëron kodin në burim dhe çdo kompani tjetër është në pamundësi për të ofertuar”, thekson ankimuesi.
“Ky tender është vetëm për t’i hedhur hi syve operatorëve ekonomik dhe shtetit duke u justifikuar se për këtë shërbim kemi kryer procedurë prokurimi, ndërkohë që kjo procedurë prokurimi është false”, deklarohet në dokumentin e ankesës.
“Kërkojmë që të hiqet ky kriteri kualifikues, pasi është një kriter i kundraligjshëm. Gjithashtu kërkojmë anulimin e kësaj procedure prokurimi”, këmbëngul kompania.
Pse Ardit Demiri e vendos këtë kriter diskriminues?
Është e habitshme se si Ardit Demiri vendos një kriter që shkel barazinë në tender, duke e ditur se kjo është një vepër penale.
Posta Shqiptare për mirëmbajtjen e këtyre sistemeve që nga viti 2014 ka lidhur10 kontrata të njëpasnjëshme që vazhdojnë të kenë afat deri në mesin e vitit 2024, me vlerë të përgjithshme
158,200,000 lekë pa TVSH.
Qysh këtu lind pyetja e parë për Demirin? Si e llogariti fondin limit? A ka bërë ndonjë llogaritje të raportit mirëmbajtje fitim të sistemit?
Sistemet e Eterna përfshijnë dhe mbulojnë, shërbimet financiare (arkëtime, pagesa, transferta bankare, etj.) dhe proceset e shërbimeve postare. Të gjitha procedurat e prokurimeve si të blerjeve të sistemit ashtu edhe të mirëmbajtjes së tij, janë fituar nga i njëjti Operator Ekonomik, “Helium Sistems”. Fillimisht, në korrik të vitit 2012 është realizuar procedura e prokurimit me objekt: “Blerje informatizimi i sporteleve, gjurmimi kombëtar i objekteve postare dhe euroxhiro kombëtare”.
Kjo blerje e sistemit është realizuar me procedurë me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës për arsye të së drejtës së autorit dhe është konkretizuar më lidhjen kontratës së furnizimit nr.1029/4, datë 21.08.2012, me operatorin fitues “Helius Systems”, me vlerë 51,791,320 lekë, pa TVSH.
Mbas vënies në funksionim së sistemit, në datën 03.04.2014 është realizuar edhe procedura me negocim për mirëmbajtjen e këtij sistemi, me afat 3 vjet, me vlerë totale 26,850,000 lekë, pa TVSH. Pse Demiri ka vendosur dyfishin e kësaj shume si fond limit? Diferenca mund të jetë thjesht vlera e korrupsionit.
Në këtë procedurë për arsye të së drejtës së autorit i është dërguar ftesë për ofertë operatorit “Helium Sistems” me të cilin është lidhur edhe kontrata e mirëmbajtjes nr.1069/7, datë 14.05.2014, me vlerë 26,850,000 lekë, pa TVSH, me afat 3 vjet (deri në datën 13.05.2017).
Sipas vendimit përkatës të qeverisë, institucionet gjatë hartimit të termave të referencës për projektet TIK duhet të marrin në konsideratë çështjet që: “Të sigurojnë pronësinë e Kodeve Burimore (source code) dhe /ose të drejtën për të blerë Kodet Burimore. Pronësinë e Kodeve Burimore, analiza e projektimit, burimi dhe programet e ekzekutueshme të të gjitha sistemeve të aplikimit të zhvilluara do t’i kalojnë institucionit pa asnjë kosto shtesë”
Kontrata e mirëmbajtjes e sipërcituar në asnjë nen të saj nuk ka të përcaktuar këtë dispozitë, përkundrazi në nenin 11, ka përcaktuar se: “Të gjitha të drejtat e pronës intelektuale të siguruara nga kontraktuesi gjatë kontratës do t’i përkasin Kontraktuesit si vazhdimësi e të drejtës aktuale të autorit që gëzon kontraktuesi mbi këtë sistem kompjuterik”.
Pra, Posta Shqiptare ndryshe nga ç ‘kërkohet në përcaktimet apo rekomandimet e Qeverisë, nuk ka marrë dhe nuk ka bërë pronë të saj Kodet në Burim.
Në vitin 2022, KLSH i la rekomandim drejtorit Ervin Bushati që Posta Shqiptare, në Dokumentet e Tenderit dhe në kushtet e kontratave të çdo procedure prokurimi që do të realizojë për blerjen edhe mirëmbajtjen e çdo sistemi teknologjie informacioni që do të aplikojë dhe zhvillojë, duhet të përcaktojë që: “Posta Shqiptare, në përfundim të kontratës së furnizimit apo të afatit të garancisë së pajisjeve dhe sistemit, apo në përfundim të afatit të kontratës së parë të mirëmbajtjes (sipas përcaktimeve të VKM. 710, datë 21.8.2013), pronësia e Kodeve Burimore (source code), analizat e projektimit, burimi dhe programet e ekzekutueshme të sistemit, do t’i kalojnë Postës Shqiptare Sh.a, pa asnjë kosto shtesë”.
Nga auditimi i KLSH që është publikuar disa muaj më parë, rezulton se Bushati e ka bërë kërkesën për kodin në burim tek operatori zhvillues i sistemit Eterna me shkresën me nr. 1596 dt.04.07.2022 dhe ka kërkuar kalimin e pronësisë së kodit burim, brenda afatit 10 ditor. Bushati ndërkohë u shkarkua. Ndoshta shkaku ka qenë kjo shkresë, por nuk e dimë zyrtarisht.
Më pas gjerat i mori në dorë drejtori i ri Ardit Demiri që duket se ka gjetur gjuhën menjëherë me kompaninë private dhe është rivendosur “status quo” e korrupsionit.
“Gjatë këtyre viteve mungesa e theksuar e konkurrencës ka ardhur si pasojë e hartimit dhe vendosjes në Dokumentet e Tenderit të kërkesave të veçantë në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik”, nënvizon raporti i auditimit. Jo vetëm KLSH, por kjo pikë është rekomanduar për tu ndryshuar edhe nga Agjencia e Prokurimit Publik (APP).
Me shpalljen e të 6 procedurave në sistemin elektronik, APP për çdo procedurë, nëpërmjet email-eve, ka njoftuar Postën Shqiptare duke i sjell në vëmendje nevojën e saktësimit dhe
mirë argumentimin ligjor dhe teknik në lidhje me disponimin e së Drejtës së Autorit për programin Eterna Softëare, duke mbajtur parasysh faktin se, kriteret e veçanta të kualifikimit
duhet të jenë në përpjesëtim me natyrën dhe përmasat e kontratës që prokurohen, jo diskriminuese dhe konform rregullave të prokurimit publik. Po kështu, rekomandohet një
“argumentim teknik në lidhje me faktin e mos disponimit të Kodit në Burim nga ana e AK se, sistemi në fjalë është ekzistues, dhe rrjedhimisht mund të ishte i disponueshëm nga vetë AK pas implementimit të sistemit aktual, nga OE fitues”.
Mirëpo Posta ka interpretuar se, këto kërkesa janë vendosur, për arsye teknike dhe artistike që kanë lidhje me të drejtën ekskluzive të pronësisë intelektuale dhe kontrata mundë të ekzekutohet vetëm me një operator të veçantë. Ky sqarim apo interpretim i Postës është i pakuptimtë sepse nga njëra anë përpiqet të argumentojë se, hartimi dhe vendosja e këtyre kërkesave është mbështetur në ligjin mbi Prokurimin (që kërkon procedurë me negocim pa shpallje paraprake) dhe nga ana tjetër ka organizuar procedura të “Hapura”.
Ky veprim ka bërë që “Helius Systems” me pronarë Alkid Demin dhe Gjergji Mullain, të këtë të drejtën ekskluzive ose të drejtën e autorit për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e këtij sistemi për një kohë të gjatë, të paktën deri në përfundimin e kontratës së datës 31.08.2020 që ka afat deri në mesin e vitit 2024.
Pra, me vendosjen e këtij kushti në përfundim të çdo kontrate, kodet në burim nuk i kalojnë në pronësi Postës Shqiptare, por mbeten përsëri pronë e kontraktuesit, madje deri në amortizimin e plotë dhe nxjerrjen jashtë përdorimit të sistemit Eterna. Për pasojë nga vendosja e këtij kushti kontraktual, blerja e moduleve të tjera të sistemit Eterna dhe shërbimi i mirëmbajtjes së tyre, përqendrohet dhe monopolizohet vetëm te operatori “Helium Sistems”.
Nga ky veprim nuk ka pjesëmarrje të operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit dhe nuk është siguruar mirëpërdorimi i fondeve dhe ulja e shpenzimeve procedurale për shërbimin e mirëmbajtjes, pasi kjo kompani në të gjitha procedurat e
prokurimit ka ofruar ofertën ekonomike të barabartë me fondin limit. Për pasojë shpenzimet e mirëmbajtjes janë relativisht të larta kundrejt kostos së blerjeve së vetë sistemit Eterna, të cilat shkojnë rreth 15-18 % për çdo vit.
“Kështu, për gjatë gjithë kohës së funksionimit të sistemit që nga viti 2014 deri në vitin 2024, shpenzimet progresive për shërbimin e mirëmbajtjes kanë shkuar në vlerën 158,200,000 lekë pa TVSH, ose përbëjnë 90%, të vlerës progresive të blerjeve të gjithë sistemit Eterna që janë në shumën 176,091,320 lekë, pa TVSH”, përllogarit KLSH.
Pas gjithë këtyre rekomandimeve dhe paralajmërimeve që ka marrë Demiri, prapë vazhdon refuzimi. Duket se çështja do të zgjidhet në organet e drejtësisë. Nuk mund ta përllogarisim se sa përfiton drejtori nga kjo aferë, por këmbëngulja e tij për të bërë diçka haptazi të kundërligjshme, shpjegon përse e merr përsipër dhe vë firmën në këtë tender abuziv.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post