Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në nisje të fjalës së tij në tubimin qytetar, është shprehur se, në universitet e vendit, sot janë 74 mijë studentë më pak se në 2014. Sipas Berishës, Rama ka dyfishuar tarifat e studimeve në këto vite që qeveris.
Lideri demokrat, Sali Berisha i premtoi studentëve dhe pedagogëve se tarifat e universiteteve do të përgjysmohen dhe bursat nuk do të jenë më nën 200 euro. Berisha foli ashpër mbi ligjin e ri të Ramës, duke e cilësuar si një akt që varros universitetet si institucione kërkimore dhe i shndërron ato në shkolla të pavlera për shoqërinë.
Berisha gjithashtu premtoi rritje të fondeve për kërkimin shkencor, duke synuar arritjen e standardeve të vendeve të BE-së. Ai i bëri thirrje studentëve dhe pedagogëve të angazhohen në këtë betejë për të mbrojtur arsimin dhe të ardhmen e tyre.
Sali Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më miqësore, mirënjohjen më të pakufishme ju misionareve dhe misionarëve të kauzës së drejtë, kauzës së pamposhtur të qytetarëve shqiptarë. Mirënjohje të pakufishme oratorëve të kësaj tribune të fjalës së lirë, që përcjellin në të katër anët e Shqipërisë të vërtetat e këtij regjimi të bazuar në drogën, krimin, vjedhjen e shqiptarëve.
Të vërtetat e qëndresës së pamposhtur tuaj, të vendosmërisë tonë në një betejë të pandalshme për realizimin e qeverisë teknike, rikthimin e votës së lirë te shqiptarët, rotacionit politik dhe fitores së opozitës. Të dashur miq, organizata kriminale që kryeson Edi Rama prodhon çdo ditë, çdo javë të këqija, akte armiqësore, akte brutale, akte shkatërrimtare ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në sulm sot janë si kurrë ndonjëherë në histori, universitetet e vendit.
Edi Rama, pasi me kthimin e tij në pushtet, mbylli një seri universitetesh publike, të cilat kishin mijëra studentë, dyfishoi tarifat e studimeve dhe bëri që studentët e familjeve më të varfra në Europë të paguajnë nominalisht tarifat më të larta në Europë, përveç Britanisë së Madhe, dhe të paguajnë proporcionalisht tarifat absolute më të lartat në europë.
Me këtë politikë, duke larguar pasivisht të rinjtë nga Shqipëria, sot në universitetet e vendit janë më pak se në vitin 2014, 74 mijë studentë. Ndërkohë, një nga treguesit më themelorë të avancimit në fushën e dijes të një vendi, të kultivimit të shtresës intelektuale për një vend, është përqindja e të diplomuarve në shkollat e larta në raport me popullatën.
Miqtë e mi, kjo garë, gara e dijes është gara më vendimtare për të ardhmen e një kombi dhe të një vendi. Në këtë garë, Edi Rama iu ka dhënë goditje fatale arsimit parauniversitar, shpartallimi i të cilit ka sjellë rënien më të madhe në botë në testin e cilësisë, në PISA, rënien me 68 pikë. Goditje të rëndë, nga më të rëndat, i dha arsimit të lartë, duke përgjysmuar në 9 vite numrin e studentëve në shkollat e larta të vendit dhe dyfishuar tarifat.
Tani, me ligjin e ri, duke shkelur parimet themelore të Kushtetutës së vendit, ai po u jep universiteteve goditjen e mëshirës. Sapo erdhi në pushtet, ky armik i egër i dijes dhe qenies shqiptare, ndaloi mbrojtjen e gradave në universitetet publike, akt të cilin nuk e ka bërë kurrë ndonjë qeveri. Dhe tani së fundmi, ka vendosur të shpallë veten kryeshkencëtarin e Shqipërisë, kryetarin e Këshillit Shkencor Kombëtar, në një akt që nuk e bëri kurrë Enver Hoxha, as Mehmet Shehu.
Nuk e bëri kurrë as Kim Jong Sun, as Kim Jong Un. E bën pra vetëm Edi Rama. Universitetet pa lirinë akademike, pa lirinë e kërkimit shkencor, humbasin tërësisht funksionin e tyre si institucione të vendit, shndërrohen thjesht në shkolla të larta, automate, të cilat në ingranazhet e kohës shkojnë drejt shkatërrimit.
T’i privosh universitetet nga liria e kërkimit shkencor, në një kohë kur ke prekur pothuajse të gjitha fondet, të centralizosh atë në duart e një këshilli xhahilësh, injorantësh, hajdutësh, do të thotë të rrënosh kërkimin shkencor, do të thotë të vrasësh ëndrrat shkencore të mijëra e mijëra studiuesve të rinj, të cilët shohin kërkimin shkencor si rrugën më fisnike për të ndërtuar karrierën e tyre të suksesshme.
Si rrugën më dinjitoze për të ngjitur shkallët e dijes dhe shkencës. Unë u bëj thirrje sonte të gjithë pedagogëve të universiteteve, pavarësisht nga bindjet e tyre, të mbroni lirinë akademike sepse liria akademike është liria e vërtetë e juaj. Sepse pa liri akademike, ju shndërroheni në qenie mjerane automate, në zanatçi të pavlerë për veten dhe vendin tuaj.
Unë u bëj thirrje studentëve që të mbrojnë lirinë akademike të universiteteve, se historia e botës ka faktuar se universitetet i ka bërë të mëdha liria akademike. Se universitetet janë shndërruar në trungje të thata sa herë kanë dorëzuar këtë liri. Është koha pra për të gjithë ju studentë dhe pedagogë të shqyrtoni propozimi që ka bërë Edi Rama, në të cilin ju shumëzon me zero.
Në të cilin ju të gjithë së bashku keni zë aq sa ç’ka Lubi Balluku me dy asistentë të saj. Mbroni universitetet u bëjmë thirrje, u dilni zot vendit tuaj me universitetet, sepse ligji i ri, që është në kundërshtimin më flagrant me Kushtetutën e vendit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, de facto i varros ato si institucione të kërkimit shkencor.
I përthan, i shndërron në shkolla pa vlerë. I shndërron në shkolla të regjimit që nuk i duhen asgjë kombit të vet dhe popullit të vet. Ndaj dhe thirrja ime, të angazhoheni në një betejë shpëtimtare për studentët. I garantoj studentët se në një akt të parë, tarifat e tyre do të përgjysmohen. Se në një akt të parë, nuk do ketë bursë në universitet nën minimumin jetik 200 euro.
Garantoj pedagogët se në rast se sot, diferenca e buxhetit për shkencën është 8 herë më e ulët se në Serbi, se në Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë, ajo do jetë një më një me këto vende dhe do të ecë drejt shifrave të BE-së. Ndaj dhe të bashkohemi në këtë betejë. Është radha jonë, është radha jonë, është radha jonë.
gijotina.com/
Discussion about this post