Një seancë dëgjimore në komisionin e posaçëm parlamentar kundër dezinformomit bëri publike për herë të parë detajet e sulmit kibernetik iranian.
Drejtoresha e AKSHIT, Mirlinda Karçanaj ishte e ftuar për të dhënë informacione për deputetët dhe nga kryetari i komisionit, Erion Braçe u informua se mbledhja do të vijonte me dyer të mbyllura, çka duket se bëri që ajo të fliste lirshëm. Por, shërbimet e Kuvendit duket se nuk kishin kuptuar se duhej të mbyllnin sinjalin për mediat dhe dëshmia konfidenciale u bë publike.
“Ne nuk e kishim idenë fare se në çfarë sulmi ishim ditët e para. Në datën 16 synimi i skuadrave ishin që të infektonin të gjitha backend-ed e menaxhuara nga AKSHI që ishin mbi 10 mijë në atë kohë, që do të thotë të inkriptonin të gjitha këto backende, përfshirë kompjutara. Pra nga 10 mijë backende, vetëm 250 u arritën të inkriptohen”, tha Karçanaj.
“Backend” janë sistemet mbi të cilat funksion AKSHI, pra platforma online e ofrimit të shërbimeve për qytetarët, dhe sipas drejtoreshës Karçanaj, synimi i iranianëve ishte fshirja totale e tyre, përfshirë edhe dokumentacionin që ruhet në servera.
“Ishin momente shumë të vështira, nuk e kishim idenë se kë kishim përballë, dhe kishim një shtet të çorganizuar nga ana tjetër, që ndërkohë e gdhinim duke u marrë me procesin, kërkonin me të drejtën e tyre të vazhdonim punën e përditshme. Edhe sikur shërbimet të mos ishin online, sulmi synonte që të fshiheshin të gjitha sistemet e shtetit pra të ktheheshim në epokën e gurit ku qytetarët të mos kishin asnjë të dhënë. Ia dolëm që të izolonim gjithçka në atë moment, dhe sipas dy raporteve, vetëm 10% e sistemeve dhe të dhënave u arritën të fshihen nga ana e kundërshtarëve”, shtoi ajo.
Kundërpërgjigja e shtetit shqiptar ndaj këtij sulmi erdhi falë bashkëpunimit me Ambasadën e SHBA në Tiranë e cila solli në mbështetje një nga ekipet më të mira të FBI-së.
“U përfshi ekipi më i mirë i Mircosofti dhe me suportin e ambasadës amerikane, këshilltarit politik të asaj kohe, erdhën fizikisht që të bënin investigimin. Ideja ishte të kuptonin çfarë kishte ndodhur dhe të atribuonim sulmin që kishte ndodhur pranë AKSHIT. Ky ishte momenti që sërish ambasada amerikane na suportoi me skuadrën më të përgatitur cyber të FBI. Ata kanë punuar një muaj për analizën duke dalë ekzaktësisht në të njëjtin përfundim”, tha Karçanaj.
Teksa drejtoresha e AKSHI-t vazhdonte prej më shumë se 10 minutash të jepte këto informacione, stafi i saj e informoi se vijonte të ishte “live” në faqen e Kuvendit, çka bëri që ajo të kërkonte ndërprerjen e sinjalit dhe komisioni vijoi seancat me dyer të mbyllura.
Discussion about this post