Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka bërë thirrje qytetarëve të Tiranës që të bashkohen në protestën e radhës që do zhvillohet ditën e nesërme, e premte 11 tetor përpara bashkisë.
‘Nesër në ora 11:00, të gjithë tek bashkia për të kapur për zverku Erion Veliajn. Beteja jonë nuk ndalet kurrë!’, u shpreh Berisha gjatë tubimit qytetar në mbështetje të tij që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.
Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet të përzemerta.
Mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush misionareve dhe misionarëve të kauzës së drejtë të çdo shqiptari.
Guximtareve dhe guximtarëve që qëndrojnë të vendosur, të palëkundur si pararendës të betejës sonë për qeveri teknike, zgjedhje të lira, fitoren e opozitës.
Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj platforme të fjalës së lirë që përcjellin, përhapin në të katër anët e dheut të vërtetat e sotme të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Një përshëndetje ju bëj guximtarëve të 7 tetorit që përballen me terrorin policor me urdhër të Edi Ramës, por qëndrojnë si heronj të vërtetë të papërkulur për idealet që mbrojnë.
Shërim të shpejtë zotit Emiri, të cilit një narkokomisar donte, nga urrejtja e hajdutit, e kriminelit, e trafikantit, ta digjte të gjallë.
Të dashur miq, sot koha na fton më shumë se kurrë të 10-fishojmë përpjekjet tona për të transformuar Shqipërinë nga jugu në veri, nga lindja në perëndim në vendin e mosbindjes civile.
Në vendin e njerëzve guximtarë, të përgjegjshëm për misionin e tyre, të cilët me guxim, në revoltë, përmbysin në një hark kohor 32-vjeçar diktaturën e dytë në Shqipëri.
Diktaturën e bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Ky regjim është sot regjimi më i shëmtuar në Europë.
Një nga regjimet më kriminale në botë.
Ky është regjimi i organizatave kriminale në qeveri, të udhëhequra nga Edi Rama.
E organizatave kriminale në institucione, të udhëhequra nga Edi Rama.
Ky është regjimi që çdo ligj, çdo normë dhe standard të një shteti normal, e ka zëvendësuar me vullnetin, me dufet, me epshet politike të kreut të narkoshtetit dhe banditëve të tij.
Miq, beteja me mafien e regjimit është një betejë jo e lehtë, por është një betejë plotësisht e fitueshme dhe ajo ka vetëm një kusht, të vazhdojmë, të vazhdojmë, të vazhdojmë.
Është radha jonë, është radha jonë!
Ky regjim nuk ndalet kurrë po nuk e ndalëm ne.
Ky regjim nuk ka mëshirë, nuk ka ndjenja, e urren shqiptarin dhe shqiptarët.
Duhet përmbysur një minutë e më parë.
Ky regjim përmbyset vetëm atëherë kur ne të protestojmë çdo ditë, të protestojmë në mbarë Shqipërinë.
T’ia dridhim tokën nën këmbë kësaj fare hajdutërish, që po zbrazin Shqipërinë, po dëbojnë shqiptarët nga trojet e tyre.
Ndaj dhe nesër në ora 11:00, qytetare dhe qytetarë tek bashkia, për të kapur për zverku Erion Veliajn.
Beteja jonë nuk ndalet kurrë!
Beteja jonë ka vetëm një objektiv: qeverinë teknike, zgjedhje të lira, zgjedhje të ndershme, fitoren e opozitës.
Të dashur miq, Edi Rama ka lëshuar dje një kërcënim me jetë ose me burg me gojën e zëdhënësit të tij, Sokol Balla, për kryetarin e grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.
Në emër tuaj do i deklaroj këtu, se guxon dhe i prek një qime floku të Gazment Bardhit ose të çdo deputeti, vend mbi tokë nuk do kesh.
Nuk të mbrojnë dot as tunelet e Dajtit, as shpellat e Malit me Gropa, kudo që të jesh do gjendesh dhe do të të bëhet gjyqi para shqiptarëve.
Prandaj mos mendo ti se për krimet e Olsit dhe tuat, për trafiqet e tua dhe të Olsit, për vjedhjet tua familjare dhe të Olsit, do mund t’i mbyllësh gojën opozitës.
Jo, kurrë, harroje!
Harroje dhe njëherë.
U them atyre mjeranëve të cilët nuk meritojnë as të quhen njerëz, mos u bëni zëdhënës të një kryekrimineli, të një kryehajduti që mbron krimet e tij, vëllait të tij, organizatës së tij kriminale qeveri, sepse do njësoheni me ta.
Dhe ky është një turp i madh.
Të dashur miq, sot për komunitetin mysliman shqiptar ishte një ditë e veçantë.
U inaugurua Xhamia e Namazgjasë.
U inaugurua në tokën e Komunitetit Mysliman, të konfiskuar nga regjimi komunist dhe të rikthyer nga PD.
Edi Rama e pengoi 11 vite sa qe kryetar bashkie dorëzimin e pronës komunitetit mysliman.
Por më në fund, xhamia e madhe e Tiranës nisi ndërtimin me 17 prill të vitit 2013.
U deshën 11 vite të përfundonte.
E ndërpreu dhe e bllokoi sapo erdhi në pushtet, etj, etj.
Por unë sot kam mirënjohje për të gjithë ata që me bujari financuan ndërtimin e saj.
Thirrja ime për Komunitetin Mysliman Shqiptar është të përçmoni, të hidhni poshtë përpjekjen diabolike të Edi Ramës për përçarjen tuaj.
Përdorimin e xhamisë, tempullit të lutjeve ndaj Zotit, për të përçarë komunitetin mysliman.
Mungesa në ceremoni e udhëheqësit shpirtëror të besimtarëve myslimanë, kryetarit të KMSH, ishte një ofendim për çdo besimtar mysliman.
Por Edi Rama është i angazhuar në mision për të përçarë fetë dhe besimet.
Tre javë më parë, sikur të ishte i biri i Ajatollah Komeinit, shpalli në OKB krijimin e shtetit bektashi.
Tre javë më parë, nuk fton kreun e KMSH, të zgjedhur nga vetë komuniteti.
Në emër të PD dënoj këtë akt, por garantoj besimtarët se kjo parti në respekt të plotë të lirive fetare, besimeve fetare, do i përmbahet kushtetues të ndarjes së shtetit nga feja.
Do respektojmë me admirim të madh tolerancën fetare dhe bashkëveprimin ndërfetar si vlerat më të arrira të shpirtit shqiptar.
Discussion about this post