Shqipëria është një vend i vogël, që ka nevojë për miq, u shpreh kryeministri Edi Rama, kur u pyet se si i ruan marrëdhëniet me edhe me pjesëtarë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, edhe me ekipin e presidentit Joe Biden. Në një intervistë nga Praga, moderatori Steve Clemons përmendi investimin që dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, do të bëjë në Shqipëri, ndërsa pyeti kryeministrin si krijon marrëdhënie të mira me aleatët ndërkombëtarë.
Moderatori Steve Clemons: Njiheni që keni marrëdhënie shumë të mirë me pjesëtarë të Trump kur ka qenë president, por edhe me ekipinin e Bidenin. Si menaxhoni me të dyja anët. Kushner po zhvillon një pjesë të bukur në Shqipëri, mund të bëjë këtë dhe një pasardhës i Biden. Si lundroni në këto personalitete botërore.
Kryeministri Edi Rama: Jam rritur në kohët e komunizmit, në një regjim të pamëshirshëm, komunistët thoshin miqtë e miqve tanë, janë miqtë tanë dhe me armiqtë po ashtu. E shoh që kjo bëhet mënyrë sjelljeje dhe e demokratëve në Evropë dhe Amerikë. Unë nuk besoj te kjo. Ndoshta jam kryeministri më i gjatë këtej, jam i vetëdijshëm që përfaqësoj një vend të vogël që ka nevojë për miq. Shqipëria është mike me Greqinë dhe Turqinë, si mund të marrim anë? Ne mendojmë si të forcojmë miqësitë me të dyja vendet. Unë jam mik i mirë me Melonin. I kam shpjeguar të mive që s’është ide e mirë të mendohem si tradhtar nëse shkoj flas te një takim i saj. Unë besoj që të flasësh me njerëzit, madje dhe të mos biesh dakord, është më mirë se të mos flasësh dhe të shtosh mosmarrëveshjet.
Clemons iu drejtua kreut të ekzekutivit të Shqipërisë me pyetjen nëse Rusia ka bërë ndonjë përpjekje për të minuar qeverinë shqiptare. Rama u shpreh se me Rusinë “nuk kemi ndonjë mall” dhe as konflikt, dhe se nuk munden që të gjejnë spiunë brenda territorit shqiptar.
Por ai tha se Rusia mund të bëhet problem për pjesën tjetër të Ballkanit, dhe se kjo është arsyeja se përse duhet të shuhet konflikti mes Kosovës dhe Serbisë, dhe se është me rëndësi që kjo e fundit të mbahet “në anët tona”.
“Për shkak të historisë sonë, ne kemi qenë Koreja e Veriut e Europës, Praga për ne ka qenë po aq e paarritshme sa Parisi në komunizëm… Dhe kur rusët vendosën të hiqnin qafe Stalinin, ne i qëndruam stoik. Duke qëndruar te Stalini dhe duke qenë stalinist deri në ’90, na bënte vendin më pak interesant për Rusinë. Deri sot s’ka pasur një vizitë në Moskë dhe askënd se ka marrë malli. Ne nuk duam asgjë të keqe për Rusinë ….
Sa i përket Rusisë nuk jemi të interesuar, kështu që ajo nuk mund të gjejë spiunë të gatshëm t’i shërbejnë për pak para. Kemi pasur disa gjëra në përziere, por asgjë të madhe. Aty ku mund të jetë vërtetë problem është në pjesë të tjera të Ballkanit, dhe ndaj na duhet që Serbia dhe Kosova të dalin nga konflikti, dhe na duhet ta mbajmë Serbinë sa më shumë në anën tonë”, tha Rama.
Intervista nisi me një batutë nga moderatori për atletet e Kryeministrit. “I thashë jam shumë xheloz për atletet se kam ecur nga një skenë në tjetrën sot me këto këpucë të parehatshme“, tha ai, ndërsa Rama u përgjigj: “janë të lira, mund t’i blesh dhe ti“.
Rama theksoi më tej rëndësinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Sipas tij, agresioni rus në Ukrainë e bëri unionin të vetëdijësohet për të pasur pranë rajonin.
“Pikë së pari, përgëzoj Putinin, se falë tij BE kuptoi sa e rëndësishme ishte të kishte pranë Ballkanin Perëndimor. Ishte diçka fatkeqe, na duhej Vladimiri për ta bërë të qartë këtë gjë. Përpara pushtimit në Ukrainë, kishte njerëz që thoshin se NATO-n nuk ka pse të ekzistojë më. Kishte shumë njerëz në union që nuk besonin aspak në atë që e përsërisnin si moto se Ballkani Perëndimor duhet të jetë në BE, duke e bërë njësoj si komunistët njëherë e një kohë që na thoshin se vendi ynë është në parajsën tokësore. Realiteti goditi fort, lufta në Ukrainë tronditi tërësisht status-kuonë. BE nisi të ndërgjegjësohej sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor. Von der Leyen luajti rol thelbësor, që prej ditës së parë u përpoq të përcillte mesazhin, por iu desh edhe ndihmë nga Putini”.
Kryeministri u shpreh se Shqipëria është harmonizuar pa rezerva me politikën e jashtme të Bashkimit Europian. Sipas tij, në vendin tonë, popullariteti i presidentit rus, Vladimir Putin, është i papërfillshëm, por paralajmëroi se njëjta gjë nuk mund të thuhet për vendet e tjera të rajonit.
“Për Shqipërinë është e qartë, jemi pa rezervë, të gjitha i bëjmë pa rezervë, edhe kur shkuam në drejtimin e gabuar. Nuk jemi eurokratë të mirë, ne jemi europian, por jemi shqiptarë. Pa rezervë jemi harmonizuar me politikën e jashtme të BE-së, pa rezervë jemi anëtarë të NATO-s dhe jemi kundër agresionit rus në Ukrainë. Jemi një vend, ku është shumë e qartë, kudo të shkosh nga taksisti e me radhë, se ku i përkasim. Por kjo nuk është për të gjithë vendet e rajonit. Popullariteti i Putinit në Shqipëri është nga 1 për qind deri në 1 për qind e pak. Është ndryshe në vendet e tjera, qëllimi ynë është si të integrohemi plotësisht me parimet europiane dhe mënyrën euroatlantike të të parit të marrëdhënieve me jashtë”.
Kryeministri Rama foli dhe për sulmin kibernetik nga Irani në Shqipëri, pasi u pyet nga Clemons.
“Të shkojmë te pika ku ngremë pyetjen se çfarë duhet të ndodhë që ta konsiderojmë luftën kibernetike një luftë të mirëfilltë…. sipas një kuadri rregullash që e trajtojnë si duhet na duhet të ngremë pyetjen çfarë shkeljesh të shëndetit mendore dhe fizike duhet të ndodhin te fëmijët tanë për ta konsideruar median sociale një problem të mirëfilltë. Jemi ende mjaft larg nga trajtimi si duhet i botës digjitale në tërësi, që vazhdon të fitojë terren në shumë hapësira duke sjellë mjaft të mira por dhe mjaft kërcënime dhe pasoja”, tha Rama.
Më tej ai u ndal edhe te anëtarësimi i Shqipërisë në BE, si dhe situatën aktuale që mbizotëron në Rajon, teksa tha se Shqipëria ka lobuar gjithmonë për paqe dhe dialog.
“Shqipëria është në anë të paqes, dialogut. Bindja jonë e fortë është se nuk duhet ta shohim të ardhmen me sytë e së shuarës. Shumë gjëra bëhen të qarta kur nis prej këtej, dhe mund të ndërmerren më shumë hapa. Në këtë drejtim ne kemi promovuar paqen dhe dialogun me të gjithë. Ndaj ndërmora nismë të vizitoja Serbinë 68 vjet nga vizita e fundit atje. Ballkani perëndimor është në një pozitë shumë më të mirë seç ishte. Nga ana tjetër më duhet të them se nuk shoh më ndonjë ndryshim të madh mes nesh dhe BE, sigurisht kur vjen fjala për ekonominë kemi hendek që duhet ta mbushim, por për pjesën tjetër nuk shoh ndryshim. Do thoja se ne kemi qenë dhe jemi europian dhe nuk mund të vendoset në Bruksel”, tha Rama.
gijotina.com/
Discussion about this post