Gjykata e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka vendosur të rrëzojë një tjetër pafajësi të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për oficerin e policisë Elbasan, Çelnik Toska, duke e dënuar këtë të fundit me 3 vite burgim për akuzën e korrupsionit pasiv.
Gjatë gjykimit në shkallë të parë, Çelnik Toska, u deklarua i pafajshëm, mirëpo ky vendim u ankimua nga prokurori i SPAK, Elvin Gokaj, duke kërkuar deklarimin fajtor dhe dënimin e zyrtarit të policisë, që akuzohej për korrupsion pasiv.
Rrëzimi i kësaj pafajësie nga Apeli, ka çuar brenda 1 jave në dy pafajësi të kthyera në dënim, ku rasti i fundit ishte prishja e vendimit të pafajësisë për ish-deputetin e PS-së, Alqi Bllakon dhe dënimin e tij me burg.
Ndërkohë në të njëjtën çështje ku ishte marrë i pandehur oficeri Çelnik Toska, Gjykata e Aeplit ka deklaruar fajtor dhe dënuar me 8 muaj burgim Lirian Taragjinin.
Ndërsa babain e këtij të fundit, Zenel Taragjinin, e ka dënuar me 1 vit burgim, kurse i pandehuri Lulzim Hasa që ka pasur rolin e sekserit, u dënua me 1 vit e 4 muaj burgim.
Referuar dosjes hetimore, çështja penale në SPAK që çoi në ndalimin e Çelnik Toskës, sekserit Lulzim Hasa me pseudonimin “Brava”, Sefer Shukës dhe babë e bir, Lirian dhe Zenel Taragjini, ka lindur nga një informacion që oficeri i përgjimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, ka çuar në SPAK.
Oficeri ka informuar prokurorët e SPAK, se ishte duke kryer përgjime për dosjen penale me Nr. 1407, e cila flet për kultivim të lëndëve narkotike.
Kur gjatë bisedave të përgjuara, njëri nga personat ka përmendur faktin se për lirimin e një makine të kapur me dru, kishte dhënë 1 milion lekë të vjetra.
Këto para janë paguar 500 mijë lekë të vjetra për prokurorin e çështjes dhe pjesa tjetër do jepej në forma të ndryshme, duke e paguar me mish.
Kjo bisedë e përgjuar në fillim të muajit nëntor 2022 kryhet mes Zenel Taragjinit pronarit të makinës dhe një personi tjetër që posedon numrin +839. Taragjini i shprehet personit se:
“…për nxjerjen e makinës nga komisariati kam dhënë 1 milion lekë. 500 mijë lekë janë dhënë për prokurorin e çështjes, ndërsa 500 të tjera do të jepen në formë tjetër, duke therur ndonjë bagëti për mish…”.
Në fakt sasinë e mishit e ka marrë oficeri i policisë Çelnik Toska, i cili në 8 dhjetor 2022 ka marrë në ambientet e lokal “Champion” në Elbasan, sasinë e mishit të futur në një thes të bardhë me vija rozë. Sasia e mishit i është dorëzuar oficerit të policisë, nga i hetuari Zenel Taragjini.
Discussion about this post