Për vite me radhë gjatë sezonit turistik, Vlora gdhihet e mbuluar nga tymi i plehrave që digjen në fushën e grumbullimit në periferi të qytetit. Skenat apokaliptike të tymit që mbulojnë Vlorën, si ajo e 25 korrikut, i lënë gojëhapur turistët që vizitojnë qytetin dhe rrethinat e tij për të shijuar detin dhe i ka vënë në vështirësi operatorët turistikë. Banorët e qytetit ndërkohë vuajnë prej vitesh erën e rëndë që vjen nga fusha e mbetjeve dhe problemet shëndetësore që sjellin ato.
“Unë jam shumë larg, 1.5-2 kilometra në vijë ajrore, por natë për natë ne ndjejmë aromën e mbetjeve që digjen në fushën e mbetjeve në Vlorë,” thotë Niko Dumani, një aktivist lokal i mjedisit.
Dumani dyshon se djegia e përvitshme e mbetjeve në fushë të hapur është e qëllimshme dhe synon të eleminojë malin me mbetje, për shkak se planet për vënien në punë të landfillit të ri në Sherishtë dështojnë vit pas viti.
“Kjo po cënon drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të Vlorës dhe atyre që vizitojnë qytetin, pasi mbetjet që digjen, kryesisht plastika, emeton dioksina dhe gazra të tjerë helmues,” shtoi ai.
Landfilli i Sherishtës është pjesë e një projekti të integruar për menaxhimin e mbetjeve në qarkun e Vlorës me vlerë 20.8 milionë euro i financuar nga KfW, nga të cilat 12.5 milionë euro janë kredi që paguhen nga qeveria shqiptare dhe pjesa tjetër grante.
Projekti iu besua kompanisë “Integrated Technology Services” të Klodian Zotos dhe ka ngecur në vendnumëro që prej sekuestrimit të kompanisë me vendim të Gjykatës së Posaçme dhe arratisjes nga drejtësia të pronarit të saj, i dënuar dy herë nga gjykata për korrupsion dhe pastrim parash me koncesionet e incineratorëve në Elbasan dhe Fier.
Punimet në landfillin e Sherishtës duhej të kishin përfunduar në vitin 2021 dhe zyrtarisht, përfaqësues të Bashkisë së Vlorës kanë deklaruar disa herë se landfilli do të vihet në punë.
Megjithatë, Bashkia e Vlorës i tha BIRN përmes një përgjigje me shkrim se nuk ka ende një projekt për mbylljen e punimeve që mbetën rrugës dhe as një afat për vënien në punë të landfillit.
“Përfundimi i punimeve të parealizuara do të mundësojë vënien në funksionim të Landfillit të Sherishtës, por nuk mund të parashikojmë në këtë moment një afat të saktë për përfundimin e punimeve dhe marrjen në dorëzim të impiantit nga ana e Bashkisë Vlorë,” thuhet në përgjigjen zyrtare.
Kriza mjedisore
Qyteti i Vlorës nuk është i vetmi në një situatë të emergjencës mjedisore, edhe pasi qeveria shqiptare shpenzoi miliona euro për koncesionet e ndërtimit të incineratorëve apo landfilleve si ai i Sherishtës, të cilët mbetën gjithashtu të papërfunduar.
Këto projekte ranë në duart e Klodian Zotos dhe partnerit të tij në biznes, Mirel Mërtiri dhe rrethit të tyre të ngushtë, tashmë të dënuar nga Gjykata e Posaçme për korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Si rrjedhojë, inceneratori i Elbasanit punon vetëm pjesërisht duke sjellë një mal mbetjesh buzë lumit Shkumbin. Inceneratori dhe landfilli në Fier janë të papërfunduar dhe depozitimi i mbetjeve aty pa një impiant trajtimi të ujërave të ndotura e ka kthyer atë në një bombë ekologjike për zonën. Situata është e ngjashme edhe në Tiranë, ku incineratori nuk u ndërtua asnjëherë.
Punimet në landfillin e Sherishtës u bllokuan pas sekuestrimit të kompanisë “Integrated Technology Services” dhe është e paqartë se sa punë duhet për t’i përfunduar ato.
Aktivisti i mjedisit, Niko Dumani thotë se në takimet e bëra autoritetet pretendojnë se vetëm 7 për qind e projektit ka mbetur pa përfunduar. “Por se çfarë është ky 7% nuk e thotë njeri”, tha Dumani, ndërsa vuri në dyshim pretendimet e ngritura.
Bashkia e Vlorës po ashtu nuk është në gjendje të thotë se çfarë ka mbetur pa përfunduar nga projekti dhe sa do kushtojnë këto punime shtesë. Në përgjigje të kërkesës për informacion, Bashkia i tha BIRN se po bashkëpunon me një konsulent teknik për të mundësuar rifillimin e punimve të ngecura që prej vitit 2021, duke lënë të kuptohet se edhe për ta është e paqartë se çfarë punimesh duheshin kryer.
“Konsulenti Teknik është duke punuar për përgatitjen e projekteve të punimeve të parealizuara ende të Komponentit ” Ndërtimi i Landfillit të Sherishtës ” dhe si dhe të Komponentit “Mbyllja e vend depozitimeve ekzistuese”. Në përfundim të këtyre projekteve, do të kemi një parashikim të plotë dhe të saktë të punimeve që janë për t’u kryer dhe kostot përkatëse për kryerjen e këtyre punimeve,” tha Bashkia e Vlorës.
Për sa kohë zgjidhja mungon, pavarësisht se janë shpenzuar miliona euro, Vlora mbetet në mëshirë të tymit që del prej mbetjeve që digjen vazhdimisht.
“Gjendja është tej mase kritike. Banorët e Vlorës janë të gjithë të ekspozuar vazhdimisht ndaj një tymi kancerogjen, pa pikë dyshimi,” thotë Ermal Çukani nga lëvizja Community Hub Vlorë.
Sabotimi i turizimit
Biznese dhe aktorë të shoqërisë civile në Vlorë kanë pak besim se situata do të zgjidhet. Mikel Zinxhiria, një prej operatorëve turistikë në qytet, thotë se keqmenaxhimi i mbetjeve dhe djegia e tyre e vazhdueshme i ka dëmtuar dhe shpesh i ka vënë në pozitë të vështirë para turistëve.
“Nuk dinim si t’ua shpjegonim çfarë po ndodhte, pasi situata vazhdoi në më shumë se një javë në gusht dhe smogu dhe tymi mbytën qytetin deri ne Karaburun e Sazan,” thotë ai.
“Ka pas ndikim të lartë në imazhin dhe punën tonë. Pasi këtë vit ishin 2 herë nga më shumë se 1 javë ku qyteti ishte i mbytur në tym dhe erë të keqe,” shtoi ai.
Zinxhira thotë se është pesimist që situata do të rregullohet sa kohë autoritetet lokale nuk kanë ende një plan. Ai vë gjithashtu në dukje se ata si grup interesi nuk dëgjohen dhe takimet bëhen sa për sy e faqe.
“Fakti që s’ka asnjë afat tregon që të paktën dhe vitin tjetër do kemi të njëjtin fat si ky vit. Mbetjet hiqen me metoda primitve, pavarësisht buxhetit të disbursuar për këtë punë,”, thotë Zinxhira.
Edhe Ermal Çukani nuk ka shpresa se kriza do të zgjidhet shpejt, ndërsa thekson se ankesat dhe peticionet e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër.
“Situata është tragjike dhe banorët e zonës janë të ekspozuar thuajse çdo ditë ndaj erës dhe tymit. Kemi organizuar një seri peticionesh para një viti që nuk janë dëgjuar. Kemi bërë takime me kryetarin e bashkisë, prefektin, dhe deputetët, por fjala nuk na është dëgjuar. Bashkia e Vlorës, sot që flasim, nuk ka asnjë plan si kjo situatë te ndryshojë,” përfundoi ai.
Discussion about this post