Me firmën e drejtorit të komanduar të Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, është miratuar fondi i kompensimit ushqimor për të gjithë efektivët blu për muajt janar-gusht 2024.
Urdhri
Dokumenti mban datën 17 shtator dhe urdhëron zyrat e financave në të gjithë drejtoritë për kalimin e pagesave, një detyrim ligjor ky për përfitimin ushqimor. Paratë do të kalojnë në llogari dhe karta të veçanta të hapura gjatë javëve të fundit nga të gjithë policët, pas marrëveshjeve me banka të nivelit të dytë, pa u përzier me kartat e bankës që policët marrin pagën.
Por, policët nuk kanë marrë edhe pagesën e vakteve ushqimore për muajin dhjetor 2023, i cili, sipas urdhrit të Bizhgës, do të merret në llogarinë bankare të pagës. Pagesa e ushqimit do të jetë për çdo muaj në vijimësi, duke plotësuar kështu një detyrim ligjor që rrjedh që prej vitit 2008, por që nuk ishte zbatuar.
Pagesa për një vakt ushqimor është 450 lekë, e cila merret në një ditë pune 8 orareshe. Ndërkohë parashikohen 3 vakte për rastet e gatishmërive dhe shërbimeve në operacione. Megjithatë, paratë e ushqimit që do të kalojnë në kartën e posaçme nuk mund të tërhiqen nëpër bankomate, nuk mund të transferohen në llogari të tjera bankare për t’u përdorur për qëllime të tjera ekonomike.
Ato mund të përdoren nga policët për të blerë vetëm në një rrjet supermarketesh në të gjithë vendin, me të cilin është lidhur marrëveshje, duke konsideruar edhe një ulje çmimi që varion nga 5% për ushqime të përgjithshme dhe deri në 10% për ushqimet e shportës. Përfitues janë të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, ndërsa karta bankare bëhet e pavlefshme në momentin e largimit të tyre nga struktura.
Vendimi
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, më 24 gusht 2024, qeveria miraton pagesat për orët shtesë të punonjësve të policisë dhe kompensimin financiar ushqimor të tyre.
Në Aktin e miratuar, parashikohet të mbulohet efekti financiar i orëve shtesë të punonjësve të policisë të angazhuar në shërbim gjatë sezonit turistik.
Po ashtu, me këto shtesa në Aktin Normativ, do të mbulohet edhe efekti financiar i kompensimit në lekë për ushqimin, për punonjësit e policisë për gjithë vitin buxhetor 2024.
Në një prononcim pas mbledhjes së qeverisë, Ministri i Financave Petrit Malaj u shpreh se është rritur financimin për Ministrinë e Brendshme në vlerën rreth 1.3 miliard lekë për kompensimin ushqimor të Policisë, krahas orëve shtesë të punës që do t’i përfitojnë në kuadër të sezonit turistik.
gijotina.com/
Discussion about this post