Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë thirrje për protesta me synimin krijimin e qeverisë teknike. Sipas tij, kjo është e vetmja rrugë për rotacion politik dhe ardhjen e opozitës në pushtet.
Nga ballkoni i shtëpisë së tij, ku prej 30 dhjetorit Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie, u shpreh se kjo qeveri dhe kryeministri Edi Rama duhet të largohen.
“Nuk mund të pranojmë kurrë më që këta kriminelë, këta bashkëpunëtorë të bandave më të rrezikshme të Europës, vetëm njëri prej tyre ka transferuar nga Dubai në Europë, tre miliardë euro, Çopja.
Imagjinoni ju se çfarë fuqie kanë ata, kur vetëm njëri prej tyre disponon gjysmën e prodhimit të përgjithshëm të Shqipërisë në vlerë.
Miqtë e mi, Edi Rama duhet të largohet sa më parë. Protesta jonë për qeveri teknike, për zgjedhje të lira, është rruga e vetme e shpëtimit të Shqipërisë. Është rruga e vetme për ndryshimin e pushtetit. Rruga e vetme për ardhjen e opozitës në pushtet”, tha Sali Berisha.
Po ashtu Sali Berisha tha se krijimi i komisionit të të vërtetës për dosjet e krimit është kushti i të gjitha kushteve për të pastruar jetën politike
“Krijimi i komisionit të të vërtetës për dosjet e krimit është kushti i të gjitha kushteve për të pastruar jetën politike të Shqipërisë. Për të rikthyer në Shqipëri ligjin dhe shtetin ligjor. Pa komisionin e të vërtetës, shoqëria shqiptare do të notojë mbi falangat e krimit më monstruoz. E krimit shtetëror! Komisioni i të vërtetës është rruga e vetme për të zbardhur krimin e madh elektoral. Për të zbardhur të vërtetën e farsës elektorale në Shqipëri. Për të zbardhur terrorizmin e bandave të Edi Ramës ndaj zgjedhësve shqiptarë. Për të zbardhur miliona e miliona të përdorura prej tyre për të blerë vota me 300 euro, me 500 euro, për të blerë komisionerë me 10 mijë euro, me 15 mijë euro”, u shpreh nder te tjera ish kryeministri.
FJALA E SALI BERISHES
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.
Mirënjohjen më të pakufijshme ndaj jush qëndrestare dhe qëndrestarë të pamposhtur, misionare dhe misionarë të kauzës së drejtë të çdo shqiptari.
Një përshëndetje të përzemërt oratorëve fjalëzjarrtë që nga kjo platformë shpërndajnë të vërtetat në të katër anët e vendit. Nga kjo platformë çjerrin vellon e zezë të censurës që regjimi i drogës, krimit dhe vjedhjeve ka vendosur mbi shqiptarët.
Të dashur miq, këto 10 ditë kanë qenë ditë vrasjesh, eksplozivesh, varjesh, vdekjesh në burg. Kanë qenë ditë tragjike, por gjithçka ndodh sepse krimi, vrasësit serialë janë vendimmarrësit më të fuqishëm. Kjo ndodh sepse vrasësit serialë dhe bandat kanë për ushtarë ministrat e qeverisë.
Kanë për ushtarë Taulant Ballërat me shokë. Kanë lidhje të ngushta me Edi Ramën, me zyrat e tij. Kanë mbrojtje të plotë nga mercenar Dumani dhe shpura e tij.
Të dashur miq, edhe njëherë theksoj se Shqipëria, shoqëria shqiptare sot për fatin e saj është e ngërthyer nga krimi sa kurrë ndonjëherë në ekzistencën e vet.
Dhe kjo për asnjë arsye tjetër, por se shteti që duhet të luftojë, është një me krimin.
Deri dje ministri i Brendshëm, Taulant Balla Bego Yaris, ndërhyn dhe liron me urdhër të vrasësve, vrasësit që i vunë tritolin tjetrit.
Dy prej tyre dhe nuk i ndodh asgjë sepse ai ka mbrojtjen e bandave, ka mbrojtjen e atyre që e porositën të ndërmarrë aktin kriminal me Vath Stakën për të liruar ata që i vendosën tritolin tjetrit në mes të Shkodrës.
Taulant Balla ishte për vizitë në Dubai. Atje takoi edhe çunat e tij, por regjistrimet tregojnë se janë paguar miliona për emërimet në Tiranë, për emërimet në drejtorinë qendrore të policisë.
Dhe megjithatë ai është ministër shteti sepse më i zhytur në krim është Edi Rama, është Olsi Rama.
Janë parti e krimit!
Altin Dumani, ky avokat i shpifur i krimit, ishte ngarkuar të merrte në pyetje Ymer Lalën, i cili ishte denoncuar për vrasje nga një i penduar.
Nga 19 pyetje që i drejtoi mercenari, asnjëra prej tyre nuk ishte për vrasjet. Ky është hetimi i krimit elektoral që bën njeriu i cili kryeson organizatën kriminale të Skapit të partisë. Në dosjet, dhe ato janë gjithsej të hapura nga 35, vetëm 4 prej tyre, në këto dosje dalin prokurorë, dalin gjykatës.
Dhe Altin Dumani na thotë se policët, po ai vetë është i tillë. Ai është vetë para kriminelit përkulet, nuk guxon ta pyesë për denoncimin që i është bërë. Dhe i gjithë Skapi e din këtë, ndaj i varin teneqenë këtij shërbëtori të Edi Ramës.
Të dashur miq, një muaj më parë u vendos në qytetin e Durrësit një pllakatë memoriale për katër dëshmorë të kombit, oficerë të shkëlqyer policie që i ekzekutoi miku i Edi Ramës, vrasësi serial Dritan Dajti.
A mund të imagjinoni ju se ajo pllakë përkujtimore që u inaugurua zyrtarisht me praninë e narkopolicëve, u hoq me urdhrin e Dritan Dajtit.
Sepse Edi Rama po bën gjithçka që vrasësin e katër oficerëve të policisë ta nxjerrë nga burgu, ta lirojë për detyrimet që ka ndaj tij.
Të dashur miq, këto janë vetëm maja e ajsbergut e krimeve të këtyre qeveritarëve.
Në dosje ka telefonata që faktojnë se përgatitën vrasjen e një politikani të afërt me Edi Ramën dhe heshtin dhe nuk bëjnë asnjë akuzë, nuk guxojnë, sepse bandat që do e eliminonin janë superbandat e partisë.
Pra, aq sa është e shëmtuar vrasja në klub, në rrugë dhe kudo, më të shëmtuara dhe kriminale janë planet që bëhen nga njerëzit e pushtetit, nga bandat e pushtetit.
Dhe që të gjitha bëhen me dijeninë e Edi Ramës.
Ja pse Taulant Balla megjithëse akuzohet, faktohet se ndërhyri për të liruar vrasësit, terroristët që vunë dinamitin, ndërhyri dhe mori nga stacioni i policisë Rrajën, që kishte torturuar një vajzë, kalon nga një portofol në tjetër, sepse kreu i krimit në Shqipëri është Edi Rama që koordinon bandat.
Sepse është Edi Rama që udhëton sipas dosjeve në Aruba.
Se është Edi Rama që stoliset me orë 500 mijë eurosh.
Miqtë e mi, i bëra këto denoncime se unë siç e dini kam kërkuar komisionin e të vërtetës.
Krijimi i komisionit të të vërtetës për dosjet e krimit është kushti i të gjitha kushteve për të pastruar jetën politike të Shqipërisë.
Për të rikthyer në Shqipëri ligjin dhe shtetin ligjor. Pa komisionin e të vërtetës, shoqëria shqiptare do të notojë mbi falangat e krimit më monstruoz.
E krimit shtetëror!
Komisioni i të vërtetës është rruga e vetme për të zbardhur krimin e madh elektoral.
Për të zbardhur të vërtetën e farsës elektorale në Shqipëri. Për të zbardhur terrorizmin e bandave të Edi Ramës ndaj zgjedhësve shqiptarë. Për të zbardhur miliona e miliona të përdorura prej tyre për të blerë vota me 300 euro, me 500 euro, për të blerë komisionerë me 10 mijë euro, me 15 mijë euro.
Të dashur miq, shtatori është muaji i opozitës.
Nuk mund të pranojmë kurrë më që këta kriminelë, këta bashkëpunëtorë të bandave më të rrezikshme të Europës, vetëm njëri prej tyre ka transferuar nga Dubai në Europë, tre miliardë euro, Çopja.
Imagjinoni ju se çfarë fuqie kanë ata, kur vetëm njëri prej tyre disponon gjysmën e prodhimit të përgjithshëm të Shqipërisë në vlerë.
Miqtë e mi, Edi Rama duhet të largohet sa më parë.
Protesta jonë për qeveri teknike, për zgjedhje të lira, është rruga e vetme e shpëtimit të Shqipërisë.
Është rruga e vetme për ndryshimin e pushtetit.
Rruga e vetme për ardhjen e opozitës në pushtet.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!
gijotina.com/
Discussion about this post