Përse Veliaj zgjedh të bashkëpunojë në tendera me sipërmarrës të dënuar për korrupsion, për evazion apo që nuk kanë garanci se mund të kryejnë punë publike me cilësi dhe në afat?
Pyetjet e kanë përgjigjen tek shkeljet e ligjit dhe manipulimet me qëllim përvetësimin e parave të buxhetit të bashkisë. Këtë radhë bëhet fjalë për tenderin me objekt “Rehabilitimi i infrastrukturës rrugore në njësinë Administrative Nr.4+ 8+”, që konkretisht përfshinë rrugicat pranë Rrugës së Dibrës, rrugicat në Kinostudio deri lart në Fresk.
Në dokumentet standarde është dhënë përshkrimi i një rrugice për secilën lagje, edhe pse në faqen e parë të letrave të prokurimit pretendohet se do të rehabilitohen disa rrugë në këto lagje dhe për këtë është menduar fondi 1.5 miliardë lekë.
Asfalt për 1.4 km rrugë
Gjithsesi në dokumente thuhet se do të kryhen punime në rrugën “ALI PASHE GUCIA”, një segment dytësor pranë rrugës së Dibrës, që lidh lagjet aty me daljen kryesore. Ky objekt është vetëm 256 metër i gjatë dhe aktualisht është e shtruar me asfalt, por që është i dëmtuar, gjithashtu janë amortizuar trotuaret dhe sistemi i ndriçimit.
Kështu puna që do të bëhet është asfaltimi, ndryshimi i sistemit të ndriçimi dhe sistemimi i trotuareve.
Më pas vjen rruga Rruga “Ramazan Gaxherri” ndodhet ne Lagjen Nr.12, në Fresk dhe lidh fshatin Qesarakë me qytetin.
Në këtë rrugë nuk është vënë dorë prej vitesh, edhe pse është një lagje që popullohet gjithmonë e më shumë, gjithashtu aty kalon edhe një linjë urbani. Gjendja e keqe e rrugës shpesh është bërë burim aksidenti pasi nuk ka as ndriçim.
Sipas dokumenteve të tenderit në këtë rrugë 565 metër të gjatë do hidhet një shtresë asfalti i ri, do të krijohen hapësira për trotuare, si dhe do të vendoset ndriçimi, ndërsa rrjetin e kanalizimeve do ta lënë në gjendjen që është.
Një tjetër rrugë që parashikohet t’i nënshtrohet rikonstruksionit është “Rexhep Tarja” 665 metër, e cila ndodhet në Kinostudio.
Kjo është një nga rrugët kryesore që të çon në stadiumin e Partizanit. Stadiumin e ndërtuan disa vite me parë, por rruga është lënë skandal, një pjesë e saj është e pa shtruar, pa ndriçim, shumë e ngushtë dhe me mbeturina kudo.
Ndërhyrja në këto rrugica duket se është e nevojshme, madje shumë e vonuar, por dyshojmë se kryetari Veliaj thjesht do të duket aty që të bëjë fushatë për Rilindjen. Më vonë nuk i dihet se si shkon fati i rrugëve. Nga ana tjetër, këto punime nuk e justifikojnë fondin e madh 1.5 miliardë që po hidhet për 3 rrugica. Kjo del me një krahasim që bëjmë me punë të ngjashme publike në Tiranë apo në qytete të tjera. Megjithatë një auditim i KLSH mund të nxjerrë me saktësi se sa është zmadhuar fondi limit për këtë projekt.
Pazaret e Veliajt
Sipas dokumenteve, për këtë projekt kanë shfaqur interes 13 kompani, të cilat i janë dukur si pengesë Veliajt për të vijuar me aferën e tij, prandaj 12 prej tyre i ka skualifikuar që në fazën e parë.
“BAJRAMI N.” Shpk dhe “RSM COMPANY ” shpk & “AVDULI” kishin ofertat më ekonomike, nga 630 milionë lekë deri në 1 miliard lekë. Oferta të tilla ekonomike duhen shqyrtuar me kujdes dhe marrë në konsideratë për të patur një garë të drejtë, por komisioni i Veliajt i ka skualifikuar që në fazën e parë për mungesë dokumentacionesh. Pas tyre ka përjashtuar edhe 10 oferta të tjera të vlefshme, pa asnjë argument.
Kështu ndodhi, pa garë fare janë shpallur fitues bashkimi i operatorëve
“EURO-ALB” – “VIANTE Konstruksion”, me ofertë 1 miliard lekë.
Open Data Albania i ka vënë Flamurin e Kuq tenderit, për riskun e korrupsionit.
Metoda e përdorur klasifikohet me përshkrimin “skualifikim i të gjithë operatorëve ekonomikë përveç fituesit”.
Kush është Bujar Murati
“EURO-ALB” është themeluar nga Bujar Murati në vitin 1999. Në vitin 2006, Murati ia kalon aksionet në masën 100 % bashkëshortes së tij, Doriana Muratit. Pas shkarkimit si drejtor prokurimeve dhe arrestimit, Bujar Murati, në dhjetor të vitit 2013, i rimerr sërish aksionet, tashmë përmes dhurimit nga bashkëshortja e tij.
Po le të flasim pak për të shkuarën e errët të Muratit, i cili shpërdoronte detyrën dhe përvetësonte fonde përmes firmës së tij.
Në vitin 2009, Murati mbante postin e drejtorit të përgjithshëm të prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme kur u arrestua për tenderin e uniformave të policisë, i paracaktuar për kompaninë “Gjergjefi”, me pronar Jani Gjergjefi.
Në dhjetor 2009, gjatë operacionit ‘Prokurimi i fundit”, u arrestuan edhe pronari i kompanisë fituese Jani Gjergjefi, specialisti Redi Popescu, shef i prokurimeve në Gardën e Republikës Tahir Imami si dhe biznesmenët Artan Berberi dhe Agur Sadiku.
Sipas Prokurorisë, tre biznesmenët do t’u jepnin një pjesë të fitimit tre funksionarëve publikë, në këmbim të shpalljes fitues të tenderit.
Bujar Murati, jo vetëm i shpëtoi dënimit, por në janar të vitit 2014 depozitoi një padi civile në Gjykatën e Tiranës, duke kërkuar dëmshpërblim për ditët e burgut.
Ndërkohë në vitin 2021 ai u arrestua me urdhër të SPAK për afera me tenderë me ish-kryebashkiakun e Lushnjës Fatos Tushe dhe grupin e tij. Theksojmë se pas arrestimit të dytë, Murati ia shet sërish aksionet e kompanisë gruas së tij, por në fakt vetë ai zhvillon marrëveshjet e fshehta me pushtetarë si Erion Veliaj.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post