Dom Gjon Gazulli dhe Atë Luigj Paliç nga nesër do të jenë të lumë dhe do të shpallen si njerëz të bekuar nga Papa Françesku.
Dy klerikët jetuan në shekullin e kaluar, kur edhe gjetën vdekjen në Shqipëri dhe Kosovë, njëri nga regjimi vendas dhe Atë Luigji nga forcat jugosllave.
Zëdhënësi i Kishës Katolike në Shqipëri, Dom Mark Pashkja, foli për emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH rreth së kaluarës së dy katolikëve shqiptarëve. Ai tha se Gazulli dhe Paliçi i shërbyen me fisnkëri jo vetëm Kishës, por mbarë kombit shqiptar.
“Atë Luigj Paliç, me prejardhje shqiptare Palaj, është nga Janjeva, nga Kosova, i vrarë e i martirizuar nga ushtria serbe në një fshat afër Gjakovës për motivin e vetëm që nuk pranoi të asimilohej në sllav. Nesër ai do shpallet i lum nga Papa Françesku.
Dom Gjon Gazulli është një figurë tjetër e një kohe pak më të vonë, rreth viteve ’20. Ai qe dënuar me varje nga mbreti Zog. Duke qenë famullitar kryesisht në zonat e Pukës, ai denoncoi herë pas here nëpërmjet letrave dhe në shtyp varfërinë e asaj periudhe në këto zona. U bë një avokat i të varfërve dhe nuk hezitoi të ngrinte zërin ndaj politikave diskriminuese të qeverisë kundrejt zonave të veriut. Ai u dënua me varje në Shkodër te ajo që sot quhet Fusha e Druve dhe direkt pas varjes me litar autoritetet atëherë nuk lejuan asnjë lloj ceremonie fetare. Vlen të theksohet fakti se gjatë shumë viteve të komunizmit, kur nga 1967 e këtej feja ndalohej me ligj, varri i tij u bë një objekt pelegrinazhi për shumë familje. Në Shkodër e njohin si Varri i Shenjtë,” tha Dom Pashkja.
Gati 8 vite më parë, më 5 nëntor 2016, Papa Françesku shpalli të lumë edhe 38 martirë katolikë të vrarë në kohën e regjimit komunist. Ai shpjegoi se për shkak të periudhave të ndryshme kohore, dy klerikët që presin lumturimin tani, nuk u përfshinë në grupin e parë.
“Në Vatikan, për të arritur një proces lumturimi janë disa komisione: komisioni historik, komisioni teologjik dhe komisioni i kardinalëve. Këto komisione marrin në shqyrtim nëse personat e paraqitur nga kishat tona në Shqipëri janë të përshtatshëm apo jo. Rasti i Paliçit në vitin 1930 dhe rasti i Gazullit në vitin 1923 ka bërë që të shkëputen. Kur Kisha Katolike paraqiti rastin e 38 martirëve gjatë kohës së komunizmit, duke qenë më e afërt dhe e prekshme kronologjikisht, ne kemi preferuar dhe Vatikani na ka këshilluar që të kryhej në fillim ai proces, që të kenë precedencën,” u shpreh Dom Pashkja.
Brenda Kishës Katolike ekzistojnë dy shkallë vlerësimi për njerëzit dhe lumnimi është shkalla e parë e lartë drejt shenjtërimit.
“Nëse ne arrijmë përmes dëshmive ose nëse kemi persona që dëshmojnë për hire ose mrekulli, të cilat pasi studiohen nga një grup ekspertësh mjekësorë dhe nuk u jepet shpjegim nga pikëpamja mjekësore-shkencore, atëherë këta mund të shpallen të shenjtë. Përndryshe mund të qëndrojnë gjithmonë të lumë,” tha Dom Pashkja.
Discussion about this post