Një dëshmi e dhënë së fundmi në një çështje penale në Gjykatën e Shkodrës sugjeron se Tom Doshi është shefi “de facto” i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Shkodër.
Çështja në fjalë ka përfunduar në gjykatë pas kallëzimit të dy punonjësve të OSHEE-së ndaj një qytetari për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”.
Dy punonjësit e OSHEE-së kanë denoncuar një ngjarje të ndodhur në Rrjoll të Velipojës, më 20 Gusht. Ata kanë pretenduar se për shkak të detyrës janë kanosur, fyer dhe kërcënuar, deri me dhunë fizike për t’i shtyrë drejt një kabine elektrike nga personi i akuzuar.
Mirëpo një tjetër këndvështrim për ngjarjen jep bashkëshortja e të akuzuarit, e cila dëshmon se dy punonjësit e OSHEE-së i kishin pohuar se për kontrollin “i kishte dërguar shefi i tyre Toma (Tom Doshi)”. Madje, ka akuzuar se institucioni është realisht vegël e biznesmenit-politikan të shpallur “non grata” nga SHBA.
Në dëshminë e saj, ajo shprehet: “… Rreth orës 09:00 kam qenë duke dalë nga banesa së bashku me bashkëshortin. Kur kemi dalë nga kabina elektrike kemi parë se ishin dy punëtorë të OSHEE Shkodër duke hyrë me forcë në kabinë elektrike. I kemi ndaluar dhe i kemi pyetur se nëse kishin marrë laje apo kishin pyetur ndonjë person për të hyrë tek ajo kabinë. Ata u janë përgjigjur se nuk kishin pyetur njëri, por i kishte dërguar shefi i tyre Toma”.
Më tej, shprehet se Doshi ka urdhëruar lidhjen e abonentëve të tjerë në linjën e ndërtuar privatisht.
Deklaruesja, thuhet në dosjen e prokurorisë: ka pohuar se kabina elektrike është private dhe ishte vendosur prej tyre, pasi i shërben hotelit (aty pranë) dhe banesës së tyre. Ata kanë shtruar disa shtylla dhe një linjë elektrike për t’i shërbyer lokalit dhe hotelit. Pavarësisht se e gjithë linja ishte vendosur me shpenzimet e tyre, tek kjo linjë janë lidhur dhe abonentët e tjerë pa u marrë atyre lejen, por vetëm me urdhrin e Tomës. Për këtë ngjarje ata kanë dashur të bënin kallëzim por kishin marrë vesh se dy punonjësit e OSHEE-së kishin bërë kallëzim kundër tyre. Deklaruesja e ka mohuar faktin që t’i kishin kundërshtuar apo shtyrë, pasi sipas saj nuk i ka prekur njeri me dorë.
Sipas saj, “OSHEE është vegël e Tom Doshit, i cili është konfliktuar dhe me banorët e tjerë të fshatit”.
“Për këtë arsye, OSHEE ka fikur dritat për të mos lejuar që të filmonin kamerat e sigurisë të objektit të tyre. Kjo sjellje e OSHEE-së kundër bashkëshortit të saj është përsëritur disa herë që nga viti 2017, me pretekstin për të verifikuar lidhjet e linjave të dyta. Ajo ka pohuar se punonjësit e OSHEE-së nuk ua kanë shkatërruar derën e kabinës elektrike pasi ata kanë dalë në kohë, por vetëm i kanë parë teksa ata po e tërhiqnin me forcë derën, të cilën nuk e dinte nëse ishte dëmtuar apo jo. Ajo kabinë mund të hapej prej tyre dhe nga punonjësit e OSHEE-së, pasi kishin çelësat”, vijon dëshmia e bashkëshortes së të akuzuarit, e administruar nga prokuroria.
Ky i fundit është arrestuar pas kallëzimit të punonjësve të OSHEE-së, ndërsa nuk ka pranuar të japë ndonjë sqarim për akuzat në gjykatë.
Megjithatë, i akuzuari u lirua më pas nga gjykata që cakton masën detyrim paraqitje, ndërsa prokuroria kishte kërkuar arrest në shtëpi.
Me kalimin e viteve, Tom Doshi ka rritur fuqinë elektorale. Në zgjedhjet e fundit lokale (2023), Partia Socialdemokrate e Tom Doshit u rrit me 2.4 herë krahasuar me vitin 2021, duke fituar 86 mijë vota (6.4 % të totalit) dhe 116 mandate për këshillat bashkiakë në të gjithë vendin.
Në Shkodër, ku kandidati socialist Benet Beci fitoi duke marrë gati 35 mijë vota në zgjedhjet lokale, PSD arriti të marrë 13 mijë vota për këshill bashkiak, duke sugjeruar se më shumë se një e treta e suksesit të Becit i dedikohet mbështetjes nga PSD.
/Gijotina.com/
Discussion about this post