Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, hedh 617 milionë lekë në sistemimin e përrenjve. Plani i bashkisë është që të sistemojë anësoret e 8 përrenjve përreth qytetit.
Mirë do bënte se shpesh qytetarët janë ankuar që nuk munden të bëjnë asnjë shëtitje jashtë qytetit për shkak se përrenjtë janë kthyer në burim infeksioni.
Gjithsesi më poshtë do të shohim se kryebashkiaku nuk e ka aty merakun, qëllimi është justifikimi i tenderit që dërgon paratë e buxhetit të bashkisë tek kompania e favorizuar prej tij..
Bëhet fjalë për prokurimin me objekt ‘Sistemimi i Përrenjve brenda territorit të Bashkisë Korçë”. Sipas dokumenteve standarde të tenderit, me këto lekë do të bëhet pastrimi i shkurreve, mbeturinave dhe betonizim në anësoret e 8 përrenjve që janë përreth qytetit dhe në zonat periferike të tij. Kjo punë do të zgjasë 3 muaj dhe sipas komisionit të Filos është përllogaritur të kushtojë 617 milionë lekë (pa llogaritur TVSH)
“Flamuri i kuq” mbi tender
Ndërsa ne raportojmë me dyshim, nëse këto para do të shkojnë si investim në përmirësimin e përrenjve, apo do të shpërdorohen, ka edhe vlerësime të tjera mbi këtë kontratë. Kështu Open Data Albania i ka vendosur tenderit një “red flag”. Ky flamur i kuq tregon se tenderi është dhënë pa garë, duke shkelur kështu rregullat bazë të ligjit ‘Për prokurimet publike’. Sipas kritereve të këtij monitoruesi, kjo është shenja e riskut të korrupsionit.
Edhe pse janë dorëzuar 11 oferta të ndryshme, Filo i ka skualifikuar të gjitha që në fazën e parë, për t’i hapur rrugë propozimit të dorëzuar nga bashkimi i operatorëve “BOSHNJAKU.B” shpk – “ZDRAVA” shpk, me vlerë rreth 380 milionë lekë. Ama nuk mund të anashkalojmë faktin se “VILDEV – CO” shpk & “ A.L-ASFALT” shpk dorëzuan një ofertë më të lirë, por u skualifikuan me argumentin se nuk kanë dorëzuar dokumentin që vërteton se ka kryer më parë punë të ngjashme.
Pra këto dy firma nuk vërtetojnë dot se kanë eksperiencë në pastrimin e shkurreve dhe hedhjen e betonit! E pabesueshme kjo arsye, po të shohësh CV e tyre.
Sidoqoftë Filo e ka lidhur kontratën me firmat “BOSHNJAKU.B” shpk – “ZDRAVA” shpk, që nuk kishin asnjë konkurrent përballë në fazën finale.
Denoncimi i KLSH
Këto dy kompani do punojnë 3 muaj për të pastruar shkurret në 8 përrenj dhe do të fusin në xhep qindra miliona lekë me kontratën e dhuruar.
Në të kundërt, Filo nuk i njoftoi kompanitë me ofertën më të mirë të plotësonin dokumentet që u mungonin, por ka vazhduar pazare me një firmë që nuk është e besueshme në punët publike. Njëra nga kompanitë fituese është denoncuar më parë nga KLSH për mashtrime. Kompania “ZDRAVA” shpk është në pronësi të 5 biznesmenëve, Faik Sinanaj, Dashnor Sinanaj, Kastriot Sinanaj, Ylli Zdrava dhe Arben Zdrava. Subjekti është favorizuar vazhdimisht nga zyrtarët në tendera të tillë, duke marrë mbi 70 kontrata publike vitet e fundit.
Nga ana tjetër kjo firmë është skeduar për moskryerjen e punimeve sipas kontratave.
Kujtojmë se në vitin 2022, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar mashtrimin me volumin e punimeve që ka bërë në një kontratë kjo firmë. Bëhet fjalë për tenderin me “Flamur të kuq” për rikonstruksionin e rrugës së fshatit Çekin dhe zëvendësimin e tubacionit kryesor të Ujësjellësit Çekin në Gramsh’.
Kontrata me vlerë rreth 1 milionë USD është lidhur nga kryetari i Bashkisë së Gramshit në vitit 2020, Klodian Taçe.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar abuzime në zbatimin e kësaj kontrate, ku Bashkia Gramsh ka likuiduar punime të pakryera.
KLSH-ja ka kërkuar që të kthehen paratë në buxhetin e shtetit, por ka dyshime të forta se paratë mund të jenë ndarë sipas rolit në këtë përvetësim.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post