Nga Eduard Halimi/ Pa i hyrë analizës poltike nëse kjo është ajo që presin qytetarët muslimane, bektashianë, te krishtere, të një apo asnjë besimi në Shqipëri nga qeveria më jetëgjatë pas asaj komuniste, (apo nëse është një ide për te hequr vëmendjen nga 1001 problemet e tjera) le të bëjmë një analizë të shkurtër dhe racionale të kësaj idene dhe sfidave me të paktën dy nene Kushtetuese nenit 1 dhe 3 të saj.
Neni 1 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë përcakton bazat themelore të shtetit shqiptar:
- Shqipëria është një shtet unitar dhe i pandashëm
- Forma e qeverisjes është republika parlamentare.
- Shqipëria është një shtet laik.
Neni 3 i Kushtetutës parashikon:
Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë.
Në këtë kontekst, çdo propozim për krijimin e një shteti brenda territorit të Shqipërisë bie ndesh me parimin e “unitaritetit” dhe “të pandashmërisë së shtetit”. Shqipëria është një shtet i vetëm dhe i pandashëm, dhe Kushtetuta nuk lejon krijimin e një entiteti të veçantë juridik, politik ose administrativ që do të kishte tiparet e një shteti brenda një shteti tjetër.
- Sfida ndaj parimit të unitetit
Krijimi i një shteti të ri, qofshin edhe për arsye fetare siç është “Shteti Bektashi”, do të minonte parimin e unitaritetit të Shqipërisë. Kushtetuta nuk lejon që ndonjë pjesë e territorit të shkëputet apo të krijohet një qeverisje paralele që do të funksiononte në mënyrë të pavarur nga qeveria qendrore e Republikës së Shqipërisë.
– Sfida e një precedent të rrezikshëm: Nëse ky parim prishet, krijimi i entiteteve të tjera brenda territorit kombëtar (për arsye etnike, fetare, apo rajonale) do të cenonte integritetin territorial të shtetit dhe do të shkaktonte një efekt domino për kërkesa të ngjashme nga grupime të tjera apo ide të tjera nga kryeministrat e rradhës!
- Sfida ndaj parimit të unitetit territorial.
Asnjë hapësirë nuk lejon Kushtetuta për veprime të tilla nga qeveria kur behet fjalë për teritore. Të paktën 2 vendime të GJykatës Kushtetuese nuk e lejojnë këtë
- Sfida ndaj “Bashkëjetesës fetare” dhe “harmonisë ndërfetare” të cilat janë të shenjta në Shqipëri.
Shteti shqiptar është i ndërtuar mbi bazën e “unitetit kombëtar” dhe respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe “ndarjes së shtetit nga feja” (laicizmi).
Në këtë nen përmendet qartë parimi i **laicizmit**, sipas të cilit **shteti shqiptar është i ndarë nga feja**..
- Sfida ndaj parimit të laicizmit:
Propozimi për një “Shtet të Urdhërit Bektashi” do të minonte konceptin e ndarjes së fesë nga shteti dhe do të dëmtonte harmoninë ndërfetare në Shqipëri, e cila është një vlerë e çmuar dhe e mbrojtur me kujdes. Çdo përpjekje për të krijuar një shtet të bazuar mbi një përkatësi fetare të veçantë, në këtë rast bektashizmi, është kundër parimeve të laicizmit që përbën një nga shtyllat e shoqërisë shqiptare modern. Kjo do të krijonte një ndarje fetare të bazuar në entitete politike, gjë që është e papajtueshme me Kushtetutën.
- Sfida ndaj një precedent të rrezikshëm për diskriminim fetar dhe destabiliteti:
Krijimi i një shteti të ndarë mbi baza fetare do të minonte parimin e barazisë dhe mund të çonte në privilegjimin e një grupi fetar ndaj të tjerëve, gjë që është në kundërshtim me harmoninë fetare dhe barazinë kushtetuese. Ky propozim, përveçse bie ndesh me ligjin themeltar të vendit, është gjithashtu një precedent i rrezikshëm që mund të destabilizojë marrëdhëniet ndërfetare dhe kohezionin kombëtar
- Sfida ndaj aspektit ligjor: Pandashmëria dhe Sovraniteti Kombëtar
“Sovraniteti kombëtar” është një tjetër element i rëndësishëm që duhet marrë parasysh në këtë kontekst. Kushtetuta përcakton se sovraniteti i Shqipërisë buron nga populli dhe është i pandashëm. Krijimi i një entiteti të pavarur politik brenda territorit të Shqipërisë do të ishte një cenim i drejtpërdrejtë i sovranitetit të shtetit.
- Sfida e njohjeve ndërkombëtare
Një shtet i ri, për të ekzistuar ligjërisht, do të duhet të fitojë njohjen ndërkombëtare, por ky proces është i pamundur kur bie ndesh me integritetin territorial të një shteti sovran ekzistues si Shqipëria. Asnjë shtet i huaj apo organizatë ndërkombëtare nuk do të pranonte njohjen e një entiteti që cënon sovranitetin dhe integritetin territorial të një shteti tjetër. Shembujt për këtë janë pafund pa dashur të bej paralelizmin me fqinjët tane dhe pa u larguar shumë.
- Sfida në aspektin politik dhe social: Harmonia Fetare dhe Uniteti Kombëtar
Propozimi për një “Shtet Bektashi” gjithashtu mund të krijojë ndarje të mëdha politike dhe sociale në Shqipëri, që ka një histori të bashkëjetesës dhe tolerancës fetare. Shqipëria ka arritur të ndërtojë një shoqëri ku të gjitha komunitetet fetare bashkëjetojnë në harmoni, dhe krijimi i një entiteti të veçantë fetar mund të sjellë pasoja të rënda drejt ndarjaes se shoqërisë. Një ndarje e bazuar në përkatësi fetare, përveç se është antikushtetuese, do të thellonte ndarjet shoqërore dhe mund të shkaktonte tensione të panevojshme në një vend që është krenar për bashkëjetesën e tij fetare.
Përfundimi: Sfida ndaj parimeve themelore të Kushtetutës
Në përfundim, neni 1 dhe neni 3 i Kushtetutës së Shqipërisë janë të qarta dhe të prerë në lidhje me parimin e “unitetit të shtetit”, “Teritorit” dhe “laicizmit”. Krijimi i një “Shteti Bektashi” brenda territorit të Shqipërisë përbën një sfidë ndaj Kushtetutës dhe minon parimet mbi të cilat është ndërtuar shteti shqiptar: “unitariteti, laicizmi dhe sovraniteti” kombëtar. Çdo përpjekje për të krijuar entitete të ndara fetare në formë shteti do të sfidonte harmoninë sociale dhe integritetin teritorial të Republikës së Shqipërisë.
Ky propozim, përveçse sfidon ligjin themeltar të vendit, është gjithashtu një precedent që mund të destabilizojë marrëdhëniet ndërfetare dhe kohezionin kombëtar. Për këtë arsye, është e rëndësishme që të ruhet integriteti i Kushtetutës dhe të refuzohet çdo propozim që mund të shpjerë drejt ndarjes së shtetit shqiptar.
Marrë nga faqja zyrtare e E.H.
Discussion about this post