Më 11 shtator do të shqyrtohet në seancë në Gjykatën e Apelit Administrativ padia për shfuqizimin e udhëzimit që detyron subjektet e hotelerisë për instalimin e impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura.
Padia për shfuqizimin e udhëzimit “Për miratimin e rregullores teknike mbi standardet për trajtimin e ujërave të ndotura për subjektet që shkarkojnë ujëra të ndotura dhe të patrajtuara pranë ose në ujëra larës” është depozituar në Apelin Administrativ nga Shoqata Rajonale e Turizmit Aulona (ARTA), shoqata e turizmit ATA dhe Unioni Turistik Shqiptar.
Në padi nga 3 shoqatat kërkohet shfuqizimi i nenit 6 të udhëzimit që përcakton se “Subjektet që ushtrojnë veprimtari ekzistuese, janë në proces ndërtimi ose kanë aplikuar për leje ndërtimi, në bazë të kapacitetit dhe zgjidhjeve teknike ekzistuese apo që janë planifikuar për t’u zbatuar, të lidhura ose jo me rrjetin publik te kanalizimeve, duhet të instalojnë impiante të trajtimit të ujërave të ndotura sipas përcaktimeve të kategorive shprehur në nenin 2, të Aktit Normativ nr.8, datë 28.12.2023”.
Nga bizneset është ngritur disa herë shqetësimi edhe në nisje të sezonit turistik se instalimi i impianteve të kërkuara që kushton në vlera nga 40, 80 deri 100 mijë euro është i papërballueshëm.
Më herët nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve kjo praktikë është konsideruar arbitrare, pasi po kërkohet nga bizneset të paguhet 2 herë për të njëjtin shërbim.
“Së pari, bizneset paguajnë ujësjellësin për heqjen e ujërave të ndotur dhe kjo ka një vlerë në faturë.
Së dyti në gjithë botën këto impiante i vendos ujësjellësi ose nëse financohet nga bizneset, përjashtohen nga detyrimi për taksën. Shteti ka nxjerrë një akt normativ arbitrar me qëllim marrjen e taksave arbitrarisht, i padiskutuar me grupet e interesit”, tha kryetari i shoqatës Enri Jahja.
Udhëzimi i përbashkët i ministrive të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Turizmit dhe Mjedisit hyri në fuqi më 2 shkurt 2024, pas publikimit në Fletoren Zyrtare më 5 janar 2024 të Aktit Normativ “Për marrjen e masave urgjente, për mbrojtjen dhe përmirësimin e infrastrukturës, për trajtimin e ujërave të ndotura që shkarkohen pranë ose në ujëra larëse”.
Në udhëzim përcaktohen standardet teknike që duhen të ndiqen nga subjektet pranë zonave bregdetare, liqenore dhe lumenjve, për zëvendësimin e gropave skeptike me instalimin e impianteve bashkëkohore për trajtimin e ujërave të ndotura.
Sipas udhëzimit të përbashkët bizneseve iu lihej afat deri në fund të muajit mars të instalojnë pajisjet apo sistemet e përcaktuara ose në të kundërt, siç përcaktohet në Aktin Normativ nëse Task-Forca, pas kryerjes së monitorimit dhe inspektimit, kur konstaton mosvendosjen e impiantit apo sistemit individual në përputhje me rregullat teknike për trajtimin e ujërave të ndotura, bizneset do të dënohen me gjoba që variojnë nga 1,500,000 lekë deri në 2,650,000 lekë.
Po ashtu pak ditë më parë, në pikun e sezonit turistik hoteleve në zonat turistike të jugut dhe të Durrësit u është kërkuar sërish nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve (AKUK) nëpërmjet një njoftimi detyrimi për instalimin e impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura.
Dërgimi i njoftimeve për operatorët turistikë vjen pas fushatës së ndërmarrë për vendosjen e tabelave identifikuese me rreth të kuq para bizneseve që nuk kanë instaluar impiantet që kushtojnë deri në 100 mijë euro.
Kujtojmë se padia për shfuqizimin e nenit 6 të udhëzimit është rrëzuar në shkallën e parë të Gjykatës Administrative./Monitor
Discussion about this post